Kryevepra e absurdit që ndryshoi përgjithmonë komedinë

Pesëdhjetë vjet pas premierës së filmit që skaliti komedinë, Grali i Shenjtë [Monty Python and the Holy Grail], Michael Palin dhe Terry Gilliam rikujtojnë liritë - dhe kufizimet - që bënë filmin.
Nga: Nicholas Barber, kritik filmi / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Një komedi e pavarur britanike, e realizuar me buxhet minimal nga një trupë e skeçeve televizive? Tingëllon si një film i destinuar për t’u harruar brenda pak javësh – pasi të largohet nga kinematë, nëse arrin fare në kinema. Por, Grali i Shenjtë vazhdon të vlerësohet si një nga komeditë më të mëdha të ekranit të madh – edhe 50 vjet pas premierës së tij në prill 1975. Terry Gilliam, i cili ishte bashkëregjisor i filmit me Terry Jonesin, mendon se ai e di arsyen për këtë. “Sa herë e shikoj, mbetem pa fjalë se sa i mrekullueshëm është,” thotë Gilliam për BBC-në. “Është ende kaq qesharak, dhe thjesht dua gjithçka në të”.
Lexo po ashtu:
– Pesëdhjetë vjet nga filmi më qesharak në botë! – Katër jorkshajrmenët – “The Life of Brian” (1979): Ai nuk është profet, por një djalë i prapë! – Rrëfimi prapa filmit më komik e më kontrovers të historisë së kinematografisë: “Life of Brian” – Koha kur George Harrison e shpëtoi kinemanë britanike – Babai nevrik që frymëzoi Michael Palinin – Tetëdhjetëvjeçari Eric Idle: Ende punoj – për të mbijetuar
Trupa Monty Python u shfaq për herë të parë së bashku, në televizion, në vitin 1969, përmes serialit të BBC-së, Cirku fluturues i Monti Pajtonit [Monty Python’s Flying Circus]. Pesë nga gjashtë anëtarët – Terry Jones, Graham Chapman, John Cleese, Eric Idle dhe Michael Palin – e kishin përsosur zanatin e tyre në trupat komike studentore të Universiteteve të Oksfordit dhe Kembrixhit. I gjashti, Gilliami, kishte ardhur në Britani nga ShBA-ja dhe kontribuonte me segmente të animuara që ndërlidhnin skeçet e tyre sureale. Në vitin 1971, disa nga këto skeçe u xhiruan sërish dhe u përfshinë në një film të titulluar Dhe tani diçka krejt ndryshe [And Now for Something Completely Different], por anëtarët e trupës kishin ambicie për të realizuar një film të mirëfilltë artistik – ose të paktën disa prej tyre.
“Nuk ishte aspak e njëzëshme ideja për të bërë një film sipas serialit televiziv”, thotë Palin. “John ishte i angazhuar me serialin Fawlty Towers, Eric me Rutland Weekend Television, por dy Terry-t donin të bënin regjinë e një filmi, dhe unë gjithashtu e doja kinemanë, ndaj kjo ishte e vetmja rrugë përpara – jo për të bërë thjesht tri shfaqje të ngjitura njëra pas tjetrës, por për të krijuar një përvojë të plotë kinematografike. Asnjë serial tjetër televiziv, për sa di unë, nuk kishte kaluar në kinema, por ne menduam ta provonim”.
Chapman dhe Jones kanë ndërruar jetë (ose janë ndalur së ekzistuari, për të huazuar një shprehje nga një prej skeçeve më të dashura të tyre), dhe Cleese me Idle nuk ishin të qasshëm për të folur me BBC-në, por Gilliam dhe Palin kujtojnë me kënaqësi Gralin e Shenjtë – Palin i qetë dhe miqësor, Gilliam që shpërthen në të qeshura entuziaste.
