LAJMI I FUNDIT:

Kosova shënjon vendet e trashëgimisë

Kosova shënjon vendet e trashëgimisë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar sot Udhëzimi Administrativ (MKRS) nr. 01/2019 për specifikat e shënjimit të trashëgimisë kulturore dhe vendeve turistike, akt nënligjor ky i cili ka për qëllim të përcaktojë llojet, kuptimin, formën, ngjyrën, dizajnin, madhësinë dhe fontin e shkronjave, dimensionet, materialin dhe karakteristikat teknike të shenjëzimit, si dhe udhëzimet për standardet për vendosjen dhe instalimin e shenjave të trashëgimisë kulturore dhe atyre turistike në të gjitha kategoritë e rrugëve në Republikën e Kosovës.

Këto shenja njoftuese/informuese, në bazë të udhëzimit, do të zbatohen në tërë territorin e Kosovës dhe janë të dedikuara për informim, gjegjësisht për të drejtuar shfrytëzuesin deri te potencialet/destinacionet e trashëgimisë kulturore dhe turistike.


Shenjat sipas këtij udhëzimi janë: Shenja “shënim kulturo- historike”; Shenja “atraksion natyror”; Shenja “objekt për strehim”; Shenja “objekt hotelier”; Shenja “objekt publik”; Shenja “atraksione turistike”; Shenja “rrugë turistike”; Shenja “Mirë se vini” dhe “Lamtumirë”; Shenja “tabela turistike informuese, për komunikacion, turizëm dhe informacione të tjera turistike”. Format e këtyre shenjave do të jenë katrore, katërkëndëshe dhe në formë shigjete dhe kanë ngjyra të kafta, të kaltra, gjelbra dhe të bardha.

Gjithashtu, shenjat i kanë kodet e tyre të cilat ndahen në: E 1.x – simboli i trashëgimisë kulturore; E 2.x – simboli për shërbime; E 3.x – simboli për rekreacion. Ndërsa numrat do të shënohen prej 01 deri 99 për secilën kategori të sinjalizimit. Shenjat përmbajnë simbole të paraqitura në formë të piktogramit dhe tekste të shkruara sipas nevojës. /Telegrafi/