Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar ndaj vendimit të kryeministrit në largim për ndarjen e 100 eurove për çdo student pesë ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, duke e cilësuar këtë veprim si një tentativë të hapur për blerje të votës.

Sipas Krasniqit, ky është një reagim i vonuar dhe i motivuar nga paniku elektoral.


“Kryeministri në largim, i cili tashmë ka humbur çdo legjitimitet, duket se po e përjeton panikun nga humbja e madhe që e pret të dielën,” shkroi Krasniqi në një postim në rrjete sociale.

Ai theksoi se kjo shumë nuk përfaqëson një mbështetje të sinqertë për studentët, por është një manovër elektorale.

“Kjo nuk është mbështetje e sinqertë për studentët, por përpjekje e hapur për blerje vote.”

Megjithatë, kreu i PDK-së ftoi studentët të marrin këto mjete, duke theksuar se ato u takojnë, por të mos lejojnë që kjo t’i ndikojë në zgjedhjen e tyre.

“Unë i ftoj studentët që t’i marrin ato mjete, që janë nga taksat e familjeve të tyre, por të dielën ta përdorin votën e tyre për ta ndëshkuar një kryeministër që ka rrezikuar të ardhmen e tyre dhe të shtetit”, tha Krasniqi.

Deklarata e Krasniqit vjen në një moment të ngarkuar politik, vetëm pak ditë para zgjedhjeve, ndërkohë që vendimi i qeverisë për mbështetjen financiare të studentëve ka ngjallur reagime të shumta. /Telegrafi/