Palin përmend se ai dhe Jones kishin realizuar një serial me skeçe historike para Cirkut Fluturues, të quajtur Historia e plotë dhe absolute e Britanisë [The Complete and Utter History of Britain], dhe Jones më vonë do të njihej si një historian i vlerësuar i Mesjetës. Megjithatë, kjo nuk ishte arsyeja pse grupi vendosi ta ndërtonte filmin e tyre të parë të mirëfilltë rreth Mbretit Artur dhe Kalorësve të Tryezës së Rrumbullakët.
“Duhej të bënim diçka që përfshinte të gjashtë ne”, thotë Palin, “dhe, natyrisht, Tryeza e Rrumbullakët ishte modeli i përsosur për këtë, sepse secili prej nesh mund të luante një nga kalorësit. Dhe, gjithashtu, sepse legjenda e Gralit të Shenjtë ishte diçka që të gjithë e kishin dëgjuar, por askush nuk dinte vërtet asgjë për të. Mund të krijoje çdo lloj historie të bazuar në kërkimin për një gral”.
Jo se Grali i Shenjtë kishte për të qenë ndonjë aventurë e thjeshtë arturiane. Po aq absurd sa skeçet që i dhanë grupit famën, filmi përmbante titra të rremë në suedisht, animacionin e dallueshëm të Gilliamit, një Lepur Trojan, Kalorësit që thonë “Ni!”, një debat për atë nëse dallëndyshet janë të afta të mbajnë kokos, dhe një historian të kohëve moderne që shfaqet për të komentuar aksionin përpara se të vritet brutalisht nga një kalorës që kalon. Me fjalë të tjera, ishte një projekt krejtësisht unik – ndoshta kjo është arsyeja pse BBC-ja vendosi të mos investojë në të. Me ndihmën e producentit të teatrit, Michael White, trupa përfundpoi duke siguruar fonde nga burime të pazakonta, përfshirë grupet Led Zeppelin, Pink Floyd dhe disa kompani diskografike.
Palin: “U them njerëzve, ‘Led Zeppelin na dhanë 50 mijë paundë – dhe shih ku janë tani ata’”.
Gilliam: “Falë Zotit për rokënrolin – kjo është e gjitha që mund të them”.
Ana pozitive e këtij grupi jo të zakonshëm mbështetësish, shton Gilliam, ishte që ekipi pati liri të plotë krijuese. “Kur e kujtoj, gjithmonë më është dukur diçka shumë e pastër ajo që ne po bënim. Thjesht përpiqeshim të bënim veten të qeshnim, ndërkohë që thoshim gjëra interesante, gjëra serioze. Nuk kishte forca të jashtme. Ne, të gjashtë, i merrnim vendimet dhe kaq. Dhe, kjo është një gjë e rrallë. Muzikantët e arrijnë këtë gjithë kohën. Pak filmbërës e bëjnë”.

Ana tjetër, më pak pozitive, ishte se edhe me ndihmën e adhuruesve të famshëm të trupës, që kontribuuan me “pak para”, sipas fjalëve të Palinit, buxheti i filmit ishte më pak se 300 mijë paundë [vlera e përafërt e 3.75 milionë eurove më 2025]. Kjo nuk ishte shumë për një film fantastiko-epik të vendosur në Britaninë e Mesjetës, ndaj ekipi duhej të ishte krijues.
Për shembull, nuk kishin mundësi të përfshinin kalorës me kuaj, kështu që Mbreti Artur (Chapman) dhe njerëzit e tij ecin në këmbë, me shërbëtorë që shkojnë pas dhe trokasin gjysma lëvozhgash kokosi për të imituar tingullin e thundrave të kuajve. Një tjetër zgjidhje krijuese erdhi kur leja për të xhiruar në disa kështjella skoceze u hoq në momentin e fundit. Në vend të kësaj, ata thjesht filmuan Kështjellën e Dunit pranë Stirlingut, nga kënde të ndryshme, në mënyrë që të dukej sikur ishte një kështjellë tjetër secilën herë.
