LAJMI I FUNDIT:

Kryetarët e komunave: 2016-ta ishte vit i sfidave dhe i sukseseve

Kryetarët e komunave: 2016-ta ishte vit i sfidave dhe i sukseseve

Shpend Ahmeti, Mimoza Kusari-Lila, Agim Bahtiri, Sokol Bashota, Ragip Begaj, Imri Ahmeti, Agron Kuçi, Rufki Suma dhe Idriz Vehapi kanë folur për “Epokën e re” për të arriturat dhe dështimet e pushtetit lokal gjatë 12 muajve të këtij viti. Ata kanë vlerësuar se 2016-shi ka qenë vit i sfidave dhe rezultateve.

Sipas tyre, edhe pse janë realizuar projektet e parapara, zhvillimet politike të nivelit qendror kanë pasur efekt edhe në pushtetin lokal


Ahmeti: E arritura më e madhe është sigurimi i 51 autobusëve të rinj për Trafikun Urban

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti: Gjatë këtij viti kemi arritur t’i kryejmë shumë punë të mëdha në dobi të qytetarit. Kësisoj, i kemi aftësuar Qendrat e Mjekësisë Familjare, duke i pajisur me laboratorë, ordinanca, ilaçe, sistem numrash të pritjesh, kemi hapur qendrën e re në Tophane. E kemi hapur çerdhen e fëmijëve në Arbëri, e kemi vënë gurthemelin për çerdhe në Kodër të Trimave, po e hapim edhe një në Sofali. I kemi pajisur shkollat me laboratorë e kënde leximi, i kemi shtruar rrugët në të gjithë Malësinë e Gollakut e i kemi modernizuar rrugët “Garibaldi” e “Luan Haradinaj”. Kemi ndërtuar platformën digjitale për participim në lagje me propozime e ide. Po ashtu, e kemi ndërtuar platformën e-inspektori, ku qytetarët mund të raportojnë për parregullsi online e të tjera. Të gjitha këto janë arritur përkundër vështirësive, siç ka qenë buxheti më i vogël se një vit më parë (rreth 3 milionë më pak) dhe pengesat nga mazhoranca në Kuvendin Komunal (LDK/PDK), të cilët i kanë lëshuar mbledhjet, duke na penguar të procedojmë me shumë çështje të cilat fillimisht duhej të aprovoheshin nga Kuvendi Komunal. E arritura më e madhe gjithsesi është sigurimi i 51 autobusëve të rinj për Trafikun Urban, kontingjenti i parë i të cilëve pritet të arrijë para Vitit të Ri e me çfarë po reformohet transporti publik në qytet. Do të kemi edhe linja të reja dhe stacione të rinj për të gjitha lagjet në Prishtinë. Viti 2017 do të nisë me autobusë të rinj dhe me një transport funksional për qytetin. Prioritet është sigurimi i ujit të pijshëm 24 orë për të gjitha lagjet e Prishtinës, që do të realizohet me përfundimin e fabrikës në Shkabaj dhe zgjerimi i rrjetit të Termokosit, i cili planifikohet edhe për lagjet Mati 1 dhe Kalabria. Ne në muajin e kaluar i kemi prezantuar edhe katër projekte kapitale, të cilët synojmë t’i realizojmë në partneritet publiko-privat vitin e ardhshëm. Fjala është për Parkingun Nëntokësor te Fakulteti i Filologjisë, Pishinën Olimpike, Stacionin e ri të Autobusëve dhe Çarshinë e Vjetër, te Tregu i qytetit, projekte këto që do t’i japin Prishtinës funksionalitet, rigjenerim infrastrukture dhe kapacitet. Ka interesim të vazhdueshëm nga investitorët privatë dhe në vitin 2017 këto projekte do t’i konkretizojmë. Sa iu përket zhvillimeve në nivelin qendror, ato doemos që ndikojnë në nivelin lokal, sepse komunat janë të varura nga vendimet e qeverisë e të Kuvendit, qoftë nga pjesa buxhetore (granti qeveritar), po ashtu edhe për projekte kapitale që do të duhej të bëheshin me investim të përbashkët. Ne i kemi pasur disa projekte në plan, të cilat nuk janë realizuar, siç janë Unaza e Qytetit dhe Shtëpia e Operës dhe Baletit, për të cilat kishim premtime. Fatkeqësisht, e kemi një qeveri të paaftë në krye të vendit, një pushtet që e ka kapur shtetin dhe po e përdor për akomodim të interesave personale e klanore dhe po e dëmton vendin e interesin e qytetarit.

