LAJMI I FUNDIT:

Kur e shenjta vishet nga Dorina: Xhubleta si dëshmi e fantazisë shqiptare (Foto/Video)

Kur e shenjta vishet nga Dorina: Xhubleta si dëshmi e fantazisë shqiptare (Foto/Video)

Në Bergamo të Italisë, kreatorja e modës, Dorina Kola, ka vite që hapur studion e saj “D-Kola”. Më herët ka punuar edhe për stilistë të njohur në Milano, por tash ka linjën e saj unike që është prezantuar në mbi 10 sfilata. Disa nga to janë performanca të mëdha – përtej artit që përçojnë idetë e Dorinës në modë.

Ajo madje është angazhuar të realizonte projektin jo të rëndomtë, “Një grua e veshur me diell”. Me këtë projekt që do të adaptohet më vonë nga të tjerët, pothuajse në tërë Italinë, u veshën me krijimet e saj skulpturat e Shën Mërisë së Muzeut “Bernareggi”.


E shenjta u vesh me petkun shqiptar dhe shpërfaqi bukurinë shqiptare.

Një gjë që e bën të veçantë punën e Dorinës është inspirimi që merr nga kultura shqiptare, në veçanti nga xhubleta – dëshmi e lashtësisë dhe dellit shqiptar për art. Në esenë “Filozofia e veshjes”, dramaturgu Oscar Wilde thotë se “Modë është veç një formë e shëmtisë tërësisht të padurueshme që duhet ta ndryshojmë çdo gjashtë muaj”! Por, xhubleta u ka rezistuar jo muajve, po mijëvjeçarëve.

“Historia jonë është shkruar edhe në rroba. Ato shpërfaqnin estetikën, karakterin dhe forcën tonë. Edhe krenarinë, sepse ishin bërë ashtu që trupi të rrinte drejtë”, thotë ajo, teksa shton se xhubleta mbetet mister i pazgjidhur. “Vlera e saj është e paçmueshme. Disa nga to peshonin deri në 36 kilogramë. Xhubletat janë punuar në mënyra të ndryshme, por pakkush e di se si. Ato vazhdojnë të studiohen. Por, fatkeqësisht, sot nuk e kemi askënd që di ta punojë si dikur – në cilëndo mënyrë”!

Dorina si rrallëkush di të shpjegojë rëndësinë e veshjes, fuqinë dhe domethënien e saj. Ajo di të zbërthejë në fjalë të sakta kombinimin e ngjyrave, formave dhe materialeve. Kështu, tregon se xhubleta është unike edhe si dëshmi e fantazisë shqiptare.

“Thuhet se vajzat i punonin kryesisht nga ora 3:00 e deri në 6:00 të mëngjesit. Mbase sepse kjo ishte koha e ëndrrave. Pra, fantazia në këto orë ishte më e fuqishme për të krijuar”, shton Dorina.

Ajo nuk punon me porosi. Thjeshtë, do që puna që bën e që shihet – edhe të pëlqehet. E, ai krijim është origjinal, nga Dorina dhe frymëzimi që vjen nga tradita shqiptare… /A.Sh./Telegrafi/