LAJMI I FUNDIT:

Kriza e kuadrove në Universitetin e Prishtinës, 45 studentë “ndjekin” një profesor

Kriza e kuadrove në Universitetin e Prishtinës, 45 studentë “ndjekin” një profesor

Universiteti më i madh publik në Kosovë, “Hasan Prishtina,  aktualisht i ka 42 mijë studentë dhe 930 anëtarë të stafit akademik, që sipas përllogaritjeve i bie një profesor për 45 studentë.

Përderisa Kosova me Planin Strategjik të Arsimit parasheh që ky përpjesëtim deri në vitin 2021 duhet të jetë 1 profesor për 40 studentë (1:40). Ky synim, është nëse arrihet siç është planifikuar, prapë e lë Kosovën shumë mbrapa vendeve të tjera evropiane dhe atyre rajonale. Në Shqipëri ky raport është një profesor me gjashtëmbëdhjetë studentë (1:16), kurse në Mal të Zi 1:15, ndërkaq në Austri 1:7 .


BIRN ka analizuar të dhënat për numrin e profesorëve ndër vite, duke parë punësimet e reja dhe pensionimin e një pjesë të profesorëve. Të dhënat tregojnë se Universiteti i Prishtinës ka më pak staf akademik se 5 vite më parë.

Në vitin 2012/2013 UP, numri i personelit akademik në UP ka qenë 1,044 , ndërsa në vitin 2013/14, UP-ja ka pasur 1,068 personel akademik, apo 24 më pak.

Ndërkohë krijimi i universiteteve të reja publike ka bërë që shkollat e larta që kanë qenë nëpër qendrat kryesore të Kosovës e që kanë qenë pjesë të UP’së të ndahen dhe kështu është ndarë edhe një pjesë e stafit akademik, gjë që ka bërë që në vitin 2014/15 numri i personelit akademik të UP’së te bie ne 1007, llogaritur në përqindje i bir një zbritje prej 6% të stafit akademik në krahasim me vitin akademik paraprak.

Pastaj,  në vitin 2015/16 u nda edhe Fakulteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj nga UP, dhe nga 1007 pjesëtarë të stafit akademik që kishte vitin paraprak UP’ja, ky numër ra ne 959 që i bie se kishte zbritje prej 5%.

Nga 959 staf akademik qe kishte UP’ja gjate vitit akademik 2015/16, ky numër ra për 15 apo në 944 ne vitin akademik 2016/17 e që ne përqindje i bie të ketë pasur 2% zbritje.

Kjo zbritje ka vazhduar edhe gjatë vitit 2017/18, ku nga 944 pjesëtarë te stafit akademik  sa kishe vitin paraprak numri ra ne 899, e qe i bie 5% zbritje ose 45 me pak staf akademik. Kurse, së fundmi UP ka pranuar edhe 31 personel akademik dhe numër ka shkuar në 930.

Janë disa faktor që kanë ndikuar në këtë rënie të numrit të stafit akademik, e që nuk lidhet vetëm me mungesë të personave të kualifikuar për t’i marrë këto pozita.

Këto mungesa të mësimdhënësve në UP, me vite janë “arnuar” duke angazhuar bashkëpunëtorë të jashtëm (të cilët paguhen gjysmë për gjysmë në krahasim me stafin e rregullt ose me mbinormat e mësimdhënësve e asistentëve të rregullt.

Arnimi i UP-së me bashkëpunëtor

Rektori i këtij universiteti, Marjan Dema e pranon se ka mungesë të stafit të rregullt akademik. Që kjo gjendje të zbutet rektori Dema thotë se UP ka nevojë për mbi 100 ligjërues për mbulimin e programeve studimore, ashtu siç parashihen në Plani Strategjik të UP-së.

Ai ka treguar se në fund të vitit 2018 numri i stafit të rregullt akademik në Universitetin e Prishtinës ka qenë 930. Por, UP-ja ka qenë në proces të angazhimit të stafit të ri përmes një konkursi publik.

Gjendja më shqetësuese është në programet më vitale të këtij universiteti.

“Në disa njësi akademike numri i stafit akademik të angazhuar është më i madh se numri i stafit të rregullt. Por, disa fakultete qëndrojnë më dobët se të tjerat, si p.sh.: Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë, Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, etj”, ka theksuar Dema.

Përveç mungesës së financave që është faktori kryesor për mungesën e ligjëruesve në Universitetin e Prishtinës, tjetër faktor është edhe mungesa e kuadrove në disa programe të veçanta, si: energjetika, bujqësia, sporti, e të tjera, ka edhe mungesë të kuadrove.

“Ne kemi punuar intensivisht në zbutjen e mungesës se stafit akademik, në mënyrë që procesi mësimor t’i plotësoj të gjitha standardet e cilësisë. Për këtë, ne si menaxhment, jemi në konsultime edhe me organet vendimmarrëse qeveritare për lejimin e më shumë vendeve të punës për staf akademik. Ndërkaq, aktualisht, janë pikërisht konkurset e fundit për staf akademik, të cilat janë në proces, ato që do të kenë influencën e tyre në reduktimin e mungesës së mësimdhënësve në UP”, ka shtuar Dema.

Njohësi i arsimit, Dukagjin Pupovci duke e komentuar mungesën e stafit akademik të këtij universiteti thotë se kjo ndikon në cilësinë e realizimit të programit mësimor.

