Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kritikuar ashpër Gjykatën Kushtetuese për vonesat dhe ndërhyrjet në proceset institucionale dhe qeveritare, duke e quajtur atë “hije politike e opozitës”.

Gjatë mbledhjes së 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, Kurti tha se nga katër muaj e gjysmë që kur ka nisur seanca për konstituimin e Kuvendit, tre muaj janë humbur për shkak të zvarritjeve të Gjykatës Kushtetuese.


Ai theksoi se ndërhyrja e fundit, përmes një mase të përkohshme pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, u bë me kërkesë të Listës Serbe dhe është e pajustifikueshme.

“E vetmja dilemë është nëse kjo masë 25-ditore është më shumë absurde apo më shumë e dëmshme. Por që është edhe absurde edhe e dëmshme, nuk kam dyshim,” u shpreh Kurti.

Sipas tij, opozita, në vend të marrëveshjes politike dhe bashkëpunimit institucional, ka ndjekur rrugën e bllokadës përmes Gjykatës Kushtetuese.

Kurti rikujtoi se pesë nga shtatë gjyqtarët e kësaj gjykate janë emëruar në vitin 2018, gjatë qeverisjes së koalicionit PAN me mbështetjen e Listës Serbe, dhe se kjo përbën një ndikim të vazhdueshëm politik në vendimet kushtetuese.

Ai gjithashtu kujtoi raste të mëparshme ku, sipas tij, Gjykata ka penguar reformat e qeverisë, përfshirë rrëzimin e ligjit për vendosjen e çmimit tavan të produkteve bazë, që Kurti e cilësoi si “ditën më të pikëlluese” në detyrën e tij si kryeministër.

“Kjo nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese vonon, zvarrit dhe qëllimisht dëmton procese të rëndësishme për qytetarët e Kosovës,” tha Kurti, duke shtuar se përkundër sfidave Vetëvendosje
do të vazhdojë të mbrojë institucionet dhe të punojë për interesa të qytetarëve. /Telegrafi/