Rrënimi nga autoritetet kosovare i disa shtëpive, të ndërtuara pranë Liqenit të Ujmanit, në veriun e banuar me shumicë serbe në Kosovë, u kundërshtua nga pronarët e tyre, ndërsa nxiti edhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

Pluhur në këtë rast nuk çoi aq çështja e pronës, sa ajo nëse u përfill ligji në rrënimin e shtëpive, që u tha se ishin bërë pa leje. Sipas ekspertëve me të cilët foli Radio Evropa e Lirë (REL), rrënimi duhet të ndodhë vetëm pasi të jenë shterur të gjitha procedurat e nevojshme ligjore.


Shtëpitë ishin ndërtuar në tokë publike, e cila administrohet nga Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”.

Të drejtat pronësore

Korab Dibra, ekspert ligjor për çështje pronësore, shpjegon për REL-in se neni 23 i Ligjit për Pronën Publike shprehimisht përcakton se në pronat në pronësi publike nuk mund të fitohet pronësia përmes parashkrimit fitues, si dhe me ndërtimin e objektit në kundërshtim me legjislacionin përkatës që rregullon të drejtën e ndërtimit dhe ndërtimin.

“Kjo dispozitë e përjashton mundësinë e fitimit të pronësisë në pronën publike, nëse është ndërtuar pa leje, qoftë edhe me aplikim për legalizimin e ndërtimeve pa leje”, thotë Dibra.

Sipas drejtorit të ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka, të dhënat e mbledhura treguan se shumica e këtyre shtëpive ishin ndërtuar gjatë viteve 2019-2020.

Kjo e përjashton mundësinë e legalizimit të tyre në bazë të Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve Pa Leje, i cili ka hyrë në fuqi në shtatorin e 2018-tës, sipas Dibrës.

Dibra thekson se, në kuptim të ligjit, edhe ndërmarrja “ka të drejtë dhe detyrim ligjor ta mbrojë pronën që administron ndaj çdo cenimi të paautorizuar nga palët e treta”.

Këtë e kishte cekur edhe vetë Mujka këtë muaj, gjatë një diskutimi publik, kur kishte thënë se “Ibër-Lepenci” e ka detyrim ligjor të mbrojë pronën që administron.

A u shpërfill ligji në rrënimin e shtëpive?

Ndër ankesat kryesore në këtë çështje, si nga pronarët, ashtu dhe nga bashkësia ndërkombëtare, ishte se autoritetet kosovare nuk respektuan procedurat ligjore.

Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë tha të mërkurën se veprimi i institucioneve të Kosovës u ndërmor në kohën kur banorët kishin nisur procedura gjyqësore brenda afatit 15-ditor, të përcaktuar në njoftimet e “Ibër-Lepencit”.

Qëndrimin e bllokut e ndanë edhe Ambasada britanike dhe ajo e Gjermanisë në Prishtinë.

Avokati i pronarëve të shtëpive të rrënuara, Predrag Millkoviq, thotë për REL-in se çështjen e kishte çuar në Gjykatën Themelore në Mitrovicën e Veriut javën e kaluar, por se nuk kishte pranuar vendim deri të enjten, pra tri ditë pasi autoritetet kishin nisur rrënimin.

Kërkesa e pronarëve për masë të përkohshme mbrojtëse u hodh poshtë nga gjykatatë enjten.

“Në vendim thuhet se nuk kemi dëshmuar ekzistimin e së drejtës subjektive për domosdoshmërinë dhe urgjencën e masës. Por, gjithçka tashmë është rrënuar, ndonëse kjo është dashur të bëhej përmes procedurës gjyqësore: të parashtrohej padia, dhe pastaj, eventualisht, rrënimi të vendosej pasi të merrej aktgjykimi”, thekson Millkoviq.

Ai shpjegon se “Ibër-Lepenci” i kishte njoftuar klientët e tij, përmes një paralajmërimi, se duhej t’i lëshonin shtëpitë për shkak të rrënimit, pa ndonjë urdhër gjyqësor apo shpjegim se në bazë të cilit ligj kërkohej një gjë e tillë.

“Kur filluan rrënimin të hënën, njerëzit kërkuan urdhër. Ata u thanë: ‘Do ta merrni, vetëm largohuni’. Por, nuk mund të funksionojë kështu”, nënvizon Millkoviq.

Eksperti ligjor Dibra shpjegon se ligji përcakton se organi kompetent nuk mund ta kryejë rrënimin, nëse kërkesa për legalizim është ende në shqyrtim, nëse ankesa është ende në shqyrtim, dhe nëse objekti është në listën e pritjes.

“Kjo do të thotë se procedura administrative duhet të përfundojë përpara ekzekutimit të vendimit, përveç rasteve kur ligji tjetër parashikon ndryshe”, thekson Dibra.

Ligji nuk autorizon “Ibër-Lepencin”, ose ndonjë ndërmarrje publike, ta rrënojë vetë objektin. Rrënimin e kryen organi kompetent, i cili, sipas ligjit, është komuna, për ndërtimet e kategorisë I dhe II, si dhe ministria përgjegjëse, për ndërtimet e kategorisë III.

Shtëpitë dhe vilat hyjnë në kategorinë I të ndërtimeve, dhe për lëshimin e lejeve të ndërtimit dhe rrënimit të tyre është kompetente vetëm komuna, shpjegon Dibra.

As Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, as Inspektorati i saj - i cili me ndihmën policisë nisi rrënimin e shtëpive - nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it lidhur me procedurat ligjore dhe vendimin për rrënimet.

Institucionet nuk lëshuan as ndonjë njoftim publik lidhur me rrënimet.

Nuk është e qartë nëse autoritetet kanë marrë vendim të gjykatës në këtë rast, por ato kanë refuzuar të tregojnë nëse posedonin një të tillë kur filluan rrënimet të hënën.

Rrënimi i ndërtimeve pa leje në Kosovë

Rrënimet e kësaj jave buzë Ujmanit – liqenit jetik të Kosovës për furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë elektrike dhe ujitjen – nuk janë diçka e re në Kosovë.

Në të kaluarën ka pasur rrënime edhe në pjesë tjera të vendit, si për shembull në fshatin Orllan të Podujevës, më 2023.

Asokohe, zyrtarët kishin thënë se rrënimi përfshinte tetë objekte pa leje, të ndërtuara në zonën e dytë mbrojtëse në Orllan, dhe se ai u krye pasi lëndët për to kishin kaluar nëpër të gjitha instancat shtetërore, përfshirë edhe gjykatat.

Ndërkohë, këtë javë, Komuna e Prishtinës e rrënoi një shtëpi në “Rrugën A” në kryeqytet, për të cilën kryetari Përparim Rama tha se ishte ndërtuar pa leje në pronën e saj.

Pronari kishte kundërshtuar rrënimin, dhe të enjten u ankua se ajo po rrënohej pa ndonjë vendim gjykate.