LAJMI I FUNDIT:

Kryeshefi i KRU “Gjakova” që u arrestua nga INTERPOL-i, para disa javësh gjykata kishte gjetur se ishte emëruar jashtëligjshëm

Kryeshefi i KRU “Gjakova” që u arrestua nga INTERPOL-i, para disa javësh gjykata kishte gjetur se ishte emëruar jashtëligjshëm

Rreth një muaj para se të arrestohej në Bullgari, Gjykata Themelore në Gjakovë kishte gjetur se Hasan Krasniqi ishte emëruar jashtëligjshëm si kryeshef ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”.

Ish-kryeshefi i kësaj ndërmarrje u arrestua në Bullgari më 19.02.2024, pasi që kishte një urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet italiane, nën dyshimin për trafikim me njerëz.


Në kohën kur Krasniqi ishte zgjedhur kryeshef i ndërmarrjes KRU “Gjakova”, kishte pasur një padi nga një kandidat tjetër që kishte marrë pjesë në konkursin për kryeshef, me inicialet M.P. Për këtë rast, Gjykata në Gjakovë kishte konstatuar se bordi i drejtorëve të ndërmarrjes kishte bërë shkelje në procedura gjatë emërimit të Krasniqit në pozitën e kryeshefit të KRU “Gjakova”.

Hasan Krasniqi në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021 ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për Asamblenë Komunale të Gjakovës, por nuk kishte marrë votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e saj. Në janar të vitit 2022, ai ishte zgjedhur kryeshef ekzekutiv në KRU “Prishtina” ndërsa gjykata ka vendosur rreth dy vjet pas zgjedhjes së tij në pozitën e kryeshefit.

Ligji për Ndërmarrjet Publike kërkon që zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike të jenë të pavarur, pra të mos kenë angazhime politike në 36 muajt e fundit.

Më 26.01.2024, Gjykata Themelore e Gjakovës kishte anuluar vendimin e emërimit të Krasniqit në këtë pozitë. Sipas këtij aktgjykimi, bordi i drejtorëve të KRU Gjakova nuk kishte mbajtur testim me shkrim për kandidatët për këtë pozitë, por vetëm testim me gojë.

“Gjykata vlerësoi se vendimi i datës 13.01.2022 i Bordit të Përkohshëm i Drejtorëve të KRU Gjakovë mbi zgjedhjen e kryeshefit ekzekutiv, është marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe se anulimi i të njëjtit ka qenë i domosdoshëm, pikërisht për shkak të shkeljeve” – thuhet ndër të tjera në këtë aktgjykim.

Gjykata po ashtu kishte refuzuar kërkesën e paditësit me inicialet M.P., për të kthyer në rishqyrtim procesi i konkursit.

Arsyetimi i KRU “Gjakova” gjatë gjykimit të kësaj çështje, ka qenë se Bordi i Drejtorëve i ndërmarrjes ka kompetencë për emërimin e kryeshefit ekzekutiv, duke u bazuar në Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

“Vendimi i Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve, është marrë konform dispozitave ligjore në fuqi, gjegjësisht nenit 21 të Ligjit mbi Ndërmarrjet Publike. Po ashtu, në Rregulloren mbi Organizimin e brendshëm dhe Sistematizimin e vendeve të punës në KRU Gjakova, parashihet se emërimi dhe shkarkimi i zyrtarëtve të lartë bëhet nga Bordi i Drejtorëve” – thuhet ndër të tjera në kundërshtimin e padisë që kishte bërë ndërmarrja.

Por, Gjykata Themelore në Gjakovë kishte gjetur se përveç Ligjit për Ndërmarrjet Publike, konkursi i shpallur i datës 15.11.2021 për përzgjedhjen e kryeshefit të KRU Gjakova, ishte bërë edhe me Udhëzimin Administrativ 07/2017 për Rregullimin e Procedurave të Konkursit në Sektorin Publik.

Sipas aktgjykimit, Ligji për Ndërmarrjet Publike e përcakton se Bordi i Drejtorëve ka kompetencë për emërimin e kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes, por ka thënë se i njëjti nuk i përcakton edhe procedurat.

