LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj thotë se papunësia në Kosovë është ulur

Haradinaj thotë se papunësia në Kosovë është ulur

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se papunësia në vendin tonë është ulur në 26.9 për qind.

Sipas tij, krahasuar me tremujorin e katërt të 2018-së, kjo normë ka rënë për 4.7 për qind.


“Bazuar në të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në Kosovë, është ulur në 26.9 për qind, për periudhën janar-mars 2019 në krahasim me periudhën tetor-dhjetor 2018 që ishte 31.6 për qind”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Shkrimi i plotë i Haradinajt

Bazuar në të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në Kosovë, është ulur në 26.9%, për periudhën janar-mars 2019 në krahasim me periudhën tetor-dhjetor 2018 që ishte 31.6%.

Këto statistika tregojnë edhe një fakt, që ulja e papunësisë ka ndodhur në grupmoshat 15-54 vjeçare. Nga 57.3% të të papunëve nga kjo grupmoshë, tremujori i parë i 2019-së, tregon një ulje për 7%, konkretisht 50.6%.

Këto statistika, janë lajm i mirë për gjithë qytetarët tanë dhe dëshmi e zhvillimit të brendshëm ekonomik, megjithëse për Qeverinë e vendit, mbetet shqetësim i vazhdueshëm shkalla e papunësisë në vend.

Në këtë përpjekje, do të vazhdojmë angazhimin tonë, për të fuqizuar zhvillimin ekonomik të vendit, duke mbështetur prodhuesit tanë dhe duke tërhequr investime të huaja direkte, të cilat çojnë në hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen e përgjithshme ekonomike. /Telegrafi/