LAJMI I FUNDIT:

Kur bien autokratët, marrin me vete të tjerët

Kur bien autokratët, marrin me vete të tjerët
Ilustrim

Nesër, liderët e NATO-s do të mblidhen në Vilnius të Lituanisë të afrojnë Ukrainën më pranë NATO-s dhe të forcojnë më tej dekurajimin dhe mbrojtjen e Aleancës, kur pasgoditjet e rebelimit të dështuar në Rusi vazhdojnë të jehojnë.

Çfarë ndodhi?


Më 23 qershor, në Rusi, ndodhi një ngjarje e jashtëzakonshme që pështjelloi botën: Grupi mercenar Wagner, i udhëhequr nga Jevgeni Prigozhini, mori nën kontroll një kryeqytet rajonal dhe nisi një autokolonë ushtarake për në Moskë. Por, befas, i ndërpreu të gjitha veprimet dhe i ktheu forcat në kazermë.

Një krijesë e Kremlinit

Jevgeni Prigozhini është një krijesë e Kremlinit, një oligark për të cilin shteti rus derdhi para që trupat e tij Wagner të kryenin misione të rrezikshme atje, ku presidenti Putin synonte të çonte përpara interesat e tij vjedhurazi, pa u identifikuar, si në Siri, Libi, Sudan, Republikën e Afrikës Qendrore, Mali etj. Kreu i Kremlinit ndoshta nuk e kishte imagjinuar kurrë se dhuna e dobishme e njeriut të tij të punëve të pista do të kthehej një ditë kundër sistemit, të cilit ai i detyrohej gjithçka, bile edhe kundër vet të zotit të tij.

Por, shërbëtori servil dhe i heshtur u kthye në kryekomandant bubullues, që sfidoi haptazi hierarkinë e lartë të ushtrisë ruse. Prigozhini, një ish-i burgosur për grabitje dhe ish-shitës hotdogësh, arriti të drejtojë një restorant luksoz në Shën Petërsburg ku u takua dhe u lidh me një punonjës të vogël të bashkisë të këtij qyteti, Vladimir Putininin. Kur ky aleat i ri filloi të ngjitë shkallët e presidencës, edhe Prigozhini filloi të rritej nga kontratat e pista shtetërore milionadollarëshe.

Më pas u bë oligark i vogël, që u njoh me pseudonimin: “kuzhinieri i Putinit”. Më 2013 doli nga intendenca kur themeloi Agjencinë e Kërkimeve në Internet (IRA), që përmbyti Shtetet e Bashkuara dhe Evropën me propagandë helmuese për të denigruar demokratët dhe për të mbështetur të djathtën ekstreme. Më 2014, me një ish-ushtar neonazist e krijoi grupin mercenar Wagner. Wagner mori një rol parësor në Ukrainë. Kreu luftimet më të përgjakshme të luftës pushtuese të Putinit në Bahmut, suksesi më i madh i Rusisë në fushën e betejës këtë vit, ku pranoi se grupi i tij luftonte me çmimin e humbjeve të mëdha, të cilat i bëri publike nëpërmjet videove tronditëse dhe ligjëratave therëse për “Operacionin e Posaçëm Ushtarak”.

Qysh më herët, Prigozhini kishte kritikuar Ministrinë ruse të Mbrojtjes se pretendonte që në Ukrainë kishte mungesë municionesh dhe lufta nuk udhëhiqej me kompetencë. Për muaj të tërë, ai komplotoi hapur një grusht shteti, duke u grindur publikisht me udhëheqjen e forcave ushtarake. Një javë para revoltës së armatosur, qëllimet e luftës të presidentit Putin i quajti gënjeshtra e megjithatë, Moska u befasua kur Prigozhini u kërkoi ushtarëve të tij të ngriheshin kundër Ministrisë së Mbrojtjes ruse. Shkaku kryesor i kësaj kryengritje ishte urdhri i 10 qershorit i kësaj Ministrie, që u kërkonte të gjitha njësive vullnetare të nënshkruanin kontrata me të.

Integrimi i trupave mercenare të Prigozhinit në ushtrinë ruse, jo vetëm do të zvogëlonte autoritetin e tij, por do ta nxirrte atë jashtë Ukrainës. Ai besonte se mjaft komandantë të lartë të ushtrisë, oficerë të inteligjencës ushtarake GRU, kishtarë ortodoksë, politikanë ultranacionalistë dhe njësi të mëdha të ushtrisë ruse do të hidheshin në anën e tij. Kësisoj, Putini do të shkarkonte Ministrin e Mbrojtjes dhe Shefin e Shtabit të Ushtrisë ruse. Por, Priogzhini e kuptoi se mbështetja ushtarake dhe e sigurisë, që ai priste, ishte zhdukur dhe kur po tentonte t’i afrohej Moskës, Putini i kishte thyer rebelimit shtyllën kurrizore.

