LAJMI I FUNDIT:

Kultivuesit e mjedrës të pakënaqur me çmimin

Kultivuesit e mjedrës të pakënaqur me çmimin

Është përcaktuar çmimi i mjedrës në Kosovë në vlerë prej 80 centë për kilogram. Kultivuesit e këtij produkti, që kultivohet kryesisht për eksport, shprehen të pakënaqur me çmimin, andaj kërkojnë subvencione nga qeveria për kilogram.

Çmimi i mjedrës i cili para disa vitesh ishte 2 euro për kilogram, duke rënë vit për vit, sivjet është ulur në vetëm 80 centë për kilogram. Kultivuesit e kësaj peme, shprehen të pakënaqur me çmimin. Sami Uka thotë se me këtë çmim, nuk mund t’i mbulojnë as shpenzimet.


“Çmimi vitin e kaluar ka qenë 1 euro, kurse tash është 80 centë, as shpenzimet minimale të bujkut për prodhim nuk i mbulon”, tha ai.

Ky kultivues thotë se ulja e çmimit e dëmton kulturën. Uka, i cili njëherësh udhëheq shoqatën e kultivuesve të mjedrës, shprehet i shqetësuar me çmimin e sivjetmë.

“Ne, si shoqatë, u jemi drejtuar edhe institucioneve relevante. Kemi kërkuar që të ndërhyjë qeveria, sepse në vendet e rajonit ka ndërhyrë qeveria në këto situata edhe i ka subvencionuar direkt fermerët. Pra, është mirë të intervenojë qeveria, sepse mund të shpëtojë para falimentimit këtë kulturë”, ka thënë Uka.

Çmimi i mjedrës caktohet bashkë me grumbulluesit e kësaj kulture, të cilët në masë të madhe diktojnë çmimin. Grumbulluesi Bejtush Gashi thotë se çmimi caktohet në bazë të kërkesës nga partnerët e tyre.

“Çmimet ne i caktojmë në bazë të kërkesës me partnerët që i kemi në Gjermani, Austri, e vende të tjera. Në bazë të kontratave që i kemi bërë për shitje të produkteve, atëherë në bazë të kësaj ne e caktojmë edhe çmimin e grumbullimit”, thotë ai.

Gashi pranon se ka shumë pakënaqësi, prandaj kërkojnë subvencionim nga qeveria, jo për hektarë të mbjellë, por për kilogram.

“Tek ne kultivuesit e mjedrës kanë shumë pakënaqësi. Ne kemi biseduar edhe me shoqatën, kemi biseduar edhe me USAID’in, i kemi bërë apel edhe Ministrisë së Bujqësisë që të paktën të subvencionojnë sikur në vendet e tjera që janë të subvencionuar për kg, jo për hektar”, thotë Gashi, raporton Radio Kosova.

Pakënaqësi me çmimin e mjedrës ka pasur edhe në rajon, posaçërisht në Serbi, e cila bashkë me Poloninë janë dy kultivuesit më të mëdhenj në botë. Në Serbi, muajin e kaluar çmimi i caktuar i mjedrës ishte afro 70 centë, por pas protestave dhe takimeve me zyrtarë qeveritarë, çmimi është ngritur në 1 euro. E sipas kryetarit të Shoqatës, Avni Uka, kultivuesit në Kosovë nuk duan të protestojnë, por të diskutojnë me qeverinë për çmim dhe subvencionim. /Telegrafi/