LAJMI I FUNDIT:

Kultura jomateriale e arbëreshëve të Italisë propozohet për UNESCO

Kultura jomateriale e arbëreshëve të Italisë propozohet për UNESCO

Komitetit Kombëtar Italian të UNESCO‑s, iu transmetua propozimi i kandidaturës së riteve arbëreshe të pranverës, titulluar “Moti i Madh”, me kërkesën për t’u regjistruar si pasuri kulturore jomateriale e njerëzimit.

Mbi bazën e veprimtarisë së kryer gjatë këtyre tridhjetë vjetëve të fundit mbi këtë temë – nga katedrat albanologjike të universiteteve të Kalabrisë dhe të Palermos -Fondacioni “Francesco Solano” ka bashkërenduar këtë veprimtari të gjatë kërkimore me synimin për të identifikuar, përshkruar dhe rindërtuar rrjetin e traditave që përfaqësojnë visarin kulturor të Arbërisë.

Së bashku me gjuhën dhe letërsinë e pasur të arbëreshëve të Italisë, “Vallet e Pashkëve”, kremtimi i të vdekurve në traditën fetare lindore, praktikat sugjestive ceremoniale që lidhen me ritet e dasmave, por edhe këngët popullore arbëreshe – qofshin laike apo fetare (sidomos kalimerat) – sikurse edhe prodhimet tipike të artizanatit dhe kostumet e pasura femërore arbëreshe, pastaj prodhimet ushqimore etj. janë disa nga shprehjet kulturore dhe rituale që bëjnë pjesë në propozimin e kandidaturës së kulturës jomateriale arbëreshe, e cila gjatë këtyre muajve të fundit është objekt i vëmendjes dhe interesit të veçantë nga ana e zëvendësministres së Pasurive dhe Veprimtarive Kulturore të Qeverisë italiane, me origjinë arbëreshe, Anna Laura Orrico.