LAJMI I FUNDIT:

KQZ vazhdon të mbetet e pakompletuar, deputetë e asambleistë në pritje për të marrë detyrën (Video)

KQZ vazhdon të mbetet e pakompletuar, deputetë e asambleistë në pritje për të marrë detyrën (Video)

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vazhdon të mbahet peng nga ana e Presidentit të vendit. Ai ende nuk ka dekretuar anëtarët e rinj të këtij komisioni, ndërsa në shoqërinë civile këtë e shohin si problem politik.

Komisioni Qendror Zgjedhor, që nga pranvera e vitit të kaluar, vazhdon të mbetet i pakompletuar si shkak i mos dekretimit të anëtarëve të rinj nga Presidenti i vendit.


Rasim Alija nga D4D thotë se i gjithë procesi i zgjedhjeve të anëtarëve të KQZ-së ka marr karakter politik.

“Ajo çfarë kemi parë nga Presidenti është se e ka politizuar gjithë procesin, duke ftuar edhe subjektet tjera politike të cilat nuk janë grupe parlamentare, që të sjellin anëtarë për t’u emëruar në KQZ. Kjo është mosrespektim i ligjeve ose në terma tjera edhe mos respektim i Kushtetutës së Kosovës dhe ligjit të përgjithshëm të zgjedhjeve në Republikën e Kosovës”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Rasim Alija.

Sipas tij mos funksionalizmi i KQZ-së, po sjell pengesa qoftë në planin politik po edhe atë juridik.

“Kemi të paktën 35 anëtarë të kuvendeve komunale ose asambleista të cilët nuk munden të emërohen apo riemërohen në komuna të caktuara si rezultat i mosfunksionimit të KQZ-së, sepse KQZ bën emërimin e anëtarëve të rinj të kuvendeve komunale”, deklaroi Alija.

Njëjtë shprehet edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

“Ne kemi deputetë të cilët nuk kanë mundur të marrin mandatin e deputetit, siç është rasti i deputetit Rafet Rama, i cili nuk ka arritur të marrë mandatin e deputetit duke qenë se KQZ-ja nuk ka qenë me mandat të plotë për ta certifikuar kandidaturën e tij si deputetë. Ngjashëm është edhe me asambleistët, të cilat janë disa sosh që pritet të zëvendësohen. Në këtë drejtim vlerësoj se ka pasur shkelje kushtetuese, sepse është kompetencë ekskluzive e Presidentit që të garantojë funksionimin kushtetues të të gjitha institucioneve”, deklaroi Eugen Cakolli nga KDI.

Presidenti Hashim Thaçi kishte kërkuar nga gjashtë grupet parlamentare që të propozojnë nga një anëtar, kurse dy partitë LDK dhe VV kishin dërguar nga dy e jo një siç kishte kërkuar Presidenti./RTV Dukagjini/Telegrafi/