LAJMI I FUNDIT:

Ku guri bëhet akoma më i gurtë

Ku guri bëhet akoma më i gurtë

Nga: Joseph Roth
Përktheu: Lindita Arapi

Nëpër Shqipëri pashë qytete të mbuluar nga një zi fisnike, trishtim të thellë dhe të thjeshtë. Elbasani është një nga qytetet më të vjetra të vendit. Shtëpizat e tij prej guri, të rrethuara po nga oborre guri dhe kopshte të gurta, mbartin monumentalitetin e vdekjes, por se ç’kanë edhe një lloj pikëllimi idilik!


S’ka gjë më prekëse se sa ky jeshillëk ndër gurë, ky myk i butë dhe i lagësht nëpër hulli dhe binarë, në thelb, asgjë më tepër se sa gonxhet e Kalbjes dhe të Hiçit.

Këtu bëhet guri akoma më i gurtë. Elbasani me rrugët gjarpëruese dhe me pazarin gungaç, të kujton një guackë të stërmadhe kërmilli, e thurur për trill. E duket sikur në këtë shtëpi kërmilli të spërdredhur, sikur të jetë kundër të gjitha ligjeve të natyrës, banori i parë ka vdekur dhe ia ka lënë vendin mizërisë së tregtarëve moskokëçarës, të nxirë nga dielli e të veshur ngjyra-ngjyra, të shoqëruar nga pisllëku dhe sëmundja.

Meqë ra fjala, të gjitha shtëpitë e Elbasanit i përkasin çifligarit të madh Shefqet Vërlaci, vjehrrit të ardhshëm të Ahmet Zogut, siç thuhet. Ky qytet ka një nga sheshet më të bukura për t’u falur, sheshi më i gjelbër e më i gjerë në të gjithë vendin. Pasditeve shtrihen aty shkollarët dhe priftërinjtë për t’iu përkushtuar metafizikës. Në lindje të qytetit gjenden varrezat e mëdha të muslimanëve, karakteristika e tyre janë gurët e mëdhenj, që të kujtojnë kërpudhat gjigande, ndërsa në jug të Elbasanit ndodhet ura e shpërthyer e Shkumbinit, akoma më tutje shtrihet tej e tej një pyll i mrekullueshëm ullinjsh, si skena e një shfaqjeje përralle.

Vizitova edhe Krujën. Primitive, idilike. Të kujton Besëlidhjen e Vjetër të Moisiut, historinë biblike ku tregohet se si Rebeka shkon tek burimi. Një push rinor, naiv, gati biblik shtrihet mbi qytezën fshatarake, ku piqen poçe të mëdha në vatra të hapura prushi si në kohërat e Besëlidhjes së Vjetër, katruve me bisht të ngjizura me argjil të pafajshëm, të pjekura mirë, qafëholla e vithehedhura duken gati vajzërore dhe me hinka të pambaruara.

Mbi zjarrin bubulak të ndezur përjashta piqet kafe turke. Kafeneja përbëhet nga një kafexhi dhe një peshore e palëvizshme, në të dyja anët e së cilës filxhanët këlthasin, të mbushur plot me lëngun e trashë, të zi e të ëmbël.

Qyteti qeveriset me dorë të hekurt nga komandanti i xhandarmërisë, ish-kapobandë, i veshur me një uniformë me yje floriri.

Këtu takon vërtet skena biblike: barinj me shaje kundra diellit pjekës, dele pulla-pulla, kasolle të bëra me gjethe, çadra të thurura me kashtë, sheh burra të rehatuar mbi gomarë, gra të mbuluara që thurin në ecje.

Ky vend duket kaq paqësor saqë nuk mund të besosh se njerëzit këtu kanë ca zakone të egra për t’u hakmarrë! Megjithatë, zakonet mbesin zakone! /Botuar në Frankfurter Zeitung më 1927/Pjesë e marrë nga Fjala Review/