LAJMI I FUNDIT:

Krasniqi: Oda e Afarizmit zëri më i fuqishëm i përfaqësimit të interesave të bizneseve

Krasniqi: Oda e Afarizmit zëri më i fuqishëm i përfaqësimit të interesave të bizneseve

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka mbajtur Kuvendin e Rregullt të punës, ku u prezantuan aktivitetet, të arriturat dhe raporti financiar i OAK-së për vitin 2018, me ç’rast u miratuan edhe plani i punës dhe buxheti për këtë vit.

Kryetari i Bordit të OAK-së, Skënder Krasniqi, falënderoi bizneset për praninë e tyre duke i njoftuar se Oda e Afarizmit të Kosovës, falë bashkëpunimit të ndërsjelltë me bizneset ka arritur që të jetë odë kredibile dhe zëri më i fuqishëm i përfaqësimit të interesave të tyre.


“Duke marrë pjesë në instancat më të larta të qeverisë si Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik dhe legjislativ në të gjitha komisionet e Kuvendit të Kosovës, OAK është duke u angazhuar që zëri juaj të jetë në çdo institucion për të përmirësuar ligjet dhe klimën e të bërit biznes”, shtoi më tej Krasniqi.

Ndërsa arkatari i OAK-së, Hamdi Malushaj, në një fjalim rasti tha se aktualisht jemi në një situatë ku popullit i është luhatur besimi i të jetuarit në vend, dhe shkaktar kryesor i kësaj gjendje është ngecja e zhvillimit ekonomik.

Malushaj tha biznesi është shtylla kryesore e zhvillimit të vendit, andaj biznesi i organizuar do të shndërrohej në partner të fortë të qeverisë, dhe do të kontribuoj që vendi të ndryshoj në aspektin pozitiv.

Anëtari i OAK-së, Hysni Zogaj theksoi se që nga themelimi Oda e Afarizmit të Kosovës ka vizituar një pjesë të madhe të bizneseve në Kosovë, duke punuar shumë për të gjitha bizneset pa dallim a është biznes i madh, i mesëm apo i vogël, dhe duke lobuar fortë për problemet e tyre.

Zogaj luti bizneset që të bashkohen për luftimin e së keqes dhe të drejtat e tyre.

Udhëheqja e Kuvendit të punës u bë nga nënkryetari i bordit të OAK-së, Arsim Selmonmusaj.

Kurse, sekretari i bordit, Diamant Elshani, para bizneseve anëtare të OAK-së, prezantoi punën e odës përgjatë vitit 2018, ku u raportua mbi takimet e shumta me bizneset, institucionet vendore, ambasadat në Kosovë, investitorët e huaj, trajnimet për bizneset anëtare, shërbimet dhe një pjesë e madhe e aktiviteteve të realizuara.

Sipas një komunikate të OAK, u prezantua edhe planifikimi i aktiviteteve për këtë vit, buxheti për këtë vit si dhe të hyrat dhe aktivitetet që Oda e Afarizmit të Kosovës planifikon të sjell përmes planit të punës.

Nënkryetari i Bordit të OAK-së, Arsim Selmonmusaj, i hodhi në votim të gjitha këto pikat, ku të gjitha propozimet u aprovuan unanimisht.

Në fund të takimit u shpërndanë çertifikata për bizneset anëtare dhe u organizua një koktej rasti. /KP/Telegrafi/