LAJMI I FUNDIT:

Kosova me raste të shumta të të prekurve me kriza emocionale

Kosova me raste të shumta të të prekurve me kriza emocionale

Neuropsikiatri Sami Rexhep ka folur të mërkurën lidhur për shëndetin mendor, duke dhënë këshilla për popullatën në momentet kur ballafaqohen me kriza të ndryshme emocionale.

Rexhepi në programin e mëngjesit në RTK, duke folur për krizën emocionale, ka bërë me dije se ky çrregullim në fazat e hershme është shumë më lehtë për t’u kuruar se sa kur kalon kjo fazë.


“Humbja e vetëbesimit, humbja e vetëvlerësimit, dhe konsiderimi i vetës si dështak, është ndjenja më e vështirë për t’u përballuar. Në fillim të ballafaqimit me një krizë emocionale, duhet që menjëherë të konsultohet mjeku kompetent, sepse fazat e hershme tejkalohen shumë më lehtë, e pastaj trajtimi kërkon kohë më të gjatë dhe durim më të madh”, ka thënë neuropsikiatri Rexhepi.

Por, ai thotë se një pjesë e madhe nuk kërkojnë trajtim për shkak të stigmatizimit.

Ai, tha se nuk ka statistika të sakta se sa persona vuajnë nga kriza të ndryshme emocionale, por sipas tij as Kosova nuk dallon nga vendet tjera.

Duke folur për vetëvrasjet, ai thotë se numri i tyre është rrit vazhdimisht pas luftës, dhe siç thotë ai numri është mjaft i madh, sidomos tek të rinjtë.

“E keqja më e madhe është se mosha e të vetëvrarëve është shumë e re. Një tragjedi e madhe është se një numër i madh i ish-luftëtarëve kanë kryer vetëvrasje. Këtu ka edhe faktor të sëmundjes që ndikojnë, sepse janë disa sëmundje kronike që kanë predispozita për vetëvrasje”, thotë ai.