“Ajo që më pëlqen është se Kështjella e Dunit ka përfituar nga kjo”, thotë Palin. “Tani është bërë qendër e një lloj industrie turistike për adhuruesit e pajtonëve, dhe është i vetmi dyqan suveniresh në kështjellë që shet arra të prera kokosi”.
Pavarësisht buxhetit të kufizuar, një arsye kyçe pse filmi ka mbijetuar është se duket si një epikë autentike e periudhës, e plotësuar me pamje atmosferike të xhiruara në vende reale në Skoci. “Na zhgënjenin shfaqjet televizive, sepse kishin skena të këqija, ndriçim të keq dhe gjithçka tjetër të keqe”, thotë Gilliam për veten dhe Jonesin. “Të dy ishim fansa të mëdhenj të Bruegelit si piktor dhe të Pasolinit si regjisor. Donim të gjitha ato tekstura, gjithë atë realitet. Mendoj se kjo është ajo që e bën filmin unik: disa nga ne ishin historianë seriozë dhe regjisorë të vërtetë”.
Megjithatë, jo të gjithë në trupë e shihnin të domosdoshme atë lloj estetike të frymëzuar nga Bruegeli dhe Pasolini. “Një nga kënaqësitë e filmit ishte të kërkoje vendndodhje, vende me histori, dhe të përpiqeshe t’i bëje të bukura”, thotë Gilliam. “Por, kishte ditë kur zihesha me pjesën tjetër të ekipit, që nuk kishin asnjë interes për të krijuar atmosferën e kohës apo për ta bërë diçka të dukej si e vërtetë”.
Disa nga anëtarët e grupit “ankoheshin vazhdimisht” për xhirimet në ambiente të hapura, veçanërisht kur binte shiu i madh skocez dhe ua rëndonte tunikat e trasha prej leshi, tregon Gilliam. “Mike ishte në rregull, Terry gjithashtu, por të tjerët urrenin të vishnin kostume që nuk ishin të rehatshme. Ata thjesht donin të ishin qesharakë. Por, unë thosha: ‘Po e humbni thelbin. Për të qenë qesharak, së pari duhet të jesh i vërtetë. Gjithçka duhet të jetë autentike’. Unë mendoja se humori do të ishte shumë, shumë më i fortë nëse do ta bazonim në realitet”.
Në fund, dy Terry-t arritën të vendosnin dhe, siç bien dakord Gilliam dhe Palin, përkushtimi i Chapmanit ndaj portretizimit realist të një Mbreti Artur krenar, por të zemëruar, binte në kontrast me absurditetin që e rrethonte. “Gjithçka për të ishte plotësisht e besueshme”, thotë Gilliam.
I vetmi problem me këtë qasje natyraliste ndaj Mesjetës, sipas Gilliamit, ishte se ajo u lidh përherë në mendjen e shikuesve me Monty Python-ët. Kjo do të thoshte se çdo film tjetër me një estetikë të ngjashme – baltë, tym, mot i zymtë, kështjella të rrënuara – mund të dukej pajtoneske, sado serioz që përpiqej të ishte. Gilliam kujton se [filmi] Lanseloti i liqenit [Lancelot du Lac] i Robert Bressonit u shfaq në Mbretërinë e Bashkuar në gusht të vitit 1975. “Ishte tepër serioz. Dhe, njerëzit filluan të qeshnin, sepse ishte një përpjekje kaq serioze për ta bërë ‘reale’, dhe nuk ishte aq i mirë sa ajo që bëmë ne”.
Grali i Shenjtë pati gjithashtu ndikim të thellë mbi vetë anëtarët e trupës. Suksesi i filmit e bindi Gilliamin se ai nuk ishte thjesht animator, por regjisor, “sepse kështu shkruhej në titrat e filmit”, dhe e rriti dukshëm profilin ndërkombëtar të trupës, “duke zgjeruar kontrollin tonë mbi njerëzimin”.

