LAJMI I FUNDIT:

Krasniqi takoi përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, flasin për dialogun Kosovë-Serbi

Krasniqi takoi përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, flasin për dialogun Kosovë-Serbi

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi takoi përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës, ndërsa këta të fundit theksuan kërkesat e tyre për zgjidhjen e shumë problemeve me të cilat ata përballen në vazhdimësi.

Në takime të ndara, ai ka pritur kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, si dhe kryetarin e Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, të shoqëruar nga nënkryetarja e Partisë për Veprim Demokratik, Ardita Sinani dhe deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Fatmir Hasani.


Në këto takime, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës kanë shprehur kërkesat e tyre për zgjidhjen e shumë problemeve me të cilat ata përballen në vazhdimësi.

Ata theksuan se situata në Luginë është e rëndë dhe se qytetarët përballen me vështirësi të shumta.

Përfaqësuesit e Luginës vlerësuan lartë faktin që Kosova po e diskuton me prioritet gjendjen e tyre dhe gatishmërinë që çështja e shqiptarëve në Luginë të jetë një prej temave qendrore në Bruksel në dialogun Kosovë – Serbi.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, vlerësoi përpjekjet e faktorit politik në Luginë për realizimin e kërkesave të qytetarëve shqiptarë në atë trevë.

Krasniqi konfirmoi mbështetjen e PDK-së për kërkesat legjitime të tyre dhe theksoi se Kuvendi i Kosovës e ka obligim që ta marrë vendime për fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi dhe në këtë diskutim ta përfshijë edhe çështjen e Luginës së Preshevës.

Kjo, tha ai, mund të bëhet edhe përmes një rezolute që merr parasysh vullnetin e qytetarëve të Luginës e që do të duhej të përkrahet nga të gjitha subjektet politike parlamentare në Kosovë. /Telegrafi/