LAJMI I FUNDIT:

Kosovarët me borxhe deri në ‘fyt’, rreth 5 miliardë euro kredi

Kosovarët me borxhe deri në ‘fyt’, rreth 5 miliardë euro kredi

Numri i qytetarëve që kanë marr kredi nëpër bankat e komerciale të Kosovës është rritur për rreth 13 mijë deri në nëntor të vitit 2023, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Gati 200 mijë qytetarë u janë drejtuar bankave të Kosovës për kredi gjatë këtij viti.

Ndërkaq, shuma e përgjithshme e kredive në sektorin bankar deri në muajin tetor është rreth 5 miliardë euro. Krahas kësaj, rritje ka shënuar edhe norma mesatare e interesit për dy për qind, sa ishte 6.2 për qind vitin e kaluar.


Se kamatat janë rritur dhe nuk janë të favorshme e thonë edhe qytetarët, për çka tregojnë se për shkak të standardit të jetesës që kanë, obligohen që të hyjë në borxhe.

Për KosovaPress, qytetari Hysni Thaçi tha se familjarë të tij kanë marrë kredi, për çka tha se u janë shfaqur vështirësi në kthimin e mjeteve.

“Unë personalisht nuk kam marr, s’kam pasur nevojë…Po, ka prej familjes që kanë marr? Për çfarë arsye? Për shkak të standardit kështu siç është, obligohen njerëzit të hyjnë në kredi dhe kanë problem edhe të paguajnë dhe të gjitha vështirësitë shfaqen në bazë të saj…Kur mbështetesh për muri nuk ke qare pa bërë diçka të tillë, përndryshe kamatat nuk janë të favorshme, ato faktikisht vetëm e sjellin në dështim”, tha Thaçi.

Ndërkaq, qytetari Sabri Rexha e quan “fajde” normën e interesit. Sipas tij, përveç nevojës, “njerëzit e kanë shprehi, nuk mund të jetojë pa borxhe”.

“Për para në ish-Jugosllavi ka qenë kredia e volitshme por unë nuk kam guxuar të hyjë ato, kështu që as më vonë nuk kam hyrë…Më shumë fajde se kamatë…Pse po mendon që dikush detyrohet të hyjë kredi? Ndoshta nevojat apo disa edhe shprehi, thjeshtë nuk mund të jetojë pa borxhe dhe kredi. Unë nuk i kam hyrë asaj”, theksoi Rexha.

Ndërkaq, nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) thonë se numri i përgjithshëm i kredi marrësve është 118 mijë e 102 deri në nëntor, rreth 13 mijë më shumë se vitin e kaluar.

Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, nga BQK theksojnë se shuma e përgjithshme e kredive në sektorin bankar deri në muajin tetor të këtij viti është 4.8 miliardë euro.

Ata shtojnë se norma mesatare e interesit për kreditë e reja në muajin tetor 2023 përllogaritet 6.4%, e cila në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar përllogaritej 6.2%.

“Bazuar në të dhënat, numri i kredi marrësve për periudhat e kërkuara figuron si në vijim : në periudhën (janar – nëntor) 2023 numri i përgjithshëm i kredi marrësve është, 118102 kredi marrës krahasuar me të njëjtën periudhë janar-nëntor 2022 ky numër ishte 105413 kredi marrës, kemi një rritje te kredi marrësve ne mes te dy periudhave është 12689.

Sipas te dhënave te regjistrit kreditor, këtu kemi të bëjmë me përfshirjen e kredi marrësve fizik dhe juridik e që kanë marrë kredi në institucione bankare, institucione mikro financiare dhe produkte te natyrës kreditore te kompanitë e sigurimeve. Shuma e përgjithshme e kredive në sektorin bankar në muajin tetor 2023 është 4.8 miliardë euro. Norma mesatare efektive e interesit për kreditë e reja në muajin tetor 2023 përllogaritej 6.4%, e cila në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar përllogaritej 6.2%”,thonë nga BQK për KosovaPress.

Po ashtu, edhe nga Shoqata e Bankave të Kosovës potencojnë se është rritur për mbi 1 miliardë euro vlera e kredive të reja të raportuara deri në shtator të vitit 2023, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Për KosovaPress, ata shtojnë se kjo vlerë është për 8.91% më e lartë se në vitin 2022.