Kusari-Lila: Vit i sfidave, angazhimeve dhe sukseseve

Kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila: Për Gjakovën 2016-shi ka qenë vit i sfidave, angazhimeve dhe sukseseve. Gjakova është vlerësuar si performuesja më e mirë nga DEMOS-i, duke përfituar 600 mijë euro. Janë zotuar mjetet për ndërtimin e ngrohtores së re të qytetit dhe Komisioni Evropian e ka mbështetur me 12 milionë euro. I kemi mbështetur bizneset, 72 sosh së bashku me organizatën gjermane “Help” ua kemi ndarë 221 mijë euro. Komuna, në bashkëpunim me Bankën Gjermane për Zhvillim, do ta jetësojë impiantin e ujërave të zeza në vlerë 16.8 milionë euro. Ka pasur investime kapitale. Po përmend me këtë rast projektin 2.4 milionë euro. Komuna ka nënshkruar kontratë me Bankën Gjermane për Zhvillim për rritje të efiçiencës së energjisë në objektet publike. Në fushën e ndërtimit dhe rregullimit të infrastrukturës kemi bashkëpunimin me CDI-në. Tashmë është përfunduar rrjeti i ujësjellësit për 16 fshatra, kurse në proces janë 24 fshatra të Rekës së Keqe. 2016-shi është viti më i suksesshëm që nga paslufta për mbledhjen e të hyrave vetjake, pasi janë inkasuar 1 925 162.73 euro, ose 29.38 për qind më shumë se në vitin 2015. Suksesit në qeverisje i ka kontribuar menaxhimi i mirë i mjeteve, ulja e shpenzimeve operative në administratë, në karburante dhe në telefoni. Kemi investuar në resurse prodhuese. Janë subvencionuar 511 fermerë me 163 520 euro, kurse nga donatorët fermerët janë subvencionuar me 61 mijë euro. Në lëmin e bujqësisë janë investuar mbi 139 mijë euro. Prioritet kryesor për 2017-n është realizimi i projektit i hyrje-daljeve të Gjakovës, i cili do ta lirojë komunikacionin, pastaj shfrytëzimi i hapësirave të ish-ndërmarrjeve shoqërore për investitorë të ndryshëm. Do të vazhdojmë t’i mbështesim programet për zhvillimin e ndërmarrësisë dhe bujqësisë. Zhvillimet politike në qendër kanë pasur ndikim të madh në nivelin lokal. Gjakova është injoruar nga Qeveria e Kosovës, e cila i ka përkrahur komunat që janë pjesë e partive të pushtetit. Kjo ka prolonguar shumë projekte jetike për Gjakovën, siç është projekti i hyrje-daljeve të qytetit, Aeroporti i Gjakovës me asete në vlerë prej 9 milionë eurosh, donacioni nga KFOR-i italian, si dhe shfrytëzimi i hapësirës për parkun industrial. Kjo ndikon shumë në zhvillimin ekonomik të Gjakovës sepse për projektet kyçe kemi hasur në pengesa nga niveli qendror.

Bahtiri: Për Mitrovicën ishte viti më i mirë që nga paslufta

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri: Për Mitrovicën dhe qytetarët e saj 2016-shi ishte viti më i mirë dhe më i suksesshëm që nga përfundimi i luftës. Situata politike dhe e sigurisë ishte mjaft e konsoliduar. Nuk kemi pasur incidente të rënda ndëretnike, si dhe ka pasur rënie drastike të krimit. Një prej sukseseve ka qenë funksionalizimi i Fabrikës së Kërpudhave dhe ndërtimi i fabrikës së dytë që së shpejti do ta fillojë prodhimin. Pastaj rregullimi i shëtitores kryesore të qytetit, ndërtimi i trotuareve në qytet, vendosja e 25 kontejnerëve nëntokësorë, vendosja e e-kioskave për pajisjen e qytetarëve me dokumente të ofiqarisë, ndërtimi i liqenit artificial, ndërtimi dhe funksionalizimi i disa objekteve shëndetësore, rregullimi i infrastrukturës rrugore, ndërtimi i kanalizimeve, zgjerimi i ndriçimit të qytetit dhe rrjetit të ujësjellësit kanë qenë disa prej të arriturave madhore. Janë realizuar mbi 200 projekte kapitale në vlerë mbi 10 milionë euro. Një sukses tjetër është krijimi i Zonës së Lirë Ekonomike. Në 2017-n do ta vëmë në funksion plotësisht Zonën Industriale në Frashër, në të cilën pritet të vendosen 20 kompani prodhuese-shërbyese, të cilat do t’i punësojnë një numër të konsiderueshëm të qytetarëve. Edhe në bujqësi do të ketë rritje të subvencioneve si dhe do ta vazhdojmë rregullimin e infrastrukturës. Jemi në proces të realizimit të një kredie të butë nga bankat e Austrisë në vlerë prej 12 milionë eurosh, e cila do ta mundësojë realizimin e qindra projekteve të rëndësishme. Natyrisht se zhvillimet e nivelit qendror kanë ndikuar negativisht edhe në komunën tonë. Niveli qendror është marrë më shumë me vetveten dhe kjo i ka lënë nën hije problemet dhe zhvillimet e nivelit lokal.

