LAJMI I FUNDIT:

Kujtimet kurrë nuk ikin

Kujtimet kurrë nuk ikin

Nga: Ryan Gilbey / The Guardian
Përkthimi (i pjesëve të caktuara) nga: Telegrafi.com

Është koha e drekës në Los Anxhelos dhe Anthony Hopkins ka marramendje. “Jam shtrirë në krevat”, thotë ai, nga shtëpia. “Po shikoj Diellin që shkëlqen në Oqeanin Paqësor”.


Zëri i tij është qetësues, ndërsa rrëfimi i tij i ngadalshëm është i prirë të përshpejtohet sa herë që rrjedhin kujtimet. Hopkins është prani e ngrohtë, ndonëse valët e melankolisë ende vërshojnë brenda tij.

Mbush 85 vjet muajin tjetër, dhe ka jetuar në ShBA që nga mesi i viteve 1970.

Tema është bisedës është filmi “Koha e Armagedonit” – drama autobiografike e James Greyt për një familje hebreje në Bruklin, në agimin e viteve 1980. Hopkins luan Aaron Rabinowitzin, gjyshin e nënës së Paulit 11-vjeçar (Banks Repeta). Ai i sjell dhurata, përfshirë një raketë të cilën e lëshojnë së bashku. Fëmija lëshon një zë të fortë (“Faleminderit, njeriu im i mirë”), ndërsa shoku i vjetër flet si në një film vizatimor (“Jaba-daba-du!”).

Skenari fillimisht u shkrua për gjyshin – nga ana e babait – të Greyt; Robert De Niro ishte në bisedime për të marrë rolin. Kur ky plan dështoi, Grey e ribëri rolin në imazhin e gjyshit tjetër të tij dhe Hopkinsi i erdhi menjëherë në mendje. Titulli aludonte për prirjen apokaliptike të presidentit të ardhshëm, Ronald Reagan, si dhe për këngën e grupit Clash “Armagideon Time”, por gjithashtu parashikon frikën ekzistenciale që përshkoi pjesën më të madhe të asaj dekade dhe që së fundmi kjo frikë është rikthyer.

Duke pasur parasysh gjendjen e botës sot, a mendon Hopkinsi se filmi është bërë në kohën e duhur? “Çfarë bëra? Në çfarë kohe? Çfarë do të thuash”? Përpara se të mund të shpjegoj, ai është në një rrugë tjetër: “Më lejo të ta them kështu. Më pëlqeu vizioni i Jamesit për të kaluarën. Amerika ka kaluar nëpër shumë ndërrime që ne ua humbasim gjurmët. Kujtesa luan keq me ty. Nuk është kurrë e saktë dhe saktë nuk është gënjeshtër. Ke vetëm një lloj sekuence të ëndrrave. Por, unë kam një kujtesë mjaft të mirë”. Si u ndje ai kur Reagani u bë president? “Oh, nuk e mbaj mend këtë. Ishte shumë kohë më parë”.

Ishte gjithashtu i zënë, si kurrë më parë. Një nga projektet për të cilat po përgatitej atë kohë, ishte roli kryesor në realizimin e BBC-së të vitit 1981 – të “Othellos”, me regji nga Jonathan Miller. Hopkins bëri histori dubioze, si aktori i fundit i bardhë që luajti këtë rol në televizionin britanik. “Nuk mund ta bëj këtë tash”, thotë ai, duke aluduar për fytyrën e zezë. Bob Hoskins ishte Iago i tij. “Bobi i mrekullueshëm! Kur hyri, theksi i tij dukej shumë freskues. Pastaj, u bë e qartë se nuk e kishte lexuar gjithë skenarin”. Hopkinsi jep përshtypje të çuditshme për yllin me të cilin luajti: “’Zot, a janë gjithë këta rreshtat e mi? Këto janë fjalët? Jam në telash të madh, Toni!’ I thashë: ‘Më mirë t’i mësosh ato’. Ishte i mrekullueshëm”.