“Vlera e kredive të reja të raportuara deri në shtator 2023 është 1.5 miliard euro. Krahasuar me periudhën njëjtë të vitit 2022 kjo vlerë është 8.91% më e lartë. Vlera totale e kredive aktive nga sektori bankar në Kosovë është 4.7 miliard euro e raportuar në shtator të vitit 2023. Në gusht të vitit 2023, norma mesatare e interesit për kreditë e reja në Kosovë e raportuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është 6.7%, ndërkaq në krahasim me periudhën e njëjtë të raportimit të vitit të kaluar ka qenë 5.99%”,thuhet në një përgjigje me shkrim.

Ndërsa, themeluesi i Institutit Hulumtues për Ekonomi dhe Financa, Fehmi Mehmeti për KosovaPress thotë se rritja e kreditimeve vazhdon të jetë e lartë, sidomos pas pandemisë. Këtë rritje, Mehmeti e vlerëson si të mirë, pasi sipas tij ndikon në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Rritja e kreditimeve vazhdon të jetë e lartë, është e pritshme sidomos pas pandemisë, në vazhdimësi kemi rritje të lartë të kreditimit diku rreth 15 për qind nëse e bëjmë krahasueshmërinë në baza vjetore…Rritja e kreditimit është mirë që ndodhë, është një mbështetës i zhvillimit ekonomik të vendit… Janë edhe faktorë të tjerë që ndikojnë në rritjen ekonomike në vend, por ndër ato është konsumi. Pjesa dërrmuese e konsumit financohet prej remitencave që vijnë që kanë rritje të vazhdueshme që këtë vit parashihen të jenë mbi një miliardë. Ndërkaq, faktori tjetër është edhe rritja e kredive konsumuese.

Rritja e shpejtë e shkallës së ndërmjetësimit financiar është e mirë, është faktorë që e përcakton rritjen ekonomike në vend, gjithmonë duhet ta kemi parasysh që kjo rritje e shkallës ndërmjetësimit financiar të jetë graduale siç ka ndodhur në të kaluarën, të jetë e shpërndarë nëpër sektorë, në të kundërtën mund të jetë një burim i krizës në të ardhmen”, theksoi Fehmeti.

Përveç kësaj, ish guvernatori i BQK-së tha se pandemia ka ndikuar edhe në rritjen e inflacionit. Ai potencoi se pas vendimit të Bankës Qendrore Evropiane për rritjen e normës së interesit për katër herë radhazi, duke vepruar njëjtë edhe Sistemi i Rezervës Federale Amerikane, që sipas tij është e ditur se kjo do të ndikonte në rritjen e inflacion në tërë Evropën, rrjedhimisht edhe në Kosovë.

Mehmeti shtoi se pret që të ketë ulje të inflacionit.

“E pritshme është që pas pandemisë të kesh inflacion të lartë. Duke i pasur parasysh rrethanat, ndërprerje e zinxhirëve të furnizimit, rritje e kërkesës që është shumë e pritshme dhe në këtë rast për neve nuk ka qenë befasi rritja e inflacionit…Inflacioni shkaktoi rritje në nivel global pastaj kjo e detyroi edhe Bankën Qendrore Evropiane edhe Amerikan edhe Bankat Qendrore në nivel global që të marrin masa me qëllim që të parandalojnë rritjen e inflacionit.

Në këtë rast, Banka Qendrore Evropiane nëse nuk gaboj katër herë radhazi e ka rritur normën e interesit, pastaj edhe Federal Reserve Sistem Amerikan njëkohësisht, kjo ka ndikuar pastaj edhe në rritjen e normave të interesit në kredi edhe në vendet më të zhvilluara të Evropës dhe botës, pastaj edhe në Kosovë dhe si rezultat i kësaj kemi natyrshëm rritja e normës së interesit.

Marrja e vendimit nga Banka Qendrore Evropiane për rritjen e normës së interesit dhe Fedit Amerikan natyrshëm që ndikon edhe në rritjen e Euribori-t…Pritjet janë që këtë vit norma e inflacionit të jetë përafërsisht rreth 5.4 për qind, me siguri që projeksionit edhe në nivel të Bashkimit Evropian por edhe në nivel të Amerikës janë që do të kemi një ulje të inflacionit”, tha Mehmeti.

Përveç rritjes së kredive, edhe depozitat kanë arritur në vlerën 5 miliardë e 875.9 milionë euro.

Ndërsa, bankat komerciale në Kosovë kanë arritur të sigurojnë profit të lartë gjatë periudhës janar-tetor 2023.

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës(BQK), për dhjetë muaj të këtij viti nga kreditë bankare dhe shërbimet tjera, bankat komerciale kanë pasur fitim të pastër 141 milionë euro ose rreth 20 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të viti të kaluar. /KP/