Bashota: Në 2017-n do të ketë rezultate edhe më të mëdha

Kryetari i komunës së Klinës, Sokol Bashota: Për komunën e Klinës viti 2016 ka qenë përplot sfida, por edhe me rezultate të mëdha në interes dhe shërbim të qytetarëve. Gjatë këtij viti i kemi realizuar një sërë projektesh madhore. Ndërkaq, në vitin 2017 do të ketë rezultate edhe më të mëdha në investime. Do ta rrisim cilësinë e shërbimeve në administratë, do të investojmë në bujqësi, në infrastrukturë dhe në shumë fusha të tjera. Një prej prioriteteve kryesore është ndërtimi i shkollës “Ismet Rraci”, e cila do të jetë shkolla më e madhe në komunën e Klinës. Në vitin e ardhshëm do ta përfundojmë edhe sheshin që gjendet në mes të qytetit si dhe do ta ndërtojmë një qendër rinore. Kurse situata politike në nivel qendror nuk mendoj se nuk ka pasur impakt negativ sa iu përket investimeve kapitale, meqë buxheti komunal është i ndarë nga ai qendror. Por, në përgjithësi, kur politika qendrore nuk është mirë, ajo pastaj reflekton edhe tek niveli lokal.

Begaj: Për Malishevën viti 2016 ka qenë i suksesshëm

Kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj: I kemi përmbushur objektivat. Kemi asfaltuar shumë rrugë si dhe është në realizim e sipër ujësjellësi në 12 fshatra. E arritura më e madhe gjatë këtij viti ka qenë largimi i rrezikut nga rriqrat, me ç’rast nuk ka pasur asnjë të vdekur. Në përgjithësi për Malishevën viti 2016 ka qenë i suksesshëm, megjithëse në fillim të tij kemi pasur vërshime me dëme rreth një milion euro, të cilat nuk janë kompensuar. Mbi 95 për qind Malisheva ka arritur ta shpenzojë buxhetin për këtë vit. Prioritet për vitin 2017 është ndërtimi i tri shkollave, vendosja e kanalizimit në disa fshatra si dhe vazhdimi i asfaltimit të disa rrugëve. Një prej sfidave mbetet rregullimi i shtratit të lumit, por meqë komuna e Malishevës e vetme nuk mund ta rregulloj, kemi kërkuar ndihmë nga institucionet. Nëse rregullohet ky problem, atëherë do të ulet shkalla e rrezikshmërisë për vërshimet në të ardhmen. Ndërkohë sa i përket situatës politike në nivelin qendror, mendoj se ajo ka ndikuar në komuna. Sepse kur niveli qendror nuk është stabil, atëherë nuk është stabil as niveli lokal. Prandaj duhet të kemi një pjekuri politike në nivel vendi.

Suma: I kemi realizuar të gjitha projektet e planifikuara

Kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma: Ka qenë një vit i suksesshëm sepse janë realizuar të gjitha projektet e planifikuara. Madje janë realizuar edhe disa projekte që nuk kanë qenë fare pjesë e agjendës për vitin 2016-n. Për vitin 2017-n një prej prioriteteve është ndërtimi i një çerdheje për fëmijë. Gjithashtu, do ta vazhdojmë ndërtimin e rrugës Gorancë-Glloboçicë, pastaj do të realizohet faza e dytë e projektit në “Lagjen e Re”, si dhe do t’i përfundojmë edhe disa projekte të tjera në infrastrukturë dhe kanalizim. Po ashtu, mendoj se çdo neglizhencë e nivelit qendror reflekton edhe në nivelin lokal. Dashtë Zoti në vitin 2017 mos të përsëritet situata politike në nivel shtetëror! Uroj të jetë një vit i mbarë dhe pa probleme.

