LAJMI I FUNDIT:

KQZ: Deri tani janë rinumëruar 45 vendvotime nga 530

KQZ: Deri tani janë rinumëruar 45 vendvotime nga 530

Në Qendrën për Numërim dhe Rezultate ( QNR) është duke vazhduar rinumërimi i 530 vendvotimeve. Vendimi për rinumërim është marrë dje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas rekomandimeve nga (QNR) se në këto vendvotime ka pasur probleme kryesisht teknike me fletëvotime.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi tregoi për Telegrafin se sa vendvotime janë rinumëruar deri më tani.


“Deri të enjten në mesnatë janë rinumëruar 45 nga 530 vendvotimet për të cilat ka marrë vendim KQZ-ja. Rinumërimi është duke vijuar”, ka thënë Elezi në një deklaratë të dhënë për Telegrafin.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi
KQZ merr vendim që të rinumërohen edhe 530 vendvotime
Lexo po ashtu KQZ merr vendim që të rinumërohen edhe 530 vendvotime

Kujtojmë se para disa ditësh janë rinumëruar edhe 314 vendvotime, që po ashtu kanë pasur probleme teknike.

Ndryshe në zgjedhjet parlamentare të cilat janë mbajtur më 6 tetor kanë votuar 812 mijë e 49 votues apo 44.18 për qind.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, partia e parë është Vetëvendosje me 25.50 %, pas saj radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.83 %, kurse Partia Demokratike e Kosovës radhitet e treta me 21.25%. Ndërsa koalicioni AAK-PSD në zgjedhjet e 6 tetorit ka marrë 11.57 për qind, si dhe koalicioni NISMA-AKR nuk ka kaluar pragun zgjedhor.

Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta. /Telegrafi/