LAJMI I FUNDIT:

Kur dy mendje të jashtëzakonshme takohen dhe flasin për njeriun

Kur dy mendje të jashtëzakonshme takohen dhe flasin për njeriun

Tagora (Rabindranath Tagore) ishte poet, dramaturg dhe filozof indian. Mes titujve të poezive mund të përmenden disa, si: “Ideali” (1890), “Varka e artë” (1894), “Fluturimi i lejlekëve” (1916) etj. Në vitin 1930 ai do të takohet me fituesin e Nobelit për Fizik, Ajnshtajnin (Albert Einstein). Ata ndër të tjera folën për shkencën, gjithësinë dhe besimin. Pjesë të kësaj bisede mund të lexoni më poshtë.

Ajnshtajni: Ju besoni në Perëndinë e izoluar nga bota.


Tagora: Jo të izoluar. Personaliteti i pafundmë i njeriut mund ta arrijë gjithësinë. Nuk ka asgjë të paarritshme për personalitetin e njeriut. Kjo dëshmon se e vërteta e gjithësisë është e vërteta e njeriut. Për të sqaruar mendimin tim, unë përdor një fakt shkencor: Materia përbëhet nga protonet dhe elektronet midis të cilave nuk ka asgjë, por materia duket unike, pa lidhjen hapësinore mes elektroneve dhe protoneve të veçantë. Pikërisht kështu edhe njerëzimi përbëhet nga individët midis të cilëve ekziston lidhja reciproke njerëzore që i jep shoqërisë unitetin e organizimit të gjallë. Gjithësia në tërësinë e saj lidhet me ne ashtu siç lidhet individumi. Kjo është gjithësia e njeriut. Këtë ide unë e kam ndjekur në art, letërsi dhe në ndërgjegjen fetare të njeriut.

Ajnshtajni: Ka dy koncepte të ndryshme lidhur me natyrën e gjithësisë: Bota si tërësi e varur nga njeriu. Bota si realitet i pavarur nga arsyeja e njeriut.

Tagora: Gjithësia jonë është në harmoni me njeriun e përjetshëm, ne e arrijmë atë si të vërtetë dhe e përjetojmë si bukuri të përsosur.

Ajnshtajni: Por, ky është konceptim i pastër njerëzor për gjithësinë.

Tagora: Konceptim tjetër nuk ka. Kjo botë është bota e njeriut. Përfytyrimet shkencore për të janë përfytyrimet e shkencëtarit. Prandaj, bota nuk ekziston e pandarë nga ne. Bota jonë është relative dhe realiteti i saj varet nga ndërgjegjja jonë. Ekziston një farë standardi për logjikën dhe të bukurën e përkryer, i cili i siguron vërtetësinë kësaj bote. Ky është standardi i Njeriut të Përjetshëm, ndjesitë e të cilit përkojnë me ndjesitë tona.

Ajnshtajni: Ky Njeri i Përjetshëm është mishërimi i kuintesencës njerëzore.

Tagora: Po, i kuintesencës së përjetshme. Ne e njohim atë nëpërmjet emocioneve dhe veprimtarisë sonë. Ne e njohim Njeriun e Epërm të çliruar nga kufizimet tona. Shkenca merret me analizën e asaj, që nuk kufizohet nga individi i veçantë që paraqet të vërtetën e njerëzore ekstrapersonale botërore. Feja i arrin këto të vërteta dhe vendos lidhjen e tyre me kërkesat tona më sublime, kështu njohja jonë individuale e së vërtetës fiton vlerë përgjithësuese. Feja e pajis të vërtetën me vlera dhe ne e arrijmë të vërtetën duke ndjerë harmoninë tonë me të.

Ajnshtajni: Por, kjo do të thotë që e vërteta ose e bukura e përkryer nuk janë të pavarura nga njeriu.

Tagora: Nuk janë.

Ajnshtajni: Nëse njerëzit do të zhdukeshin papritmas, Apolloni i Belvederes nuk do të kishte më bukuri të përkryer.

Tagora: Po!

Ajnshtajni: Unë jam dakord me një konceptim të tillë të së bukurës së përkryer po nuk mund të jem dakord me konceptimin e së vërtetës.

Tagora: Pse? E vërteta njihet nga njeriu.

Ajnshtajni: Unë nuk mund ta vërtetoj drejtësinë e konceptit tim, por ky është religjionit tim.

Tagora: E bukura e përkryer përfshihet në idealet e harmonisë së përkryer, e cila mishërohet me Njeriun Universal, e vërteta është arritja e përkryer e arsyes universale. Ne individët i afrohemi së vërtetës duke bërë gabime të vogla dhe të mëdha, duke grumbulluar eksperiencë dhe duke sqaruar arsyen tonë, si do ta njihnim ne ndryshe të vërtetën?

Ajnshtajni: Unë nuk mund të vërtetoj se e vërteta shkencore duhet të quhet e vërtetë, si një aksiomë e pavarur nga njeriu, por për këtë jam thellësisht i bindur. Teorema e Pitagorës në gjeometri përcakton diçka afërsisht të vërtetë pavarësisht nga ekzistenca e njeriut. Sidoqoftë nëse ka një realitet që nuk varet nga njeriu ai është e vërteta që i përgjigjët këtij realiteti dhe mohimi i të parit, bashkësjell mohimin e të dytës.

