Ish- kryeparlamentari Jakup Krasniqi, thotë se Kosova dhe Serbia nuk mund të futen ‘në një thes’ sa i përket arritjes së marrëveshjes në mes të të dyja vendeve, për shkak se siç thotë ai, nëse ekziston ndonjë vend në Evropën Juglindore që nuk ka qenë i gatshëm për marrëveshje politike në asnjë rast, ka qenë dhe vazhdon të jetë Serbia.

Sipas Krasniqit, kushti se “pa zgjidhjen e mosmarrëveshjes, as Kosova e as Serbia s’kanë vend në BE”, Kosovës mund t’i vihet vetëm për shkak të dëgjueshmërisë se skajshme të drejtuesve të saj.

Postimi i plotë i Krasniqit në Facebook:

E dëgjoni të thuhet shpesh: “Pa zgjidhjen e mosmarrëveshjes, as Kosova e as Serbia s’kanë vend në BE”!

Në të parë kjo thënie të duket se është krejt normale, e saktë, më përmbajtjeje e drejtësi politike, por në fakt po të analizohet drejtë, duke pasur parasysh raportet e Serbisë me Kosovën, thënia nuk ka as përmbajtje logjike se për të tjerat as mos të flasim. Ngado që ta marrësh ketë thënie është gabim dhe gabim shumë i madh dhe pa mundësi arsyetimi.

Pse?

Të gjithë e dimë se nëse ka ndonjë vend në Evropën Juglindore që nuk ka qenë i gatshëm për marrëveshje politike në asnjë rast të vetëm, ai shtet ka qenë dhe vazhdon të jetë është Serbia si dje ashtu edhe sot! E më se paku ndonjë faj mund t’i ngarkohet Kosovës e cila në çdo kohë ishte për marrëveshje, bile edhe për marrëveshje kompromisi. Ketë e ka dëshmuar shumë herë, aty ku edhe prezenca e BE-së ishte e madhe.

Kosovës mund t’i qitet ky kusht vetëm për shkak të dëgjueshmërisë se skajshme të drejtuesve të saj, por jo pse ka apo kanë ndonjë përgjegjësi për mos arritjen e marrëveshjes me Serbinë. Mjeku nuk mund ta shëroi pacientin para se me e caktuar diagnozën saktësisht! As rasti në fjalë nuk ka zgjidhje me hamendësime, përgjegjësia duhet të adresohet saktë.

Për rastin që po flasim ka shumë pasaktësi pasi adresa e fajtorit është më shumë se e ditur.

Krimineli dhe viktima e tij kurrë nuk mund të hyjnë ne një thes. Madje as në drejtësi!