LAJMI I FUNDIT:

Kosovarët ushqehen nga Serbia

Kosovarët ushqehen nga Serbia

Buke, kryp e zemër. Vetëm kjo e fundit është shqiptare në sofrat e shumicës së kosovarëve. Gjithçka tjetër është “Made in Serbia”. Madje edhe uji, me të cilin shuajnë etjen vjen me shumicë nga shteti prej të cilit Kosova u nda me luftë 17 vite më parë. Sipas të dhënave që Gazeta Fjala i ka siguruar nga Dogana e Kosovës, në gjashtë muajt e parë të këtij viti, kosovarët kanë blerë nga Serbia hiç më pak se 29 milionë litra ujë të pijes.

Produktet esenciale ushqimore, duke filluar nga pemët, perimet dhe ato të konservuara, janë mallrat më të importuar në Kosovë nga ky shtet. Në total për gjashtë muaj janë importuar 429 milionë kilogram mallra në vlerë 142 milionë euro. Kështu rreth 34 milionë kilogram grurë janë futur në Kosovë veç për gjashtë muajt e parë të këtij viti, misër afro 21 milionë kilogram si dhe 15 milionë kg të tjerë janë miell.


Të dhënat tregojnë se kosovarët zgjedhin para prodhimeve vendëse të qumështit ato me origjinë nga Serbia. Përmes pikës kufitare të Merdares është importuar djathë e gjizë në sasinë prej 38 mijë kilogramëve me vlerën e 82 mijë eurove. Qumësht jo i koncentruar që nuk përmban sheqer shtesë apo ndonjë lëndë tjetër ëmbëltuese shtesë është futur në Kosovë në sasinë prej 1 milion litrave me afro rreth 602 mijë euro, shkruan Gazeta Fjala.

Kjo tregon se as protestat e qumështarëve para qeverisë së Kosovës të bëra para disa muajve kundër importimit të produkteve të qumështit në vend nuk kanë ndikuar aspak në uljen e sasive të importit të këtij produkti në vend.

Ndonëse Kosova njihet me prodhimin e produkteve të patates të cilat madje ajo i eksporton në vendet tjera sipas të dhënave nga dogana rreth 200 mijë kilogram patate janë futur në Kosovë vetëm për gjashtë muajt e parë të këtij viti me vlerën e rreth 42 mijë e 144 eurove nga Serbia.

Kosova importon edhe perime të konservuara nga ky shtet. 220 mijë e 388 kilogramë janë futur në Kosovë për këta gjashtë muaj në vlerën e 176 mijë eurove të paguara nga kosovarët. Qepë, presh, hudhra, qepë të njoma dhe zarzavate të tjera djegëse, të freskëta apo të ftohta vijnë po ashtu nga Serbia në Kosovë. Gjatë kësaj periudhe janë imputuar 672 mijë e 548 kilogram.

Gjithashtu edhe mollë, dardhë dhe ftonj, të freskëta kanë hyrë në sasinë e rreth 62 mijë kilogramëve, shkruan Gazeta Fjala.

Po ashtu frutat, arra, lajthi, bajame dhe pjesë të tjera të ngrënshme të bimëve, të përgatitura apo të ruajtura ndryshe janë importuar në vend bashkë me karotat, rrepa të kuqe, panxhar kokërr për sallatë, rrepë kanë hyrë në Kosovë në vlerën e rreth 47 mijë eurove. Brumërat e gatuara apo të mbushur (me mish apo me substanca të tjera) apo të përgatitur ndryshe, të tilla si shpageta, makarona, janë importuar në vend në vlerën e afro 319 mijë eurove.

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Ibrahim Rexhpi, në një prononcim për Gazetën Fjala është shprehur se secili artikull i importuar në vend ia ngushton vendin ne treg produkteve vendore, me kusht qe ato te jene konkurrentë si në cilësi, ashtu edhe me çmim

“Kontributi më i madh shoqëror, duke nënkuptuar edhe buxhetin e shtetit, do të jetë atëherë kur konsumojmë produkte vendore. Do të ketë më shumë të punësuar, kompanitë do të kenë më shumë vite, prandaj këto do të kenë ndikim qenësor në përmirësimin e gjendjes sociale në vend, si edhe rritjen e tyre hyrave në buxhet”, ka thënë Rexhepi.

Sipas tij, institucionet përgjegjëse do të duhej të punonin më shumë në ngritjen e vetëdijes së konsumatorëve për konsumimin e produkteve vendore.

Kapacitetet e pamjaftueshme të prodhuesve kosovarë kishin bërë që edhe marrëveshjet tregtare të arritura ndërmjet Kosovës dhe disa shteteve tjera të jenë gati pa ndonjë efekt pozitiv për ekonominë e vendit.

Kështu Kosova importon edhe bukë, torte, kek, biskotat dhe produkte të tjera të furrtarit nga shtetet e tjera me afro 2 milionë kilogram, shkruan Gazeta Fjala. Margarinë në sasinë e 553 mijë kilogramëve.

Rreth 153 mijë euro të tjera janë harxhuar nga kosovarët për importimin e pijeve në sasi rreth 206 mijë kilogram. Sipas të dhënave të doganës në Kosovë për këta gjashtë muaj është importuar më shumë mish i derrit se sa mish i gjedheve. Gjithsejtë 18 mijë kilogram mish derri, e 10 mijë kilogram mish gjedhi.

Kosova, tash e sa vjet importon mbi 80 për qind të produkteve të ndryshme duke u shndërruar kështu në treg konsumues. Deficiti tregtar, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vit arrin në mbi 2 miliardë euro. /GazetaFjala/Telegrafi/