Kur mendon për arritjen në ShBA në fillim të viteve 1970, Uatergejt shihet më qartë në mendjen e tij. Ishte në Londër në atë kohë, duke u përgatitur për të shkuar në Nju-Jork, për të dalë në skenë me shfaqjen “Equus”. “Dëgjova gjithë këto lajme nga Amerika dhe mendova: ‘Zot, do të jem atje së shpejti’”. Kur mbërrita, dyqanet shisnin maska të ​​Nixonit. Qëndrova në Algonkuin. Më kujtohet se shikoja dritën, qiellin, duke menduar: ‘Kjo është Amerika! Nuk dija se çfarë ishte. Një dritë e veçantë për atë vend. Ndjeva një nostalgji për të. Ne shpesh flasim për ditët e mira të vjetra, por, oh, nuk e di. Ditë të mira të vjetra, ditë të këqija të vjetra, jeta vazhdon. Sapo erdha këtu, u kapa për të”.

Në mesin e figurave të shumta të jetës reale në filmografinë e tij (përfshirë Picasson, Hitchcockun dhe Papa Benediktin XVI), ka luajtur Nixonin (në filmin e regjisorit Oliver Stone 1995) dhe Hitlerin (në filmin televiziv të vitit 1981, “Bunkeri”) – duke fituar nominim për Oscar për të parin dhe duke fituar një Emmy për të dytin. “Një producent, djalë i ri, erdhi tek unë në xhirime dhe më tha: ‘A mund ta bësh Hitlerin sa më pak njerëzor’? I thashë: ‘Jo, sepse ishte njeri’”. Hopkinsi u befasua kur iu ofrua Nixoni. “Oliveri më tha: ‘Kam lexuar intervistat me ty dhe mendoj se mund ta luash’. U hodha me të dy këmbët”.

Ashtu si Stone, ka luajtur edhe te Steven Spielbergu (në “Amistad”), David Lynchi (“Njeriu Elefant”), Francis Ford Coppola (“Drakula i Bram Stokerit”), Julie Taymor (Titus) dhe Woody Allen (“Do ta takosh një të huaj të gjatë të errët”). Çfarë kërkon te një regjisor? “Ata që janë të zgjuar dhe nuk pretendojnë të jenë Zoti. Janë njerëz që punojnë, si gjithë të tjerët. Nuk shkoj në set për ta tentuar dominimin. Mënyra ime është të them: ‘A mund ta provoj këtë? A funksionon kjo për ju’”?

Gruaja e tij, Stella, ishte regjisore e tij disa vjet më parë, në rolin e psikiatrit në filmin e saj “Elize”. “Më ka urdhëruar”, qesh ai. Dashuria e veçantë rezervohet për të ndjerin Jonathan Demme, tek i cili luajti rolin e Hanibal Lekter “kanibalit” te filmi “Heshtja e qengjave”; performanca Hopkinsit ia solli të parin nga dy çmimet Oscar për aktorin më të mirë, si dhe dy role tjera te “Hanibali” dhe “Dragoi i kuq”. “Nuk di pse më zgjodhi Jonathani, por më besoi”. Ishte ideja e aktorit që Lekteri të qëndrojë në qelinë e vet kur psikologia e FBI-së, Clarice Starling (Jodie Foster), i afrohet për herë të parë. “Ai mund ta nuhasë atë, e sheh’. Kështu i thashë Jonathanit dhe ai tha: ‘Oh, Zot. Ti vërtet je i çuditshëm, Hopkins”!

Dikur e përshkroi veten si “problematik” në xhirimet e fantadramës të vitit 1998, “Takoje Xho Blekun”, ku luante me Brad Pittin. “Marty Brest, regjisor, një njeri i mrekullueshëm, bënte xhirime pas xhirimeve”, shpjegon ai. “Nuk e dija kurrë pse. I thashë një ditë: ‘Nuk kam shumë kohë për të jetuar. A mund ta përfundojmë skenën’? Ishte çmenduri. Ai tha: ‘Edhe një’. Dhe, unë u përgjigja: ‘Jo, po shkoj në shtëpi tani, jam i lodhur’. Bradi mund të ketë menduar se e kisha vështirë. Por, isha i bindur se nuk do të arrinim kurrë në një fund”.

