Ku ishte më i mirë Zidane – te Juventusi apo te Real Madridi? Një krahasim i dy epokave të legjendës franceze

Zinedine Zidane është një nga ata futbollistë që e tejkaluan kohën, stilin dhe fanellën. Por në cilin version ishte më i mirë — Zidane i Juventusit apo Zidane i Real Madridit?
Kjo nuk është një garë për pasime, teknikë apo driblime — sepse në këto elemente Zidane pothuajse nuk ndryshoi. Krahasimi fokusohet në periudhën kur shkëlqeu më shumë, vazhdimësinë e paraqitjeve, kushtet për shprehje, ndikimin në ekip, sukseset kolektive dhe statusin e tij në kulturën e futbollit.
Forma më e mirë
Juventus – 10
Real Madrid – 9.5
Zidane luajti për Juventusin nga mosha 24 deri në 29 vjeç, ndërsa për Real Madridin nga 29 deri në 34. Si lojtar që mbështetej në inteligjencë dhe vizion, ai nuk pësoi rënie të ndjeshme me kalimin e viteve. Megjithatë, versioni “torinez” i Zidane ishte më dominues, më i plotë dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në lojë.
Në Torino, ai e ngrinte nivelin e çdo bashkëlojtari me çdo prekje, krijonte hapësira aty ku nuk kishte, dhe i jepte lojës një dimension artistik. Piku i tij absolut u arrit midis viteve 1998 dhe 2000, kur ai ishte figura qendrore e futbollit botëror.
Në këtë periudhë fitoi Topin e Artë (1998) dhe u rendit tre herë në top-treshen e botës – diçka që nuk ndodhi më vonë në Madrid.

Vazhdimësia
Juventus – 6
Real Madrid – 6.5
Zidane shpesh kritikohej për mungesë vazhdimësie. Në Spanjë, ai ruante një nivel të mirë, por pa shpërthime të mëdha; në Itali, ai alternonte mes ndeshjeve madhështore dhe periudhave të dobëta.
Sezoni më i qëndrueshëm i tij erdhi me Juventusin në 2000–01, pas një vere spektakolare në Euro 2000, ku u shpall lojtari më i mirë i turneut. Megjithatë, kartonët e kuq në Ligën e Kampionëve e zbehën sezonin që mund të kishte qenë më i madhi në karrierën e tij.

Kushtet për shprehje personale
Juventus – 8.5
Real Madrid – 9
Në Madrid, Zidane kishte më shumë liri. Futbolli spanjoll i ofronte hapësirë, kohë dhe tolerancë ndaj stilit të tij meditativ, që nganjëherë ngadalësonte ritmin e ndeshjes.
Në Itali, kërkohej saktësi taktike dhe vendimmarrje e shpejtë — një futboll që nuk përshtatej plotësisht me karakterin e tij. Zidane vetë kishte thënë: “Markimi i ngushtë më detyron të luaj me një prekje. Unë dua të krijoj diçka më shumë”.
Në Spanjë, ai kishte bashkëpunim të jashtëzakonshëm me Ronaldon Fenomenin, me të cilin shkëmbeu më shumë asiste se me çdo lojtar tjetër, përfshirë Del Pieron.

Ndikimi në lojë
Juventus – 9
Real Madrid – 8
Te Juventusi, Zidane ishte truri i ekipit — një “numër dhjetë” që ndërtonte çdo aksion. Në Madrid, roli i tij ishte më i kufizuar në zonën ofensive.
Kur Del Piero mungoi në sezonin 2000–01, Zidane mori përsipër gjithçka. Ai ishte dirigjenti i çdo sulmi, ndonëse ndonjëherë i mungonte instinkti lider që tifozët kërkonin prej tij.

Sukseset me ekipin
Juventus – 8.5
Real Madrid – 8
Te Juventusi: dy tituj kampion në Serie A dhe dy finale të Ligës së Kampionëve (të dyja të humbura).
Te Real Madridi: një titull në La Liga dhe një Ligë e Kampionëve e fituar.
Në fund të viteve ’90, Juventusi ishte ekipi më i fortë në Evropë — konstant, taktikisht perfekt dhe fizikisht dominues. Zidane ishte thelbësor në këtë makineri.
Në Madrid, suksesi ishte më spektakolar, por më i shkurtër. Galaktikët fituan Championsin e vitit 2002, por më pas u përfshinë në kaos. Zidane e përshkroi më mirë se kushdo tjetër situatën: “Pse të shtosh një shtresë ari mbi Bentley kur po i humbet motori?” — duke iu referuar largimit të Claude Makelele.

Statusi kulturor dhe trashëgimia
Juventus – 7.5
Real Madrid – 9
Edhe pse kaloi pesë vite në secilin klub, Zidane identifikohet më shumë me Real Madridin. Imazhi i tij i përjetshëm është ai vole i famshëm kundër Bayer Leverkusen në finalen e Championsit 2002.
Filmat dokumentarë dhe roli i tij si trajner më vonë e forcuan këtë lidhje. Zidane në fanellën e bardhë u bë simboli global i elegancës në futboll.

/Telegrafi/



















