Vazhdimi i marshimit nënkuptonte masakër për forcat e Wagnerit dhe Prigozhini ndryshoi kursin: vendosi të dorëzohej me një marrëveshje amnistie për veten dhe forcat e tij nëpërmjet mikut të vet Lukashenko, i cili pohon se i tha: “Zhenia … do të të shtypin si çimkë në gjysmë të rrugës”.

Rebelimi

Rebelimi i shkurtër, por i armatosur, i shefit mercenar Jevgeni Prigozhin dhe trupave të tij Wagner në Rusi, shënon një pikë kthese në sundimin 23-vjeçar të presidentit Putin. Përpara revoltës, Putino dukej i pathyeshëm në krye të një strukture pushteti shumë të personalizuar, që ofron pasuri në këmbim të besnikërisë. Rebelimi e çmitizoi Presidentin Putin, duke dobësuar ndjeshëm autoritetin e tij.

Para kësaj ngjarjeje, shumica e shoqërisë ruse dhe, veçanërisht, burokratët shtetërorë besonin se ai gjithmonë merrte vendimet e duhura, se ishte shumë më dinak, më i mençur dhe më i informuar se kushdo tjetër. Por, ngjarjet e treguan një Putin të dobët, të lëkundur, të paaftë për të ushtruar kontroll. Po kështu, kjo dukuri përuroi një garë ndërmjet elitave konkurruese ruse, e cila mund të jetë sfida e parë e madhe për regjimin e Putinit, por jo e fundit. Një situatë e re po ngre shpejt krye dhe ajo që do të ndodh më pas është e pamundur të dihet.

Është ende shumë herët për të arritur një konkluzion. Kremlini po përpiqet të tregojë se gjithçka po shkon si zakonisht. Megjithatë, pas fasadës, duket se po kryhet një hetim i ethshëm. Është e qartë se kemi të bëjmë me një sfidë të vërtetë sistemi. Disa propagandistë përpiqen të argumentojnë se Rusia doli më e fortë. Tabloidi Komsomolskaia Pravda, p. sh., vëren se “kjo tregoi se Rusia mund të përballojë çdo krizë të jashtme apo të brendshme … dhe Putini kaloi një tjetër provë të vështirë”.

Por, sipas ekspertëve, Putinin e turbullon ideja se deri ku shkon ky komplot? Sa larg dhe sa thellë arriti të futej në ushtri dhe në shërbimet e posaçme? Me kë fliste Prigozhini? Kush u premtoi mbështetje? Kush ndërroi anë gjatë inskursionit etj.? Revolta i hapi botës një dritare të rrallë për të parë rënien e ngadaltë të shtetit rus. Asnjë shtet me institucione funksionale nuk mund të lulëzojë kur ndjek një politikë ushtarake ekspansioniste të pakuptimtë, që bie ndesh me vlerat demokratike dhe qytetare, që gjënë më të rëndësishme kanë jetën njerëzore. Gjatë tranzicionit të Rusisë nga demokraci në autoritarizëm, apo në totalitarizëm hibrid, Putini dhe rrethi i tij i brendshëm kanë kolonizuar shoqërinë civile dhe kanë ndërtuar një sistem represioni. Kjo nuk është shenjë fuqie, por dëshpërimi. Dhënia me kontratë e veprimtarive kritike të qeverisë, si roli ushtarak, që iu ofrua Prigozhinit dhe forcës së tij Wagner, është një manifestim i qartë i kësaj dobësie.

Qeverisja

Në një çerek shekulli dominimi absolut, Putini mënjanoi paqëndrueshmërinë kronike të Rusisë, brishtësinë e institucioneve të saj, por edhe të drejtuesve politikë. Ai sundon me dy instrumente: frikën dhe paranë, të mbuluar me një petk nacionalizmi. Bleu ata që mundi dhe burgosi ose vrau ata që nuk mundi. Kjo autokraci ka tharë shtetin rus, p.sh.: kur Putini emëron kreun e Gardës Kombëtare, apo të një institucioni, që do ta mbrojë nga grushtet e shtetit, vendos në krye të tij një njeri të besuar dhe detyron qeverinë të paguajë faturat.

Kështu, nuk krijon një institucion, por thjesht një lojtar tjetër të armatosur në politikën e brendshme. Karriera e Jevgeni Prigozhinit është tipike: i promovuar për të balancuar oborrtarët më të mirënjohur si ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu; ish-drejtori i FSB-së, Nikolai Patrushev; dhe sundimtari vasal çeçen, Ramzan Kadirov. Putini, si Stalini, apo shumë të tjerë, sundon duke i vënë njëri kundër tjetrit, duke i kushtuar vëmendje të veçantë promovimit të organeve rivale të sigurisë për të vëzhguar njëri-tjetrin, si dhe të parandalojë ndonjë gjeneral heroik të ngrihet për të kërcënuar autokratin.

