LAJMI I FUNDIT:

Krasniqi: Janë bërë buxhetime të përgjegjshëm gjinor

Krasniqi: Janë bërë buxhetime të përgjegjshëm gjinor

“Është kënaqësi e veçantë të jem pjesë e përmbylljes së një aktiviteti që simbolizon fillimin e një rruge të gjatë në ngritjen e cilësisë së qeverisjes përmes politik bërjes gjithëpërfshirëse. Në marsin e këtij viti, gjatë hapjes së këtij aktiviteti, unë ofrova një elaborat të gjerë mbi humbjet ekonomike të shkaktuara nga pabarazia gjinore dhe përfitimet nga adresimi i këtyre pabarazive përmes politikave publike – të cilat jetësohen përmes procesit buxhetor “, tha zëvendësministri Agim Krasniqi sot në Ceremoninë Përmbyllëse të Aktivitetit për Buxhetimin të Përgjegjshëm Gjinor, të organizuar nga USAID-i dhe Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës.

Ai bëri të ditur se “Tashmë jemi unik në pranimin e nevojës për politikbërje dhe rrjedhimisht për buxhetim më të përgjegjshëm gjinor, gjithmonë duke respektuar ligjet në fuqi të cilat i garantojnë të drejtat e njeriut dhe në veçanti barazinë gjinore”.


Sipas zëvendësministrit Agim Krasniqi, Ministria e Financave me ndihmën e Rrjetit të Grave të Kosovës, në Qarkoren e parë Buxhetore për formulimin e buxhetit të vitit 2017, ka formuluar kërkesa të qarta për buxhetim të përgjegjshëm gjinor që janë në pajtim me detyrimet e dala nga Ligji për Barazi Gjinore. Sipas formatit të tanishëm të procesit buxhetor, kërkesat e paraqitura me qarkore janë të përqendruara në informata rreth shpërndarjes gjinore të inputeve buxhetore, pagave dhe punësimit, mallrave dhe shërbimeve, si dhe kategorive tjera ekonomike të shpenzimit.

“Si pjesë e aktivitetit mbështetës të USAID përmes programit të Partneritetit për Zhvillim, me implementim të grantit nga Rrjeti i Grave të Kosovës, ne tashmë kemi dy shembuj konkret se si duhet ndërmarrë në praktikë ky hap i parë, duke ndërtuar një sistem informatash i cili mundëson identifikimin e pabarazive gjinore deri në nivelin më të detajuar funksional, atë të nën-programit buxhetor”, ka shtuar Zëvendësministri Krasniqi.

Ai gjithashtu bëri të ditur se “Nga viti i kaluar Ministria e Financave është duke ndërmarrë një reformë të gjerë të Menaxhimit të Financave Publike. Pjesë përbërëse e kësaj reforme, është edhe evoluimi i procesit të planifikimit buxhetor nga një proces i planifikimit të inputeve buxhetore në një proces të targetimit të performancës së programeve buxhetore, sipas dokumenteve strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës”. /Telegrafi/