LAJMI I FUNDIT:

Krasniqi: Nuk mund të vendosim administratorë për të menaxhuar me komunat në veri

Krasniqi: Nuk mund të vendosim administratorë për të menaxhuar me komunat në veri

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se Ligji për vetëqeverisje lokale nuk parasheh vendosjen e administratorëve për të menaxhuar me katër komunat veriore, pas dorëheqjes së zyrtarëve serbë nga institucionet atje.

Këtë të drejtë ai ka thënë se e ka vetëm ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.


Krasniqi në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës të mbajt këtë të martë, ka bërë të ditur se po vazhdojnë të jepen shërbimet esenciale dhe se deri më tani nuk kanë asnjë ankesë.

“Me Ligjin për vetëqeverisje lokale nuk parashihet mundësia e përcaktimit apo vendosjes së administratorëve nëpër komuna. Këtë të drejtë e ka vetëm Ministria e Financave dhe vetëm në rastet kur atakohet buxheti”.

“Si Qeveri jemi në koordinim me zyrtarë të ndryshëm të komunave që të ofrohen shërbimet dhe të gjitha shërbimet që janë kompetenca të deleguara të komunave, është në planin tonë që këto shërbime të jenë në dispozicion të qytetarëve dhe deri sot nuk kemi asnjë ankesë”, ka thënë ministri para mediave.

Zgjedhjet në katër komunat veriore që ishin caktuar të mbahen më 18 dhjetor, janë shtyrë për në prill të vitit 2023.

Presidentja Vjosa Osmani caktoi 23 prillin datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan dhe për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit.

Vendimi u mor për shkak të tensionimit të situatës në veri nga serbët lokalë. /Telegrafi/