LAJMI I FUNDIT:

Krejt çka ndodhi dhe u tha sot në takimin Kurti-Vuçiq në Bruksel

Krejt çka ndodhi dhe u tha sot në takimin Kurti-Vuçiq në Bruksel

Jo i lehtë është vlerësuar takimi i parë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, në kuadër të rifillimi të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Takimi i së martës sipas protagonistëve është përshkruar me tensione, megjithatë u tha se është i rëndësishëm mbajtja e këtij takimi, shkruan Telegrafi.


Në takimin e ndërmjetësuar nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pala kosovare dhe ajo serbe paraqitën qëndrimet e tyre për agjendën e dialogut, por që nuk arritën ndonjë pajtim.

Pas takimit të mbajtur, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tregoi se çfarë u diskutua, duke thënë se nuk janë pajtuar për agjendën e dialogut të ri.

Kurti para mediave potencoi se në takim kanë shprehur qëndrimin kritik për procesin dhe marrëveshjet e deritanishme.

“Shprehëm gatishmërinë tonë për dialog konstruktiv për njohje të ndërsjelltë. Takimi i radhës do të mbahet para pushimit të verës që nis me 25 korrik. Nuk u pajtuam për agjendën e dialogut të ardhshëm”, pohoi ai.

Propozimet e bëra nga kryeministri Kurti në takim:

1. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.

2. Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty.

3. Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.

4. Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq.

Kurse, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq deklaroi se kanë rënë dakord për të vazhduar dialogun deri në fund të korrikut.

“U ra dakord për të vazhduar dialogun deri në fund të korrikut dhe shpresoj se kjo është një gjë e rëndësishme, e cila mund të garantojë ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dhe gjithçka tjetër do të ishte e panevojshme për t’u komentuar”, deklaroi ai para mediave.

Por, siç ka pretenduar ai, “delegacioni i Prishtinës nuk dëshiron të përmbushë marrëveshjet e nënshkruara dhe nuk dëshiron të diskutojë mbi Bashkimin e Komunave Serbe”.

“Ata kërkuan urgjentisht dhe menjëherë për të dëgjuar se kur do ta njohim pavarësinë e Kosovës”, ka thënë më tej Vuçiq.

Ndërkaq, përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka deklaruar se takimi i mbajtur në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk ishte i lehtë.

“Nuk ishte takim i takim i lehtë, por është shumë e rëndësishëm që ndodhi. Të dy liderët ishin të hapur se çfarë duan nga dialogu. Ajo që është e rëndësishme për BE-në, është se të dy liderët konfirmuan se nuk ka tjetër rrugë përveç normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe të dy u zotuan se do të punojnë në normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut”, u shpreh Lajçak.

Kurse, Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Joseph Borell pas takimeve që ka pasur ndaras me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, yha se dialogu është rruga drejt së ardhmes e të dyja palëve.

“Jam nikoqir i një takimi të ri të dialogut Beograd-Prishtinë, të nivelit të lartë Beograd-Prishtinë sot me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq dhe kryeministrin Albin Kurti. Dialogu dhe rezultati nga dialogu është rruga drejt së ardhmes evropiane të të dy palëve. Ndërkohë, (dialogu u deritanishëm) solli rezultate të rëndësishme për qytetarët e tyre”, deklaroi Borell përmes një postimi në Twitter.

Reagimet në Kosovë pas takimit Kurti – Vuçiq

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti për takimin e sotëm me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Sipas Haradinajt, Kurti ka dështuar në procesin e dialogut, duke theksuar se qasja e tij nuk do të sjellë rezultate dhe se është e rrezikshme për vendin.

“Është e habitshme, pse njohja e Kosovës nuk është prioritet i tij. Prioritet i parë i tij na qenka shndërrimi i CEFTA-s në SEFTA. Qesharake. Ashtu si edhe prioriteti i dytë, marrëveshja për paqe mes dy vendeve, e po ashtu edhe qasja për të pagjeturit. Njohja reciproke është i vetmi rezultat që i duhet Kosovës nga ky dialog. Njohja nënkupton edhe paqen, edhe statusin më të avancuar ekonomik, por edhe hap shtigje për zbulimin e të vërtetës për të pagjeturit”, ka theksuar Haradinaj.

Në anën tjetër,  Partia Socialdemokrate ka organizuar në Prishtinë një aksion simbolik në ditën kur në Bruksel për herë të parë u takuan kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në kuadër të procesit të dialogut.

Aktivistët e PSD-së në sheshin “Zahir Pajaziti” kanë vendosur një baner me fotografinë nga takimi i sotëm në Bruksel, krahas mbishkrimit se ky është një “lajm i rremë”, duke iu referuar kështu deklarimeve të mëhershme të Kurtit se nuk do të ketë takime pa kërkuar falje Serbia.

“Kjo është montazh, ky takim nuk ka ndodhur Fake News, Albini nuk e kërkon Vuçiqin pa kërkuar falje Serbia”, ishte mbishkrimi në baner.

Kurse,  ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Visar Ymeri ka theksuar se dyshon për qëllimet  e vërteta të Kurtit dhe Vuçiqit në përplasjen e Brukselit.

“Kam frikë se ajo që ndodhi sot në Bruksel ishte më shumë pozicionim politik i politikanëve se i shteteve. Kjo u bë për konsum të brendshëm për shkak të zgjedhjeve që kanë Kurti në Kosovë e Vuçiqi në Serbi”, ka deklaruar Ymeri.

Vlen të ceket se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Ky proces, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, është thënë se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

SHBA-ja, gjatë administratës së Donald Trumpit kishte emëruar Richard Grenellin të dërguar të presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi.

Në kuadër të përpjekjeve amerikane për normalizimin e marrëdhënieve, më 4 shtator, 2020, në Shtëpinë e Bardhë u arrit një marrëveshje për normalizimin ekonomik mes dy shteteve. Kjo marrëveshje, veç tjerash, parasheh disa projekte infrastrukturore, siç janë linja ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit, autostrada mes dy shteteve dhe lidhjet hekurudhore. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Asambleja Parlamentare voton pro anëtarësimit të Kosovës në KiE - tani çështja kalon në duart e ministrave të Jashtëm

Asambleja Parlamentare voton pro anëtarësimit të Kosovës në KiE - tani çështja kalon në duart e ministrave të Jashtëm

Lajme
Vuçiq për Kosovën: Vështirë për gjithçka, situata po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar

Vuçiq për Kosovën: Vështirë për gjithçka, situata po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar

Lajme
Deputeti ukrainas mbështet anëtarësimin e Kosovës më KiE, e thotë në shqip: Kosova është Evropë

Deputeti ukrainas mbështet anëtarësimin e Kosovës më KiE, e thotë në shqip: Kosova është Evropë

Lajme
Deputetja turke në Asamblenë Parlamentare të KiE-së: Jam me prejardhje nga Kosova, e mbështes me zemër anëtarësimin

Deputetja turke në Asamblenë Parlamentare të KiE-së: Jam me prejardhje nga Kosova, e mbështes me zemër anëtarësimin

Lajme
Votimi PËR anëtarësimin e Kosovës në KiE, reagon Kurti

Votimi PËR anëtarësimin e Kosovës në KiE, reagon Kurti

Lajme
Bujar Osmani:

Bujar Osmani: "Ballkani i Hapur" është iniciativë e Shqipërisë, me qëllim pajtimin në mes Kosovës dhe Serbisë

Politikë
Kalo në kategori