Ai sukses i çoi ata drejt një filmi tjetër. “Edhe pasi bëmë Gralin e Shenjtë, ndjeheshim si të thoshim: ‘Në rregull, e bëmë këtë film, ishte një lloj eksperimenti, por edhe nëse funksionon, kemi secili gjëra të tjera për të bërë’”, thotë Palin. “Por, ndërsa bënim fushatën promovuese nëpër botë, kalonim shumë kohë në aeroporte, dhe ideja nga e cila doli Jeta e Brajanit [The Life of Brian] lindi nga një prej atyre bisedave të mërzitshme teksa prisnim një fluturim për Dublin apo diku tjetër. Ericu e shpiku titullin Jezu Krishti: Epshi për famë [Jesus Christ: Lust for Glory], dhe kjo na drejtoi te rrëfimi biblik, duke bërë që të gjithë të ishim të gatshëm të investonim kohë për të shkruar një tjetër film – dhe kjo ishte një çështje që varej në fije peri. Mund të kishte qenë thjesht një film, dhe kaq”.
Jo vetëm që Grali i Shenjtë çoi në dy filma të tjerë, Jeta e Brajanit dhe Kuptimi i jetës [The Meaning of Life, 1983], por u përshtat nga Eric Idle dhe John Du Prez në një shfaqje të suksesshme në Broaduej, Spamalot, që fitoi çmimin “Tony” për mjuzikëlin më të mirë në vitin 2003. Si Palin, ashtu edhe Gilliam flasin me lëvdata për këtë shfaqje, me të vetmen rezervë të Gilliamit: “Nuk ishte mjaftueshëm me baltë”.
Edhe më e jashtëzakonshme është se shumë prej shprehjeve të filmit janë bërë pjesë e leksikut britanik, dhe disa prej personazheve të tij janë shndërruar në arketipe: politikanët e dështuar krahasohen rregullisht me Kalorësin e Zi, i cili këmbëngul të luftojë edhe pasi i janë prerë gjymtyrët, ndërsa Sir Robini “Jo-edhe-aq-trim-sa-Lanseloti” përmendet kur dikush tregohet veçanërisht frikacak.
Personazhe janë kaq të fuqishëm, sugjeron Gilliam, sepse edhe në momentet më të çmendura, humori i trupës “është për njerëz të vërtetë me qëndrime të vërteta”, duke shtuar: “dhe Britania po bëhet gjithnjë e më shumë si personazhet e Gralit të Shenjtë”!
Personazhet që përmenden më shpesh nga Palini, thotë ai, janë Kalorësit që thonë ‘Ni!’
“Mesa duket, Elvis Presley pëlqente ta shikonte Gralin e Shenjtë kah fundi i jetës së tij. Nuk e di nëse e përthithte vërtet, por vetë ideja që Presley të thoshte ‘Ni’ më sjell gëzim gjatë kohëve të zymta”.
Në një farë mënyre, filmi ka sjellë gëzim edhe për shumë të tjerë që e kanë parë në kohë të vështira. Aktorët e trupës nuk ishin në kërkim të sekretit të komedisë së pavdekshme, por disi e gjetën atë me Gralin.
“Thjesht mendoj se trupa ishte balanca kimike perfekte – të gjashtë ne”, thotë Gilliam.
“Të gjithë jemi shumë të ndryshëm, dhe të vendosësh gjashtë njerëz kaq të ndryshëm në të njëjtën dhomë, dhe që ata në thelb bien dakord për atë që po bëjnë – kjo është diçka e jashtëzakonshme. Pa njërin prej nesh, nuk ishte më e njëjta gjë. Kur Grahami vdiq [më 1989], gjërat kishin nisur të ndryshonin. Dhe, me vdekjen e Terryt [Jonesit] më 2020 ... njerëzit thonë, ‘A nuk do të ishte mrekulli që trupa të ribashkohej’? Do të ishte e pakuptimtë të ribashkoheshim! Nuk do të funksiononte. Ishte një balancë magjike kimike. Ishte spektakolare”. /Telegrafi/

















