Kështu, vuri përballë Wagnerin me Ministrinë ruse të Mbrojtjes, për të parë se cila mund të arrinte rezultate më të mira në Ukrainë dhe për të kontrolluar fuqinë e ushtrisë dhe ministrit të mbrojtjes. Prigozhini kundërbalancoi komandën e lartë ushtarake dhe bëri atë që iu kërkua. Efikasiteti i tij ushtroi trysni mbi FA ushtarake ruse joefikase. Ky spektakël surreal shfaqi simptomat e një të keqeje më të thellë: duke nëpërkëmbur institucionet për dy dekada rresht, vet Putini filloi të ngjizë dekompozimin e shtetit rus. Lufta e tij katastrofike kundër Ukrainës e përshpejton kalbjen. Nëse Kremlini beson se perëndimorët do të lodhen, me këtë rast ai u ka dhënë atyre një arsye më të fortë për të qëndruar përkrah Ukrainës. Sa më e madhe të jetë disfata ruse, aq më e dhunshme është rënia e Putinit.

Përsëri në komandë

Tani që Putini e mbylli një sy ndaj kryengritësve të armatosur, do të përballet me pështjellime shqetësuese nëse do të tentojë të shtrëngojë më tej situatën. Me shumë gjasa, do të kërkoj të përshkallëzojë luftimet në Ukrainë për t’u treguar ukrainasve dhe Perëndimit se ai nuk është dobësuar. Zyrtarët amerikanë argumentojnë se strategjia e Putinit është të shterojë municionet e ushtrisë ukrainase dhe interceptorët e saj kundërajrorë nëpërmjet breshërisë së predhave të artilerisë së vet, në mënyrë që forcat tokësore të Ukrainës të mos jenë në gjendje të godasin forcën ajrore ruse për aq kohë sa aleatët perëndimorë të lodhen, ose dikush të rizgjidhet që Putini të mund të arrijë një marrëveshje për të shpëtuar fytyrën e vet në Ukrainë.

Ai, gjithashtu, mund të dëshirojë të provojë se pretendimet e Prigozhinit që ushtria është e çorganizuar dhe e paaftë janë të pasakta, megjithëse zotit Putin mund t’i duhen disa ushtarakë për ta dëshmuar këtë dhe si komandant i përgjithshëm, që di gjithçka, nuk është i verbër për të mos parë dështimet e gjeneralëve të vet. Presidenti, për të dëshmuar se ai ruan mbështetjen e popullit, ka filluar të shkojë në takime publike, ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, këmbënguli se kriza e fundjavës nuk e kishte dobësuar aspak autoritetin e Putinit, kur paralajmëroi takimet e tij me komandantët ushtarakë dhe forcat e sigurisë, të cilat presidenti i falënderoi duke iu thënë: “Ju e keni shpëtuar atdheun tonë nga trazirat.

Në fakt, ju ndalët një luftë civile”. Në realitet, edhe pse nuk u bashkuan me Wagnerin, shumë syresh nuk kishin as ndonjë dëshirë që t’i pengonin mercenarët. Çfarë po bën Presidenti? Atij nuk i pëlqen të reagojë shumë shpejt aq më tepër tani që po përpiqet të zvogëlojë efektet e rebelimit. Pos kësaj, nuk është kohë e përshtatshme për të riorganizuar kreun e ushtrisë në mes të kundërofensivës ukrainase. Duke mos bërë asgjë apo edhe duke mbajtur në pozitat e mëparshme armiqtë potencialë, rrezikon të duket i dobët.

Ndoshta, problemi kryesor është mbajtja e ministrit Shoigu dhe gjeneralit Gerasimov, të cilët, tani, urrehen si nga gjeneralët, ashtu edhe nga ushtarët. Nga ana tjetër, largimi i tyre do të dukej sikur po i bën lëshim Prigozhinit. Në Moskë po flitet shumë për goditjet pas rebelimit, por këto zëra kanë të bëjnë vetëm me ushtrinë. Putini ka lënë të paprekur FSB-në dhe Gardën Kombëtare. Në vend që të sulmonte drejtuesit e FSB-së dhe Gardës Kombëtare se dështuan me krizën, ai duket se ka vendosur ose të mos bëjë asgjë, ose t’u japë këtyre agjencive autoritet të zgjeruar. Në fakt, Garda Kombëtare shpreson të forcojë pozicionin e saj duke marrë leje për të pasur tanke për shërbimin e vet.

Epilog

Presidenti Putin po fajëson Perëndimin për sikletin e tij të fundit, duke u përpjekur ta kthejë poshtërimin e tij si një shfaqje të forcës kombëtare përballë ndërhyrjes së jashtme. Por, autokracia e Putinit përfaqëson një sistem të korruptuar dhe sklerotik. Sigurisht që autokratët mund të lëvizin më shpejt dhe më me vendosmëri; por autokracitë janë sterile, të ngurta dhe joefikase, duke kërkuar rreziqe gjithnjë e më të mëdha për të justifikuar dhe ushqyer veten. Kur bien, marrin me vete kombe dhe popuj.