Tagora: E vërteta e mishëruar tek Njeriu Universal duhet të jetë në thelb njerëzore, pasi në rast të kundërt gjithçka që mund të njohim ne individumët nuk do mund të quhej asnjëherë e vërtetë, të paktën e vërtetë shkencore, ndaj së cilës nuk afrohemi dot me anë të proceseve logjikë, por me anë të organit të mendimit, i cili është organi njerëzor. Sipas filozofisë indiane, ekziston Brahma, e vërteta absolute, të cilën nuk arrin dot as me logjikën e individit të veçantë as e përshkruan dot me fjalë. Ajo njihet vetëm nëpërmjet zhytjes së plotë të individit në pafundësi. Një e vërtetë e tillë, nuk mund t’i përkasë shkencës. Natyra e kësaj të vërtete ka karakter të jashtëm, do të thotë që ajo paraqet në vetvete atë që i shfaqet si e vërtetë arsyes njerëzore, prandaj e vërteta është njerëzore. Ajo mund të quhej Majej ose iluzion.

Ajnshtajni: Në përputhje me konceptimin tuaj, i cili ndoshta është konceptim i filozofisë indiane, ne nuk kemi të bëjmë me iluzionet e një individi të veçantë, por me iluzionet e individëve në përgjithësi.

Tagora: Në shkencë dhe ne i nënshtrohemi disiplinës duke flakur tërë kufizimet e logjikës personale duke arritur në kapjen e së vërtetës së mishëruar në arsyen e Njeriut Universal.

Ajnshtajni: Varet e vërteta nga njohja jonë? Ky është problemi.

Tagora: Ajo që ne e quajmë ‘e vërteta’ qëndron në harmoninë racionale midis aspekteve subjektive dhe objektive të realitetit, se kush prej të cilëve përket Njeriut Universal.

Ajnshtajni: Edhe në jetën tonë të përditshme, ne jemi të detyruar që sendet që përdorim t’i përshkruajmë si realë, të pavarur nga njeriu. Ne e bëjmë këtë që në mënyrë logjike të përcaktojmë lidhjen reciproke midis organeve tona të ndjesisë. Për shembull, kjo tavolinë do të qëndrojë në vendin e saj edhe kur në shtëpi nuk ka asnjeri.

Tagora: Po. Tavolina nuk do të konceptohet nga logjika individuale por nga ajo universale. Tavolina, të cilën perceptoj unë, mund të perceptohet nga një logjikë e njëjtë me timen.

Ajnshtajni: Këndvështrimin tonë natyral, lidhur me praninë e së vërtetës së pavarur nga njeriu nuk mundet as ta sqarosh as dhe ta vërtetosh, por atij i besojnë të tërë, madje edhe njerëzit e lashtë. Ne i atribuojmë të vërtetës një objektivitet mbinjerëzor. Ky realitet i pavarur nga qenia jonë, nga eksperienca jonë, nga arsyeja jonë, është i domosdoshëm për ne, pavarësisht se ne nuk mund ta përcaktojmë kuptimin e saj.

Tagora: Shkenca ka vërtetuar se tavolina, si një trup me peshë, është vetëm një shfaqje. Rrjedhimisht ajo që arsyeja njerëzore e koncepton si tavolinë nuk do të ekzistonte nëse nuk do të ekzistonte arsyeja njerëzore. Ndërkohë duhet pranuar se realiteti elementar fizik i tavolinës nuk është gjë tjetër përveç se një bashkësi qendrash forcash elektrike në rrotullim dhe, rrjedhimisht, i përkasin po aq logjikës njerëzore. Në procesin e arritjes të së vërtetës ndodh konflikti shekullor midis arsyes se kufizuar të individit të veçantë. Ky proces, i pandalshëm arritjeje kalon në shkencat tona në filozofi, në etikë. Në çdo rast edhe nëse do kishte një të vërtetë absolute të pavarur nga njeriu, për ne do të ishte absolutisht e papranishme. Nuk është vështirë që të imagjinosh arsyen, për të cilën vijueshmëria e ngjarjeve nuk zhvillohet në hapësirë por vetëm në kohë, ashtu si edhe notat e njëpasnjëshme në muzikë. Për një arsye të tillë, konceptimi i realitetit do të ishte i ngjashëm me realitetin muzikor për të cilën gjeometria e Pitagorës nuk ka asnjë kuptim. Ekziston realiteti i letrës, i cili është tejet i largët nga realiteti i litareaturës. Për logjikën e molës, e cila e ha letrën, literaturë nuk ekziston absolutisht. Por për logjikën njerëzore, letërsia ka shumë më tepër vlerë sesa letra. Pikërisht në mënyrë të tillë, nëse ekziston një e vërtetë jashtë raportit racional ose shqisor të arsyes njerëzore, ajo mbetet inekszistente përderisa ne jemi krijesa me arsye njerëzore.

Ajnshtajni: Ahere, unë jam më fetar se sa ju.

Tagora: Feja ime konsiston në njohjen e Njeriut të Përjetshëm, Shpirtit Universal Njerëzor, ekzistencës sime personale. Kjo ka qenë teme a leksioneve të mia që unë i kam quajtur feja e njeriut. /konica.al/