LAJMI I FUNDIT:

Kuba e interesuar për produktet “Made in Albania”

Kuba e interesuar për produktet “Made in Albania”

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes në Shqipëri, Milva Ekonomi,. priti në ambientet e MZHETTS ambasadorin e Kubës në Bullgari, Pedro Pablo San Jorge, i cili mbulon edhe Shqipërinë. Qëllimi i takimit lidhej me intensifikimin e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike mes Shqipërisë dhe Kubës pasi është larg potencialit që ekziston.

Ekonomi shprehu nevojën e nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi, i cili do të promovojë zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dy palëshe pasuar nga memorandume të bashkëpunimit ekonomik, investimeve si dhe ato për turizmin.


Duke u ndalur në shkëmbimet tregtare, ministrja Ekonomi u shpreh se “eksportet shqiptare të bulmetit, vajit të ullirit, mjaltit dhe bimëve medicinale tashmë janë shumë të suksesshëm në tregjet botërore. Së bashku me komunitetin e biznesit duhet të shikojmë mundësitë që këto produkte “Made in Albania” të mbërrijnë edhe në tregjet kubaneze”.

Ndërkohë, ministrja e Ekonomisë i theksoi ambasadorit edhe nevojën e shkëmbimit kulturor nëpërmjet turizmit dhe jo vetëm.

Ministrja në vazhdim të bisedës u shpreh se “qeveria shqiptare e inkurajon Kubën për të shqyrtuar qëndrimin e saj në njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës”, gjë të cilën nuk e ka bërë ende.

Për këtë ambasadori u shpreh se “çështja është duke u marrë në konsideratë nga qeveria e Kubës”.

Gjatë bashkëbisedimit, ambasadori Pedro Pablo San Jorge e vuri theksin në rëndësinë e hartimit të protokolleve të bashkëpunimit në shumë fusha midis dy vendeve.

Duke i bërë një panoramë të situatës në Kubë, ambasadori shprehu qasjen e politikës së Kubës kundrejt tërheqjes së investimeve të huaja në vend dhe suksesit të arritur me shumë vende të Bashkimit Europian.

“I vlerësoj mundësitë e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve dhe shikoj se ekzistojnë oportunitete tregtare të shumta mes Kubës dhe Shqipërisë. Investimet shqiptare në Kubë janë të mirëseardhur”, u shpreh ambasadori Pedro Pablo San Jorge.

Në këtë kuadër ambasadori e pranoi propozimin e ministres Ekonomi për nënshkrimin e një marrëveshje bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve, përfshi edhe shtimin e kontakteve midis institucioneve përkatëse.

Ambasadori shprehu gatishmërinë për bashkëpunim në turizëm, e sidomos në tërheqjen e investimeve në marinat detare dhe fushat e golfit. Sikurse edhe për tërheqjen e investimeve shqiptare drejt Kubës në energji, atë te ujit dhe të erës, duke e konsideruar vendin tonë me eksperiencë në sektorin hidroenergjetik.

Ai përmendi gjithashtu interesin e pasjes së investimeve shqiptare në fushën e përpunimit të ushqimit, bujqësisë, ndërtimit dhe infrastrukturës si dhe të eksportimit të produkteve shqiptare drejt Kubës.