LAJMI I FUNDIT:

KRU Prishtina: Vazhdon turbullira e ujit, Fushë Kosovës i kthehet furnizimi me orar

KRU Prishtina: Vazhdon turbullira e ujit, Fushë Kosovës i kthehet furnizimi me orar

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se për shkak të turbullirës të shkaktuar nga reshjet e shiut, impianti në Shkabaj është jashtë funksionit.

Sipas KRU-së, disa vende dhe lagje do të kenë furnizim të pjesshëm të ujit të pijshëm.


“Impianti i Trajtimit të Ujit në Shkabaj është jashtë funksionit, ngaqë niveli i turbullirës në kanalin e Ibrit vazhdon të jetë i lartë”, njofton KRU-ja.

Po ashtu, tregohet se lagjja Kalabria në Prishtinë e Obiliqi tashmë ka furnizim, derisa Fushë Kosova do të ketë ujë sipas orareve të përcaktuara, deri në stabilizim e gjendjes.

“Lagjja Kalabria në Prishtinë tashmë ka furnizim me ujë të pijshëm, përmes zgjidhjeve alternative. Po ashtu, Obiliqi, pjesa dërmuese tash për tash kanë furnizim me ujë, përmes zgjidhjeve alternative. Fushë Kosova do të ketë furnizim me ujë sot duke filluar nga ora 17:00-22:00 dhe nesër nga ora 06:00-09:00, deri në stabilizimin e situatës me turbullirë në kanal”, shton kompania.

“Drenasi është në pozicion jo të mirë, pasi që nuk ka ndonjë alternativë tjetër, përveçse ujin fillestar për trajtim në stacionin e pompave në Bivolak e merr direkt nga kanali i Ibër Lepencit. Autobotet janë të fokusuar në Drenas dhe Fushë Kosovë”, thekson KRU.

Në fund, kompania bën apel për shpenzimin racional të ujit.

“Apelojmë për shpenzim racional të ujit të pijshëm, që ujë të marrin edhe katet e larta të ndërtesave në zonat e lartcekura”, përfundon kompania. /Telegrafi/