LAJMI I FUNDIT:

Ku është lajmi?

Ku është lajmi?

Gazetaria që zvarrit këmbët gjatë gjithë ditës tek dyert e institucioneve shtetërore dhe në mbrëmje na i jep të përtypura lajmet nga konferencat mjerane për shtyp, nuk është duke jetuar, por duke mbijetuar. Është gazetari që mbijeton, duke vegjetuar, duke u kotur, në kllapi. Në një kllapi, që po stërzgjatet, bashkë me stërkeqjen tonë morale e sidomos, kulturore.

”Hashim Thaçi takoi Xho Bajdenin” (ish-nën-presidenti i SHBA-ve, tash në pension, sic!), një kinse lajm që u përtyp gjithë ditën në mediat tona. Qindra lajme nga një seancë parlamenti: ky i tha kështu filanit, ky ia ktheu kështu, ajo gozhdoi atë dhe ai tjetri la pa fjalë një tjetër deputet, kur po flisnin për diçka që lidhje s’kish as me rendin e ditës e as me interesin e këtij konsumuesit që po e sheh/lexon këtë “lajm”. Paramendoni, një intervistë në TV prodhon dhjetëra (kinse)lajme. Të ndara e të montuara, pjesë të fjalive në kontekste “interesante”, me tituj, zakonisht, të varfër, të mjerë, mashtrues e të marrë, vërshojnë median tonë kinse si lajme.


Reja e filan këngëtares paska ndërru stilin e flokëve, filan reperi ia ka bërë diss kolegut të deridjeshëm (pse, a kanë reperat tjera punë, a?!), ja si vallëzon filan artisti….jo vetëm që përbëjnë brumin e emisioneve mjerane, por reprodukohen e ripërtypen pastaj me qindra mijëra herë nga media jonë – sidomos, elektronike – duke na u servuar si lajme.

Po, ku është lajmi?

Oh, ai është gjithkund në Kosovë. Është lehtë i arritshëm, lehtë i dallueshëm, lehtë i përfitueshëm dhe lehtë i plasueshëm. Lajmi në Kosovë, pret nën diellin shkëlqyes, sikur kalaveshi i rrushit në vreshta, mjafton ta zgjatësh dorën dhe ta vjelësh. Krejt kjo, nëse do të ketë kush ta vjelë. Nëse jo, kalon koha dhe vilet e rrushit do të vyshken, do të thahen, do të stërkeqen, do të bien përdhe, do të kalben. Do të kalben, sikur një shoqëri që nuk e do vlerën, që nuk e do të mirën, që nuk e do përparimin, kulturën, shkencën, artin. Si shoqëria jonë, për shembull.

Po, ku mbetëm?

Ah, po, ku është lajmi?

Ja, dy nga mijëra sosh:

Lajm nuk është të përsëritet tash qindra herë fjalimi i djeshëm i Kryeministrit në Kuvend, por gazetarët duhet ta kapin një fjali të tij (“ata që po e akuzojnë Rikallon, ia paskan zënë banesën dhe paskan marrë para”….) dhe të vrapojnë në terren. Ky është lajmi. A është njëri nga qytetarët që po akuzojnë publikisht, uzurpues i banesës? A ia ka lëshuar/shitur dikujt tjetër dhe a ka marrur para për këtë? Ky pronari i ri, a është pjesë e dëshmitarëve kundër Rikallos? Cilat janë dëshmitë e tyre kundër ministrit? Edhepse, gjasat janë të mëdha të mos marrim përgjigje definitive, këto janë lajme. Sepse këto gjëra e afrojnë te qytetari jo vetëm motivin por edhe të vërtetën. A është e vërtetë kjo që po e thotë Kryeministri apo jo? A janë të vërteta akuzat e qytetarëve të Dardanisë apo jo? A ka motive tjera apo vetëm gjakim për drejtësi?

Lajmi tjetër:

Ju kujtohen pamjet e para një muaji nga Stacioni i Autobusave në Prishtinë. Qindra, ndoshta mijëra tituj për vërshimin e qytetarëve aty. Lajme për ikjen, eksodin e radhës të kosovarëve. Pamje, fotografi, intervista komike e mjerane, deklarata, analiza, e pastaj tituj e tituj pambarim për këtë “eksod”. Kur, paprimtas, del Drejtori i Stacionit të Autobusave dhe thotë se gjithçka është normale dhe se trazimin, turmën, euforinë, lajmet e rreme, tollovinë me kinse nisjen e kosovarëve drejt perëndimit po e shkaktojnë disa individë e grupe të vogla e të caktuara, të cilat këta (administrata e stacionit, pra), i paskan piketuar me anën e një monitorimi të kujdesshëm, gjë që dëshmohet edhe nga kamerat e sigurisë. Dhe, çfarë më tutje? Qetësi, shkretëtirë, as gëk as mëk! Gjithçka ndalon, si e prerë me thikë. Gjithçka pushon. Nuk ka autobusë, nuk ka tollovi, nuk ka nisje nga stacioni në Prishtinë, nuk ka ikje të kosovarëve, nuk ka eksod. Gjithçka i kthehet normalitetit, qetësisë së mbrëmjeve në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.

