LAJMI I FUNDIT:

Kronika e zezë e Zi Ziut të Zezës

Kronika e zezë e Zi Ziut të Zezës

Mban mend Zi Ziu, se si kishte hequr të zitë e ullirit, për të mësuar tridhjetegjashtë shkronja të Alfabetit të gjuhës shqipe, të cilat dhe sot i duken të zeza. Një ditë kishte mësuar se shkronja Z radhitët e parafundit dhe kishte menduar se ajo është dashur të jetë e para. Qëkur erdhi në qytet kishte dëgjuar se shkronja Z në shumë gjuhë të huaja është fundit. Vet me veti mendonte se Alfabeti shqip ka mundur të radhisë shkronjën Z të parën. Kështu emri Zi do ishte i pari në çdo listë apo regjistër, kudo.

Shkronja Z, megjithëse radhitët në vendin e parafundit, në Alfabetin e gjuhës shqipe, në fshatin Zezë është e para. Çdo fjalë dhe vepër, në Zezë, fillon me shkronjën Z. Edhe ngjyra e zezë dominon në këtë fshat me emër të zi. As ky fakt nuk e trazon Zi Ziun, i cili vazhdon të fitojë para të zeza nga punë të zeza.


Ziu ëndërron të ketë ndonjë titull apo gradë eprori. Nuk thellohet shumë në histori. I kujton gradat e titujt selxhuk, por nuk e ka idenë se cili është më i lartë! Subashi, Bylykbashi, Harambashi, Koçabashi, Cilibashi apo Bimbashi dhe sikur i përzihet edhe UDB-ashi.

I kujtohen tituj e grada të tjera plot, por për të duken fare të pavlefshme. Nuk ia mbushin mendjen as emrat Pashai, Agai, Veziri, Myftari, Kadiu, Ispahiu, Myftiu, Efendiu…

Zi Ziu është inatzi i madh. E dinte se do ta përgojonin të gjithë zijoshët për martesën e djalit, që moti i kishte ikur nga shtëpia. E dinte që ai jeton pa dokumente në Gjermani. E dinte se çka po flasin të gjithë zijoshët.

I biri i Ziut ka të fejuarën tash sa vite në fshatin fqinj dhe s’ka si të bëjë dasmë pasi djali është shumë larg dhe pa dokumente. Mendoi me veti se më i zi nuk mund të bëhet dhe vendosi për të bërë dasmën pa dhëndër. Ishte herë e parë që në Zezë po bëhej dasmë pa dhëndër, gjë që nuk ishte dëgjuar ndonjëherë me parë. Inatziut as nuk i shkonte në mendje se është zijoshi i parë që bënë këtë marifet. Si inatzi që ishte po bënte dasmë pa dhëndër. Po bënte dasmë me krushq e tupanë, me nuse, por pa dhëndër. Po thërriste qindra veta dhe ata do të hanin e pinin në hotel dhe të gjithë po e dinin se nusja vjen kot, ngase dhëndëri nuk do jetë aty.

Zijoshët edhe ashtu nuk ndërprisnin kurrë përgojimet, por kësaj radhë po hapej një temë e re. E ngushëllonte vetën me faktin se fqinji i tij zijosh e detyroi gruan e vetë të bënte kurorë me një azilant të zi, vetëm që të siguronte letrat për të vajtur në Gjermani. E solli azilantin e zi nga Gjermania, para syve të gjithë zijoshëve dhe aty në ofiqarinë e Bashkësisë Lokale, me dëshmitarë e detyroi gruan e vet të heq dorë nga kurora dhe të linte pesë fëmijë. Gruaja e Ziut nënshkroi kurorë të re me një njëri edhe më të zi se Zi Ziu, sepse kështu po ia siguronte letrat tjetrit zijosh për të mbetur atje në Gjermani.

Dasma pa dhëndër ishte diçka që nuk kishte ndodhur në Zezë asnjëherë. Edhe këtë po e bënte i biri i Zi Ziut të Zezës, për të siguruar letrat e azilit në Gjermani. Nuk ka imagjinatë që mund të regjistrojë të zezat që janë të gatshëm t’i bëjnë zijoshët. Edhe shërbimet publike i kanë krejt të zeza. Aty në zyrën e vendit, për pak ryshfet shkurorëzojnë nënat e fëmijëve të tyre dhe i kurorëzojnë me shtetas të huaj, vetëm sa për të siguruar dokumente valide (false), siç thonë, atje ku zijoshët fatzi punojnë në të zezën.

U caktua edhe dita e dasmës. Sipas të traditës, për dasmë thirren të gjithë shokët, të afërmit e miqtë. Thirrën dhe paguan këngëtarë e këngëtare të njohura. Madje këngëtarët kënduan edhe këngë patriotike. Nuk mungoi as shkrehja e armëve. Dy këngëtare të njohura argëtuan gratë e Zezës me bija. Krushqia nuk bënte asnjë përjashtim. Të gjithë po mendonin se dhëndri, së paku atë ditë do jetë aty. Po pritja shkoi huq dhe dhëndëri nuk u pa askund.

