LAJMI I FUNDIT:

Kundër kujt luftuam ne o babi, më pyeti Noka sot?

Kundër kujt luftuam ne o babi, më pyeti Noka sot?

Kudo në fjalimet përkujtimore, që organizohen nëpër institucionet e Evropës perëndimore, theksohet se "çlirimi i tokës evropiane u bë nga luftëtarët trima, të cilët luftuan kundër nazizmi gjerman”. Secilën herë në shtypin gjerman, norvegjez, suedez dhe atë anglez, ka shumë artikuj, reportazhe e fjalime përkujtimore për të rënët, heronjtë dhe për luftëtarët që dhanë jetën e tyre duke luftuar kundër pushtetit nazist gjerman.

Çdoherë nënvizohet se cili ishte armiku. Kundër cilit armik e agresion luftuan heronjtë dhe luftëtarët e rëne; theksohet gjithmonë se "këta ranë për çlirimin nga Gjermania e NSPAD-së së Hitlerit”. Dhe, kjo është normale, e pritshme dhe e domosdoshme. Kjo duhet të bëhet për hatër të historisë, për sinqeritetin ndaj gjeneratave që vinë e për mësim të gjeneratave të reja gjermane që kjo e zezë të mos përsëritet më në tokën e tyre.


Të nderuar lexues: Çfarë po ndodhë tek ne, sot, me rastin e përkujtimit të të rënëve, luftëtarëve të UÇK-së që dhanë jetën për çlirim nga Serbia dhe për liri kombëtare nga Beogradi? A e patë se si pushteti dhe mediat e pushtetit asnjëherë nuk e nënvizuan se kundër cilit pushtet okupues luftuan heronjtë e UÇK-së? A e dëgjuat sesi gazetaria e pushtetit nuk e theksoi se nga na erdhën pushtuesit? Nuk ka shtet e as komb pushtuesi që ne e luftuam. Kush ishin këta ore?

Kundër kujt luftuam ne, o babi, më pyeti Noka sot?

Pushteti frikësohet të theksojë se okupuesi ishte shteti serb; të tregojë se ishte Serbia ajo që na vrau e na dogji. Kryeministri ynë dhe e tërë garnitura e tij nuk e përmenden fjalën e as togfjalëshin e saktë historik: "Këta dhanë jetë kundër okupatorit serb". Këta nuk e folën kurrë fjalën se "këta ranë për liri, liri të cilin na e mohoi shteti i Serbisë dhe Beogradi"!

A është e mundur kjo të dashur lexues?

Pushteti, Qeveria e Prishtinës, përmes gjuhës dhe fotografisë që këta po e prodhojnë, duan që ta rehabilitojnë shtetin e Serbisë dhe politikat e tyre. Këta "barbiministra" duan që ne, pra shqiptarët, ta arsyetojmë apo edhe ta mirëkuptojmë gjenocidin serb, të ndihmuar nga akademikët dhe kisha ortodokse serbe.

Kjo që po ndodh në hapësirën tonë publike është e paparë. Kjo ndrydhje psikologjike që po zhvillohet sot në Kosovë është e padëgjuar. Tentohet që përmes gjuhës, fjalës e fotografisë, të ndryshohet historia, kujtesa si dhe vlerësimi kolektiv shqiptarë ndaj politikave terroriste serbe!

Edhe pas 70 vitesh, sot, ne lexojmë, shohim e dëgjojmë se ishte gjermania e Hitlerit ajo që dogji mbi 50 milionë njerëz të pafajshëm, gjithandej në Evropë e deri në Afrikë. Ku jemi ne sot? Pse frikësohet pushteti të thotë se heronjtë e Kosovës, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha, Adem Jashari, Fehmi Lladrovci, Luan Haradinaj, Abeja, Xhevë Lladrovci, e gjithë ata civilë e heronj shqiptarë dhanë jetën e tyre duke mbrojtur lirinë dhe Kosovën nga pushteti fashist serb i Millosheviqit?

Se ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, dhe kryeministri Isa Mustafa nuk guxojnë ta thonë ketë të vërtetë sot, kjo nuk të befason. Më befason heshtja e intelektualëve!

Po, tanimë fjala "serbi", në gojën e politikave të pushtetit, është zëvendësuar me fjalën "opozitë". Sipas pushtetit dhe mediave të saja fitohet përshtypja dhe bindja se rreziku Kosovës nuk "i vije nga Serbia po nga opozita".

Pikëlluese, por njëkohësisht syhapëse kjo retorika e pushtetarëve tanë!