LAJMI I FUNDIT:

Kryeshefi i pezulluar i KEK-ut deklaron pasuri 1.7 milion euro, pagë vjetore 42 mijë euro

Kryeshefi i pezulluar i KEK-ut deklaron pasuri 1.7 milion euro, pagë vjetore 42 mijë euro

Kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i pezulluar dy javë më parë nga kjo pozitë, i cili aktualisht gjendet në paraburgim, ka deklaruar pasurinë e tij për vitin 2022 në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

Krasniqi, emri më i përfolur së fundmi në vend, ka deklaruar pasuri në vlerë 1.7 milion euro dhe para të gatshme kursime 10 mijë e 500 euro në bankë komerciale. Ndërsa, paga e tij vjetore e deklaruar është hiq më pak se 42 mijë e 290 euro ose 3 mijë e 524 euro në muaj.


Në regjistrin për deklarim në APK-së, Krasniqi ka deklaruar në pronësi banesë në vlerë 94 mijë euro, shtëpi në vlerë 154 mijë euro të trashëguar dhe tokë 2,640 metra katror në vlerë 1 milion e 393 mijë euro.

Përveç kësaj, ai në pronësi të përbashkët ka deklaruar hapësirën biznesore 32 metra katror në vlerë 28 mijë e 800 euro si dhe pasuri të luajtshme 3,000 euro. Ai po del të ketë pasur investime edhe në kriptovalutë.

Ndërkohë, një muaj pas deklarimit të pasurisë, më 20 prill, Prokuroria Speciale ka arrestuar kryeshefin ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Ai sipas Prokurorisë, është arrestuar për shkak të dyshimit se ka kryer “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”. Pas arrestimit, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.

Pas përfundimit të periudhës së deklarimit të rregullt të pasurisë për vitin 2022 i realizuar përmes platformës elektronike gjatë muajt mars të vitit 2023, APK ka publikuar regjistrat e deklarimit të pasurisë të subjekteve deklaruese. /KP/