KOSTT dhe AKI diskutojnë për forcimin e sigurisë së infrastrukturës energjetike

Ushtruesi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të KOSTT, Shaban Neziri, ka pritur në takim Drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.
Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë strategjike të sektorit energjetik, rolin e infrastrukturës kritike të KOSTT-it, planet zhvillimore, si dhe për çështjet e sigurisë shtetërore që lidhen me mbrojtjen dhe funksionimin e qëndrueshëm të sistemit energjetik.
“Ky takim ka për qëllim prezantimin e rolit të KOSTT-it në sigurinë e sistemit elektroenergjetik dhe diskutimin e masave që garantojnë stabilitetin dhe besueshmërinë e rrjetit”, tha Neziri.
Ai shtoi se bashkëpunimi ndërinstitucional është thelbësor për identifikimin dhe adresimin e rreziqeve që mund të prekin sigurinë e Kosovës, me fokus të veçantë te kërcënimet ndaj infrastrukturës vitale. “Parandalimi dhe trajtimi i çdo rreziku, përfshirë sabotimet dhe cenimet e sigurisë, është prioritet për funksionimin e sistemit energjetik,” u shpreh Neziri.
KOSTT thekson se bashkëpunimi me AKI mundëson shkëmbimin e informatave, koordinimin e masave parandaluese dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës të infrastrukturës kritike, duke siguruar reagim të koordinuar dhe qëndrueshmëri më të lartë përballë sfidave të sigurisë.
“Ne vlerësojmë lart këtë vizitë si dëshmi të angazhimit të përbashkët për forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së infrastrukturës energjetike në Republikën e Kosovës”, përfundon njoftimi i KOSTT-it.
Ndryshe, një ditë më parë vendi u përballë me reduktime të theksueshme, duke ngjallur reagime edhe nga shoqëria civile./Telegrafi/



















