“Nëse profesori ka numër të madh të studentëve, atëherë ligjëratat do të jenë frontale, me mundësi shumë të kufizuara për diskutim dhe këshillime individuale”, ka thënë Pupovci.

Me një numër kaq të madh të studentëve, sipas Pupovcit, një profesor e ka të pamundur që të t’u jep studentëve detyra seminarike, sepse nuk ka kohë të mjaftueshme për t’i kontrolluar.

Proporcioni profesor/student ndikon edhe në mënyrën e hartimit të testimit, e kjo e stimulon mos-leximin.

“Vlerësimin e studentëve e realizon përmes testeve që nuk i motivojnë studentët të mësojnë nga literatura, por i motivon të mësojnë nga përmbledhjet e pyetjeve të afateve të mëhershme. Këto janë disa arsye pse përpjetimi profesor-student është me rëndësi”, ka thënë ai.

Pupovci thotë se asnjëherë nuk duhet të mbyllet mundësia për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm në procesin mësimor, sepse ata janë njerëz që e sjellin përvojën praktike dhe, shpesh, ekspertët më të mirë të fushës së caktuar.

Një mësimdhënës i rregullt, kushton sa tre bashkëpunëtor të jashtëm

“Këtu duhet marrë parasysh se bashkëpunëtorët e jashtëm, nëse nuk janë pensionistë, kanë edhe angazhime të tjera, prandaj edhe nuk mund t’i përkushtohen punës me studentë në masë të njëjtë si stafi i rregullt. Prandaj, atyre duhet t’u jepen më pak orë mësimore dhe, mundësisht, të angazhohen për mbajtjen e lëndëve më specifike, që kërkojnë kualifikime që mungojnë në UP”, ka shtuar ai.

Edhe nëse arrihet që me Planin që deri në vitin 2021, përpjesëtimi të jetë 1:40, Pupovci thotë se prapë nuk Kosova mbetet larg prej standardit të vendeve të rajonit.

“Në rastin e UP-së, nëse numri i studentëve mbetet ky që është tani (~ 42,000), krahas 900 anëtarëve ekzistues të stafit akademik do të duhej të punësohen edhe 150 të tjerë që përpjesëtimi të jetë 1:40. Edhe me këtë përmirësim do të jemi prapa vendeve evropiane – në Shqipëri ky raport është 1:16, në Mal të Zi 1:15, ndërkaq në Austri 1:7. Prandaj, duhet të synohet që, në periudhën 2021-2026 ky përpjesëtim të “zbutet” në 1:25 që kërkon rreth 1,700 staf akademik të rregullt. Gjithnjë po flas me supozimin se numri i studentëve do të mbetet 42,000, pasi nuk pritet që interesimi për studime do të zvogëlohet”, ka theksuar ai.

Pupovci mendon se shkak për mos rritjen e stafit është mungesa e mjeteve financiare.

“Mjetet financiare ekzistuese janë të pamjaftueshme për rritje të stafit akademik të rregullt. Meqë pagat në universitet janë mjaft të larta, një mësimdhënës i rregullt, i cili mban 6 orë mësimi në javë, kushton sa tre bashkëpunëtorë të jashtëm  me po këtë ngarkesë të orëve”, ka thënë ai.

Rregullorja për rekrutimin e stafit akademik në marrëdhënie të rregullt të punës përcakton krijimin e marrëdhënies së  punës me kontratë  të rregullt ndërsa Rregullorja për rekrutimin e bashkëpunëtoreve të  jashtëm përcakton angazhimin e stafit akademik jashtë UP-së  vetëm me afat të caktuar: një semester apo maksimum dy semestra.

Shqetësim tjetër sipas profesorit Pupovci është mungesa e stafit akademik të kualifikuar.

“Mund të duket paradoksale, por në Kosovë, për shumë fusha ka pak njerëz të kualifikuar dhe ndodhë që konkurset të dështojnë ose të përfundojnë me pranimin e njerëzve që nuk kanë kualifikime të duhura”, është shprehur Pupovci.

Më shqetësuese sipas Pupovcit, janë rastet kur vendet e lira nuk shpallen për ndonjë interes tjetër, p.sh. që dikujt t’i sigurohen orë me honorar ose i ruhet vendi dikujt derisa ta fitojë kualifikimin e duhur.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, gjatë vitit të kaluar ka pasur të akredituara dhe në implementim 143 programe studimore prej tyre 65 në studimet ‘Bachlor’, 57 në studimet Master, 17 në studimet e doktoratës dhe 4 programe në studimet e integruara.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë, i Agjencisë së Kosovës për Akreditim në mbledhjen e saj të 61-të të mbajtur me 15 dhe 16 janar të këtij viti, shqyrtoi Aplikacionet për Akreditim dhe Ri-akreditim të Institucioneve të Arsimit të Lartë për vitin akademik 2019/2020.

Pas shqyrtimit të kërkesave dhe verifikimit të stafit akademik, KSHC aprovoi për hyrje në proces të vlerësimit 104 programe të studimit, mes tyre 53 programe në Institucione Publike dhe 51 programe në Institucione Private të Arsimit të Lartë, për trajtim të mëtutjeshëm.

Ndërsa, refuzoi aprovimin e 107 programeve të studimit, ku 28 prej tyre nga Institucionet Publike, dhe 79 të tjera nga Institucionet Private të Arsimit të Lartë, të cilat kanë dështuar të përmbushin kriteret e përcaktuara me Udhëzimin Administrativ për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë në Kosovë.