LAJMI I FUNDIT:

Kryeprokurori amerikan Ramsey Clark në film dhe dashuria e tij për Millosheviqin

Kryeprokurori amerikan Ramsey Clark në film dhe dashuria e tij për Millosheviqin

Filmi ‘The trial of the Chicago seven’ (Gjykimi i shtatëshes së Çikagos) është i bazuar në ngjarje të vërtetë dhe është duke tërhequr vëmendje të konsiderueshme të publikut dhe kritikës.  Fjala është për shtatë veta, të cilët në vitin 1968 organizuan demonstrata kundër luftës në Vietnam me rastin e konferencës vjetore të Partisë Demokratike në Amerikë. Filmi është realizuar mirë dhe, siç shihet edhe nga titulli, ka të bëjë me gjykimin e tyre.

Gjykatësi merr anë, atë të shtetit. Por, njeriu që duhet të jetë në anën e shtetit, me dëshminë e tij del në mbrojtje të të akuzuarve. Ai është Prokurori i Shtetit, Ramsey Clark, një figurë kontroverse i cili për një kohë të gjatë ka shërbyer në këtë funksion të rëndësishëm shtetëror.


Ramsey Clark është mjaft i poshtër dhe është 92 vjeç. Nuk është i poshtër për shkak të qëndrimit që paraqet në këtë film, por për shumë gjëra tjera. Kam pasur rastin ta takoj dhe jam bindur edhe vetë.

Në vitin 1996 e kam intervistuar. Fliste me një dashuri të madhe për Sllobodan Millosheviqin dhe i arsyetonte të gjitha sulmet e Serbisë në Kroaci dhe në Bosnjë e Hercegovinë. I mohonte krimet serbe. Edhe pse ishte jurist me nam, nuk kishte asnjë fjalë të keqe për planifikuesit dhe ekzekutuesit e krimeve. I arsyetonte edhe masat serbe të cilat ishin ndërmarrë deri atëherë në Kosovë dhe jepte indikacione se, nëse Serbia intervenon në Kosovë, sikur në Bosnjë dhe Kroaci, do të ishte në rregull.

Natyrisht, edhe të këtillë siç ishte, unë e përgatita intervistën dhe i tregova për përmbajtjen Blerimit (Shalës) që ishte kryeredaktor i Javores Politike Shqiptare – “Zëri”. Ai e lexoi, por nuk e botoi. Nuk kishte se si të botohej një intervistë e tillë. Sikur të botohej me siguri do të ndikonte keq në disponimin e popullatës në Kosovë e cila priste ndihmën amerikane, kurse një ish-funksionar i saj i lartë, dhe ende me ndikim, paralajmëronte arsyetimin e krimeve serbe që do të ndodhnin ndaj shqiptarëve.

Kjo ka qenë intervista ime e vetme që kam bërë me dikë e që nuk është botuar dhe për të cilën gjë jam i kënaqur.

Kur vdiq Millosheviqi, Ramsey Clark i shkoi në varrim dhe mbajti fjalim. Gjykimin e këtij krimineli ai e quajti të pabazë për shkak se, sipas tij, nuk ekzistonin faktet për krime. Ai e tha edhe këtë në fjalimin e tij: ’Historia do të vërtetoj se Millosheviqi ka pasë të drejtë’.

Clark i ka bërë këto gjëra jo vetëm pse është pro serb, por edhe sepse është komunist.