Ai nuk erdhi as nënte muaj pas hyrjes se nuse-zezës në dhomën e martesës. Vasha që kishte pretenduar se po martohej kishte kaluar net të tëra pa gjumë, duke shpresuar se zezoshi do të vinte një dite. I ati i Fatziut po kalonte muaj të tërë duke mbyllur veshët për të mos dëgjuar fjalët e zeza, që përhapeshin çdo ditë në katundin Zezë.

Kaloi edhe dasma me muzikë tupanësh. Ziut nuk i hiqej nga mendja nusja fatzezë që po “martohej” për askënd. Edhe kur heshtë Zeza, përbrenda zien zi, në çdo shtëpi zezoshës. Atëherë kur përgojimet kishin arritur kulmin, pas plot nëntë muajve, vjehrri i nuses ktheu vajzën tek i ati, pa martuar fare, megjithëse miq e shokë zijoshë kishin marr pjesë në dasmë, kishin kënduar e vallëzuar, kishin ngrenë e pirë gjithë të mirat deri në mëngjes, po pa dhëndër.

Zi Ziu nuk qetësohej lehtë nga përgojimet e zijoshëve, por vetën e qetësonte me të bëmat e zeza të zijoshëve të tjerë të Zezës. E ngushëllonte vetën me të zeza tjera edhe më të errëta që kishin bërë zijoshët para tij. Megjithatë ky ishte i pari që po bënte dasmë pa pasur djalin aty. Dhe, jo pak, djali ishte mbi dymijë kilometra larg, në Gjermani.

Ziu mbante mend mirë mikun e tij i cili pat dërguar vajzën në Sofje, ku duhej të vinte një djalë për ta parë dhe për ta pëlqyer. Djali erdhi, por nuk e pëlqeu. Kështu vajzën e kthyen me lot në sy në vendlindje. Zi Ziu si edhe shumë zijosh të tjerë kanë kontrabanduar vajza të reja në tregun e prostitucionit dhe ua kanë shkatërruar jetën duke u premtuar viza qëndrimi në shtetet perëndimore. Mban mend Ziu se si vajza e Zemërziut kishte bërë vetëvrasje pas një aventure poshtëruese në Perëndim. Po Ziu nuk e ka dertin e të zezave për të cilat njihet Zeza.

Ziu mendon vetëm për fitim. As dështimet nuk ia nxijnë fytyrën e tij të zezë. Ziut akoma i besojnë njerëzit, dhe ai gjen viktima të reja. Kujtonte Ziu se si kusheriri i tij ziosh kishte shkuar në Gjermani shumë më heret me nusen e re. Ai kishte ardhur disa herë me veturë të zezë në Zezë, sa për të shitur mend, se si po jeton në Gjermani, dhe si po i kalon pushimet në bregdet.

Askush nuk guxonte ta pyeste se çka punon atje, derisa një ditë, gazetat kishin nxjerrë në faqe të parë foton e zijoshit. Zemërziu kishte shitur bashkëshorten e tij për dhjetëmijë DM. Zijoshët e njohin njëri tjetrin me të gjitha të zezat e tyre, por ato nuk bëhen pengesë për të gatuar të zezat tjera në kokën e tyre. Zi Ziu nuk është me i zi se Galani që ka trafikuar shumë vasha të Zezës.

Edhe opingaxhiu i Zezës kishte qenë bashkëpunëtor i një agjencioni që trafikonte zezosh në Perëndim dhe me para të zeza ia kishte dal të blejë Benz të zi.

Kronika e të zezave të zijoshëve nuk ka fund. Muli mu pse ishte nga Zeza, qe martuar në moshë të shtyrë. Kahrimani, kushëri, moshatar i Mulit, kishte të fejuar një vajzë të mitur në fshatin Zallinë. Kahrimani duhej te priste që të rritej ajo. Ditët e vitet i dukeshin krejt të zeza Kahrimanit. Një natë të zezë pa hënë, Kahrimani vet, me dy dajë, veshur me havale te zeza, mësyn shtëpinë e vajzës në Zallinë, për ta rrëmbyer me dhunë. U përvodhën nga dritarja, në katin e dytë ku flinte vajza. Posa hyri njeri dajë në dhomë, vajza briti me të madhe sa e dëgjuan, jo vetëm familja, por edhe gjithë lagjja. U dëgjuan krisma armësh.

Daja i Kahrimanit mbeti i vrarë, ndërsa ai me dajën tjetër ia dolën të largohen nëpër errësirën e zezë. U bë bela e dyfishtë. Në një anë daja i vrarë, ndërsa në anën tjetër ishte prishur rëndë miqësia me familjen e vajzës se fejuar. Miqtë kërkonin hakmarrje tjetër, por edhe prishjen e fejesës. Kahrimani tuboi shumë pleq të zi nga Zeza dhe i dërgoi për pajtim. Burrat gjeten një zgjidhje të zezë të kësaj belaje. Daja i vdekur u la fajtor dhe gjakhumbur, ndërsa Kahrimani mund ta merrte vajzën pasi të sjellë pajën e duhur.

Kahrimani më vonë bisedoi me Mul Ziun, i cili qe martuar kohë më parë dhe prej tij mori hua gjithë çejzin e nuses. Mulit nuk i erdhi mirë, por duke parë belanë e madhe, ia huazoi pajën e nuses. Kështu, Gala e Zallinës erdhi nuse në Zezë me njëqind te zeza.