Kuçi: Rruga Junik-Gjeravicë, prioritet i 2017-s

Kryetari i komunës së Junikut, Agron Kuçi: 2016-shi për komunën tonë ka qenë një prej viteve më të vështira sepse ka munguar mbështetja nga institucionet qendrore. Në mungesë të kësaj mbështetje kanë mbetur shumë projekte të parealizuara. Kurse sa i përket vitit 2017, edhe pse buxheti është rritur falë punës sonë dhe të hyrave vetjake, prapëseprapë kemi mbetur jashtë përkrahjes së Qeverisë së Kosovës. Megjithatë, prioritet yni për vitin 2017, përpos projekteve kapitale, është edhe ndërtimi i rrugës Junik-Gjeravicë, e cila nuk është vetëm në interes të Junikut dhe qytetarëve të tij, mirëpo është në interes të gjithë Kosovës.

Ahmeti: 2016-shi, një prej viteve më të suksesshme

Kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti: Një ndër vitet më të suksesshme në historinë e buxhetit të Lipjanit është viti 2016. Gjatë këtij viti janë realizuar mbi 9 milionë euro investime kapitale. Është viti i tretë rresht që Lipjani i përmbush të hyrat vetjake mbi planifikimin buxhetor dhe komuna jonë e zë vendin e parë në Kosovë sa i përket realizimit të hyrave vetjake me përqindje. Në infrastrukturë dhe fusha të tjera janë realizuar shumë projekte, të cilat tregojnë për një performancë të jashtëzakonshme dhe rezultate shumë të mira. Kurse prioritet për vitin e ardhshëm mbetet zhvillimi i infrastrukturës. Pra, do të vazhdojmë realizimin e të gjitha projekteve që janë paraparë në buxhetin e vitit të ardhshëm. Gjithashtu, bashkëpunimi me partnerët dhe donatorët do të jetë përsëri në agjendë për të siguruar investime shtesë. Ndërsa situata politike në nivel qendror nuk mendoj se ka pasur ndikim në nivelin lokal. Pavarësisht prej kësaj situate, ne e kemi zhvilluar agjendën e aprovuar në fillim të vitit dhe mendoj se ka qenë një prej viteve më të suksesshëm.

Vehapi: Rahoveci ka nevojë për një zonë bujqësore

Kryetari i komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi: Për Rahovecin 2016-shi ka qenë vit normal. Buxhetin e kemi shpenzuar në mënyrë racionale, duke e shpërndarë në lokalitete ku ka pasur më së shumti nevojë. Natyrisht ky buxhet nuk ka qenë i mjaftueshëm për komunën tonë. Kurse prioritetet për vitin 2017 është përmirësimi i infrastrukturës dhe i kushteve nëpër shkolla. Po ashtu, komuna e Rahovecit ka nevojë shumë për një zonë bujqësore, e cila do t’i kontribuonte zhvillimit ekonomik të vendit. Ndërsa në aspektin nacional 2016-shi ka qenë një vit shumë i vështirë dhe me telashe të shumta. Kjo ka reflektuar edhe në nivelin lokal. Për shkak të problemeve politike, institucionet qendrore nuk janë marrë me nivelin lokal. Por, uroj që 2016-shi mos të përsëritet më dhe dëshiroj që 2017-shi të jetë një vit i sukseseve dhe integrimit të Kosovës.

Në trend Lajme

Më shumë
Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Ngacmimet seksuale, Salihaj: Në vitet e 70-a profesorët e UP-së kishin shtretër nëpër kabinetet e tyre

Arsim
A do t'i

A do t'i "shpëtojë" Albin Kurti Asociacionit të komunave me shumicë serbe, flasin analistët

Lajme
Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Suspendimi i profesorit Krasniqi pas akuzave për ngacmim seksual, dekani i Fakultetit të Edukimit tregon detaje të vendimit

Arsim
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Ndalohet një shtetas i Kosovës në Maqedoni, kërkohej nga Interpoli

Ndalohet një shtetas i Kosovës në Maqedoni, kërkohej nga Interpoli

Kronikë e Zezë
Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Lajme
Kalo në kategori