Mendja e Hopkinsit kërcen kudo teksa flasim, duke u mbështetur në kujtimet e fëmijërisë në shoqëri të babait dhe më pas duke u kthyer te “Armagedoni”. Megjithatë, një fjalë që vazhdon të përsërisë është “e lehtë”. Realizimi i filmit “Babai”, me historinë shkatërruese të Florian Zellerit për kolapsin mendor të një burri me Alzheimer, ishte “shumë e lehtë”, thotë ai, pavarësisht temës. “Nuk kam bërë asgjë, me të vërtetë. I thashë po, dhe Olivia Colman u bë vajza ime”. Duhet të ketë bërë diçka meqë fitoi Oscarin për aktorin më të mirë. “Epo, përpiqem të mos ngatërroj duke ndërhyrë. Sigurohuni që ushqimi të jetë i mirë, gjeni veten diku rehat dhe mos u përplasni me mobilet. Aktrimi bëhet më i lehtë kur rritesh”. Ai gjithashtu shfaqet shkurtimisht në filmin “Djali”, në vazhdimin e Zellerit.

Nuk e ka parë ende “Kohën e Armagedonit” dhe nuk po nxiton të kthehet në kinema. “Kjo puna e koronavirusit është rikthyer sërish. Nuk po fshihem, por në moshën time nuk dua ta rrezikoj”. Është çdo ditë në piano (“Kam luajtur këtë mëngjes, disa vepra të Rachmaninoffit”) dhe shpesh pikturon në studion e vet; arti i tij është ekspozuar në gjithë botën.

Duke folur për “Kohën e Armagedonit” sot, kjo lejon që të gjitha llojet e kujtimeve të nxitojnë teksa shtrihej në shtrat duke parë oqeanin. “Njeriu që luaj i ngjan shumë gjyshit tim nga nëna”, thotë ai. “Unë dhe ai ishim shumë të afërt. Ai ma dha një ndjenjë të madhe besimi, për të vazhduar me jetën”. Hopkins ndjen se e kaluara e tij është e pranishme. “Ishte ajo drita melankolike amerikane në qiell. Kisha veshur pallton, sepse karakteri më vdiste. Dhe, mendova: ‘Ky është gjyshi im’”.

Si dukej ai? “Nuk ishte model mode, por kishte njëfarë sqime. Këmishë dhe kravatë. E shikonte veten në pasqyrë”. Hera e fundit që Hopkinsi e pa atë ishte në vitin 1961. “Pimë një pije së bashku, në hotelin “Grand” në Port Talbot. Isha gati të shkoja në Akademinë Rada – kisha fituar bursën. U ngrita të iki dhe gjyshi më tha: ‘Pse nuk vjen për drekë? Kam gatuar një peshk të këndshëm’. I thashë: ‘Jo, duhet të shkoj’. U largova dhe u ktheva, dhe ai ma bëri me dorë nga tavolina. Ishte një ditë me diell dhe kjo ishte hera e fundit që e pashë. Vdiq disa muaj më vonë dhe sot e kësaj dite ndjej keqardhje. Mendoj: ‘Pse nuk kam drekuar me të’? Ah, isha shumë i zënë. Shume i ri. Dhe, ai ka ikur. Ato kujtime mbeten me ty. Nuk e kuptojmë dhimbjen në jetën e njerëzve. Pleqërinë dhe të gjitha këto. Jam thjesht mirënjohës se jam gjallë dhe ata ende më japin punë për të bërë. Kjo më ruan nga telashet, apo jo”? /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Karnavalet, origjina dhe domethënia

Karnavalet, origjina dhe domethënia

Kulture
“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

Kulture
Biznesi i filmave ... mbaroi!

Biznesi i filmave ... mbaroi!

Kulture
Trim mbi trima kish qenë gjithmonë Gjergj Elez Alia

Trim mbi trima kish qenë gjithmonë Gjergj Elez Alia

Fjala+
RUBAIRAT

RUBAIRAT

Poezi
Thënie të Anton Chekhovit

Thënie të Anton Chekhovit

Fjala+
Kalo në kategori