E media? Po, edhe media e braktis këtë ngjarje dhe këtë temë. Asnjë titull, asnjë rubrikë, asnjë minut, hiç asnjë lajm më. Po, lajmi tek ka nisur, o njerëz të mirë! Tash, është lajmi, tash duhet të fillojë media hisen e vet të punës. Fotografimi, videot, pamjet nga njerëzit që hipin në autobus tash bëhen dhe plasohen nga qytetarët, o gazetarë të përgjumur. Lajmi është tjetër, ai sapo lindi?

Dhe cili është lajmi këtu?

Lajmi këtu është: si u ndal gjithçka si me sustë? Si është e mundur që sapo Drejtori i Stacionit të Autobusëve foli publikisht, gjithçka u ndal, pushoi, ra në qetësi. Ky është lajmi, pra! Stopimi i menjëhershëm i tollovisë dhe nisjes kinse drejt perëndimit, i jep të drejtë absolute deklaratës së Drejtorit. D.m.th. sapo ai tha se kishin pikasur disa individë e grupe që po manipulonin masën e njerëzve, kishte përfunduar gjithçka! Dhe kjo, më së pari është alarm (d.m.th. kjo popullatë është aq e cenueshme nga individë që potencialisht punojnë për shërbimet sekrete të dreqi-e-di-cilit shtet!!!) dhe pastaj është lajm, është temë për gazetarët. Është temë për t’u trajtuar ngadalë por plotësisht, gjerësisht dhe me qetësi, së pari nga media, pastaj nga organet shtetërore.

Ky është lajmi që i intereson qytetarit të Kosovës. Kush janë këta individë dhe këto grupe? Ku kanë zbritur, pasi që fjalët janë që ata kanë zbritur nga autobusët ende sa kanë qenë brenda Kosovës, d.m.th. kanë nxitur njerëzit në Prishtinë, vetëm sa kanë ndezur euforinë…dhe pastaj janë kthyer për të vazhduar të njëjtën të nesërmën mbrëma. Gazetarët, tek tash, duhet të bëjnë pyetje të panumërta, me qëllim që të identifikohen (jo domosdoshmërisht të publikohet detajet e tyre) individët dhe grupet e njerëzve që – në mënyrë të përsëritur, sikur thotë Drejtori i Stacionit të Autobusëve – kanë hipur n”Prishtinë e pastaj kanë zbritur pas disa kilometrash. Pas kësaj, përpjekja e vërtetimit të këtyre informatave. Pastaj, përpjekja e kontaktit me këta individë. Nëse autoritetet e stacionit të autobusëve kanë të drejtë, këta individë nuk do të pranojnë të flasin me gazetarë, por prapë, ky është lajmi. Ndoshta pranojnë dhe e argumentojnë se ata nuk kanë asgjë të bëjnë me këtë dhe kjo, prapë, është lajm. Lajmi tani do të ishte: dikush po rren këtu. Dhe, kjo – edhe një herë – do të plasonte të vërtetën e madhe: shqiptarët janë shumë, tepër shumë të cenueshëm (të lëndueshëm, fragjilë, vulnerabël…) ndaj individëve, grupeve apo shërbimeve që nuk ia duan të mirën Kosovës. Kjo, pastaj do të ekspolodonte me qindra lajme për performancën e agjencioneve tona të sigurisë dhe të sundimit të ligjit. Dhe, kështu me radhë…..

Kjo do të sillte lajme me interes për qytetarin e Kosovës. Kjo do të arsyetonte punën e mediave tona. Kësodore mund të kthehet pak vlerë tek to e me to, pak besim i qytetarëve, pak arsyetim i ekzistencës së tyre.

Përndryshe, le ta mbyllin…..derën dhe i fundit le ta fikë dritën!

P.S. Nëse ndonjë profesionist i fushës i lexon këta rreshta, mund t’më thotë se i paskam përzier kompetencat e organeve të sundimit të ligjit dhe gazetarisë si dhe se kam ngatërruar gazetarinë e zakonshme me gazetarinë hulumtuese. Që të dyja, i kam vënë me qëllim dhe kjo lidhet me dinamizmin dhe ndryshimin e rolit të gazetarisë në ditën e sotme, në përballje me rrjetet sociale, nga e cila përballje do të dihet se a po mbijeton gazetaria tradicionale apo po kalojmë n’media sociale që të gjithë.