Po ashtu, Gjykata ka thënë se procedurat për përzgjedhjen e kryshefit nuk i përcakton as Rregullorja e brendshme e KRU Gjakova për Organizimin dhe Sistematizimin e vendeve të punës, e gjithashtu as Statuti i ndërmarrjes. Për këtë arsye, sipas Gjykatës, është dashur që të merret parasysh Udhëzimi Administrativ 07/2017 i cili i përcakton procedurat për përzgjedhje në një konkurs publik.

Kjo pasi që Gjykata ka konsideruar se ka kompetencë për anulimin e vendimit, ndërsa për procedurat tjera është në kompetencë të ndërmarrjes për t’i eliminuar shkeljet që janë konstatuar në gjykatë.

Hasan Krasniqi ishte arrestuar me 19.02.2024 në Bullgari, pasi që ndaj tij kishte një urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet italiane, nën dyshimin për trafikim me njerëz. Sipas informacioneve të cilat posedon KALLXO Krasniqi dyshohet se kishte kryer organizim të kundërligjshëm, konkretisht kontrabandë me të mitur.

Ai dyshohet se ishte prezantuar si shoqërues i rrejshëm dhe në komplot me persona të tjerë, kishte organizuar dhe kryer kontrabandë me të mitur. Kjo pasi që i njëjti dyshohet se me qëllim të hyrjes ilegale në Itali dyshohet se kishte simuluar pjesëmarrjen e të njëjtëve nëpër disa turne sportive, me qëllim të përfitimit të vizës Schengen për qëllime sportive.

Avokati i Krasniqit, Tritan Hamitaj ka sqaruar se Krasniqi është ortak në një kompani, “Shpatturs shpk” e cila merret me transport rrugor të udhëtarëve, por që drejtohet nga vëllai i tij, Muhamet Krasniqi.

Dhe sipas Hamitajt, për shkak të transportimit nga kjo kompani të disa sportistëve në vitin 2022 ata nuk janë kthyer në Kosovë dhe autoritetet italiane të Drejtësisë kanë vlerësuar se marrja e vizave prej tyre ka pasur parregullësi.

“Për shkak të kësaj veprimtarie me mjetet e transportit në pronësi të saj janë transportuar në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian ndër të tjera edhe ekipe sportive të ndryshme. Disa nga sportistët që kanë lëvizur në vitin 2022 nuk janë kthyer në Kosovë dhe ka rezultuar nga autoritet Italiane të Drejtësisë se marrja e vizave prej tyre ka pasur parregullsi për shkak se nuk kanë qenë pjesëtar të ekipit sportiv dhe qëllimi i marrjes së vizave ka qenë për emigrim” – ka thënë Hamitaj.

KRU Gjakova ka konfirmuar se ka emëruar Visar Hasin ushtrues të detyrës së kryshefit të ndërmarrjes.

Ndërsa në lidhje me vendimin e Gjykatës Themelore, KRU Gjakova ka thënë se më 05.03.2024 ka pranuar atë vendim dhe se të njëjtin do ta apelojë në Gjykatën e Apelit, raporton Kallxo.

Në trend Lajme

Më shumë
Një veturë mbi 5 mijë euro dhe disa para të kursyera, çfarë pasurie ka Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha?

Një veturë mbi 5 mijë euro dhe disa para të kursyera, çfarë pasurie ka Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha?

Lajme
Togerja e Policisë së Kosovës fiton çmim ndërkombëtar për shërbim në komunitet

Togerja e Policisë së Kosovës fiton çmim ndërkombëtar për shërbim në komunitet

Siguri
A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

Lajme
Mijëra euro kursime, banesa, e shtëpia - çfarë pasurie posedojnë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese dhe gjashtë gjyqtarët tjerë?

Mijëra euro kursime, banesa, e shtëpia - çfarë pasurie posedojnë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese dhe gjashtë gjyqtarët tjerë?

Lajme
Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Siguri
Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Lajme
Kalo në kategori