LAJMI I FUNDIT:

Krapoviq: Mali i Zi do të dërgojë ushtarë në Kosovë dhe vende tjera në kuadër të NATO-s

Krapoviq: Mali i Zi do të dërgojë ushtarë në Kosovë dhe vende tjera në kuadër të NATO-s

Ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi, Dragan Krapoviq, ka bërë të ditur se Mali i Zi do t’i zgjerojë angazhimet ushtarake në sferën lindore të NATO-s, duke u angazhuar në më shumë se një front.

Kjo sipas tij do të përfshijë angazhimin shtesë edhe në Kosovë.


“Në përputhje me angazhimin tonë ndaj NATO-s dhe detyrave të reja që rrjedhin nga situata aktuale ndërkombëtare, do të kemi shtim të pranisë së trupave tona në Letoni dhe Bullgari. Përveç kësaj, angazhimi ynë në Kosovë dhe në Irak do të vazhdojë me të njëjtin vigjilencë”, theksoi Krapoviq gjatë fjalës së tij.

Ministri theksoi rëndësinë e takimit me Admiralin Rob Bauer, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s dhe këshilltar për çështjet ushtarake i Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës, Jens Stoltenberg, duke e cilësuar atë si një mundësi për të demonstruar solidaritetin dhe vendosmërinë e Malit të Zi si anëtar besnik i aleancës.

“Diskutuam hollësisht për zhvillimet në rajon dhe më gjerë, dhe konfirmova se Mali i Zi është i përkushtuar në përmbushjen e vendimeve që u morën vitin e kaluar në Vilnius,” shtoi ai, duke nënvizuar nevojën për rritjen e investimeve në ushtri të Malit të Zi, raporton Vijesti.

Krapoviq nuk la pa përmendur rëndësinë e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe rolin kyç të NATO-s dhe Bashkimit Evropian në këtë drejtim.

Ai pohoi se Mali i Zi do të jetë gjithmonë mbështetës i prerë i perspektivës euroatlantike të rajonit dhe do të luftojë çdo ndikim malinj të palëve të treta.

Admiral Bauer, gjatë fjalës së tij, vlerësoi kontributet e Malit të Zi në stërvitjen më të madhe në dekada dhe në misionet në Kosovë dhe Irak, ndërsa njoftoi një rritje të buxhetit për ushtrinë, me një pjesë të konsiderueshme të shkuar për modernizim.

Ai po ashtu theksoi 75-vjetorin e NATO-s, duke e cilësuar atë si aleancën ushtarake më të suksesshme në histori dhe mbrojtëse të të drejtave të vendeve anëtare.

Bauer përfundoi me një thirrje për mbështetje të vazhdueshme ndaj Ukrainës, duke e quajtur atë jo vetëm një gjest bamirësie, por një investim jetësor për sigurinë globale./Telegrafi/