LAJMI I FUNDIT:

Kosovarët, 2.9 miliardë euro depozita

Kosovarët, 2.9 miliardë euro depozita

Rreth 2.9 miliardë euro ka arritur shuma e mjeteve që qytetarët e Kosovës i kanë të depozituara nëpër bankat komerciale në vend. E derisa në anën tjetër shuma e kredive që qytetarët dhe bizneset ua kanë borxh bankave ka arritur në 2.4 miliardë euro.

Bazuar në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se depozitat në vend kanë shënuar një rritje vjetore prej 7.2 për qind, ritëm i përshpejtuar krahasuar me periudhën paraprake, që ishte 4.6 për qind.


“Niveli i depozitave në sektorin bankar reflekton ecurinë e depozitave të ekonomive familjare, të cilat dominojnë strukturën e gjithsej depozitave dhe në periudhën raportuese shënuan rritje vjetore prej 5.4 për qind”, thuhet në raportin tremujorit të vlerësimit të ekonomisë.

Aty më tutje thuhet se në gjysmën e parë të vitit depozitat e ndërmarrjeve shënuan rritje të përshpejtuar vjetore prej 14.1 për qind, që mund të jetë ndikuar nga rritja e normës mesatare të interesit në depozitat për ndërmarrjet. /Zëri/Telegrafi/