LAJMI I FUNDIT:

Krasniqi-Hotit: Kuvendi nuk është bira e fundit e kavallit, mos e trajto si të tillë

Krasniqi-Hotit: Kuvendi nuk është bira e fundit e kavallit, mos e trajto si të tillë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Kransiqi e ka kritikuar kryeministrin Avdullah Hoti pse nuk e ka prezantuar platformën për dialog së pari në institucionin ligjvënës.

Sipas Krasniqit, fakti që Hoti nuk ka kërkuar t’i drejtohet deputetëve për këtë çështje, por të bëjë prezantimin në institucione tjera, është fyerje për Kuvendin.


“Ju me qasjen tuaj deri tash e keni fyer Kuvendin. Ju as që keni kërkuar të vini këtu sonte dhe të paraqitni platformën tuaj për dialogun. Prezantimi i platformës tuaj kudo tjetër, para Kuvendit të Kosovës është fyerja për të cilën po flas. Lirisht keni mundur të shkoni edhe në ndonjë klub të pleqve, njësoj siç keni shkuar në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve, apo ndoshta do të kërkoni tash mbështetje dhe votat e tyre për dialog, pse për ndonjë komision për dialogun. Nuk është Kuvendi bira e fundit e kavallit siç thotë populli, dhe ju lutem mos e trajtoni Kuvendin si të tillë”, tha ai.

Krasniqi kërkoi nga Hoti që të raportoi sot për agjendën e takimin në Uashington dhe qëndrimet e qeverisë lidhur me temat që do të diskutohen.

Derisa Hoti kërkoi që opozita të përfshihet në çështjen e dialogut, Krasniqi tha se një kërkesë e tillë është hipokrizi nga Hoti i cili siç tha ai dikur ai vet ka refuzuar diçka të tillë.

“Tash kur jeni në pushtet, njëjtë si Albin Kurti para disa kohe, kërkoni mbështetje e pjesëmarrje të opozitës në dialog. Bile me një lloj fontanë dëshirash edhe ju sikur paraardhësi juaj e keni projektuar edhe në çfarë role duhet me qenë ne si opozitë. Por t’u them të drejtën, kjo për mua është një lloj hipokrizie, Nuk besoj se keni të drejtë morale për të kërkuar ato që keni refuzuar mbi një vit, kur ju vet keni qenë në opozitë.

Krasniqi tha se roli i Kuvendit është vendimtar për çështjen e dialogut me Serbinë./Telegrafi/