LAJMI I FUNDIT:

Kronologjia e aferës që çoi në aktakuzën ndaj Agim Bahtirit

Kronologjia e aferës që çoi në aktakuzën ndaj Agim Bahtirit

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ditë më parë ka ngritur aktakuzë ndaj kryetarit të Mitrovicës Agim Bahtirit, shefit të Zyrës së Prokurimit në këtë komunë Haxhimet Ferati dhe Gazmend Kelmendit drejtori i degës në Kosovë të Operatorit Ekonomik HESALIGHT A/S.

Në një aktakuzën të cilën e ka siguruar KALLXO.com përshkruhet kronologjia e kontratës në mes të Komunës së Mitrovicës dhe Operatorit Ekonomik HESALIGHT A/S.


Në aktakuzën e përpiluar nga Prokurori Special i PSRK Agron Bajrami thuhet se lidhja e kontratës “Furnizimi montimi dhe mirëmbajtja e ndriçimit publik efecient në të gjitha rrugët e qytetit të Mitrovicës” është manifestuar më shkelje të njëpasnjëshme.

Aktakuza përshkruan se “Policia e Kosovës më datën 18 nëntor të 2015 ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës kallëzimin penal. Prokurori i PSRK-së më 02 shkurt 2016 ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe PSRK më 1 mars 2016 ka ngritur aktakuzë ndaj kryetarit të Mitrovicës dhe dy të tjerëve”

Në aktakuzë thuhet së gjithçka kishte nisur më 8 korrik 2014 kur HESALIGHT kishte paraqitur ofertën e parë me çmimin 688,751.00 euro dhe në këtë ofertë nuk ishte paraparë ndonjë shpenzim shtesë përfshirë ndonjë lloj të tatimit edhe pse me ligjet e aplikueshme në Kosovë mund të parashihen.

Në ofertën e dytë të datës 29 shtator 2014, kompania i kishte prezantuar Komunës së Mitrovicës një ofertë tjetër me produkte të njëjta por me çmim prej 642,377. 00 euro, duke mos e precizuar çështjen e tatimit.

Për më tepër, kësaj oferte i është bashkangjitur një tabelë e ofertës së parë jo me çmimin fillestar por me çmimin prej 878.846.00 euro ne emër të tatimit duke rritur ofertën për 190,095.00 euro.

Ndërsa në ofertën e tretë dhe finale të datës 15 dhjetor 2015 rezulton së HESALIGHT ofron këto produkte me çmimin prej 767. 940. 00 euro. Dhe të gjitha këto negociata nuk janë regjistruar me përputhje me udhëzuesin operativ të prokurimit publik.

Agim Bahtiri dhe Haxhimet Ferati dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa i akuzuari tjetër Gazmend Kelmendi, ka kryer veprën penale të marrëveshjes për kufizimin e konkurrencës përmes ftesave për tender .

Gazmend Kelmendi, drejtor i degës në Kosovë të këtij operatori ekonomik, ka paraqitur pran autoritetit kontraktues (Komunës së Mitrovicës) ofertë bazuar në një marrëveshje të kundërligjshme qëllimi i së cilës ishte që komuna e Mitrovicës ta pranonte ofertën e tillë duke e kufizuar konkurrencën e lirë, thuhet në aktakuzë.

Në këtë mënyre të tre të akuzuarit, sipas prokurorisë, me dashje në mënyrë të kundërligjshme kanë nënshkruar kontratën me titull “Furnizimi, montimi dhe mirëmbajtja e ndriçimit publik efecient në të gjitha rrugët e qytetit të Mitrovicës”, më 16 janar 2015, vlera e së cilës është 767,940.00 euro.

Prokuroria thotë se të akuzuarit kanë zbatuar procedurën e negocimit pa publikim të njoftimit për kontratë në kundërshtim me dispozitat ligjore duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës sa tërë shuma e çmimit të kësaj kontrate.

Prokuroria më Aktakuzë i ka propozuar Gjykatës që kontrata e lidhur në mes të Komunës së Mitrovicës dhe Operatorit Ekonomik HESALIGHT A/S, e dalë si rezultat i këtyre aktiviteteve të kundërligjshme të anulohet dhe të bëhet kthimi i pasurisë te Komuna e Mitrovicës e cila llogaritet si e dëmtuar në këtë aferë.

Edhe në njoftimin për komisionin rregullativ të prokurimit publik i lëshuar nga Komuna e Mitrovicës thuhet së garancioni për këtë punë do jetë 20 vjet ndërsa në kontratën e nënshkruar gradacioni është vetëm 10 vite.

Ndër të tjera, sipas deklaratave të të akuzuarve të përshkruara në aktakuzë, kryetari Bahtiri dhe dy të tjerët janë deklaruar së qëndrojnë prapa deklaratave të mëparshme të dhënë në Policinë e Kosovës dhe së ndihen të pafajshëm./Kallxo.com/