LAJMI I FUNDIT:

Kosova pritet të përfitojë mbi 200 milionë euro nga marrëveshja me MCC-në për energji elektrike

Kosova pritet të përfitojë mbi 200 milionë euro nga marrëveshja me MCC-në për energji elektrike

Qeveria e Kosovës ka nisur procedurat për marrjen e grandit nga MMC -ja në vlerë mbi 200 milionë euro, për investime në sektorin e energjisë elektrike.

Një gjë e tillë u bë e ditur në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.


Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati u shpreh se pas gjithë polemikave se ky projekt nuk do ti jepet Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me ShBA-në përmes programit “Kompakt” të MCC-së, Kosova do të përfitoj mbi 200 milionë euro në sektorin e energjisë.

“Kam kënaqësinë që pas gjithë atyre polemikave dhe fjalëve të paraqes para jush kërkesën për miratimin e nismës për programin kompakt me MCC-në për marrëveshje të bashkëfinancimit. Për këtë marrëveshje të bashkëfinancimit nga Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e SHBA-së janë angazhuar dhjetëra persona në Uashington dhe Kosovë. Ministria e Financave dhe Transfereve ka punuar ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë që ka qenë bartëse e negociatave për të siguruar bashkëfinancim në një program që pritet të kapë shumën mbi 200 milionë euro e që për Kosovën kjo shënon 2.5% të GJDP-së”, tha Murati.

Ai shtoi se prioritet kryesor i kësaj marrëveshje është sigurimi i qëndrueshmërisë së sektorit energjetik, duke siguruar rezerva në energji.

Gazsjellësi amerikan, ambasadori Hovenier: Kosova po bën një studim mjaft të thellë dhe të kujdesshëm
Lexo po ashtu Gazsjellësi amerikan, ambasadori Hovenier: Kosova po bën një studim mjaft të thellë dhe të kujdesshëm

Në anën tjetër, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli bëri të ditur se nga ky projekt, Kosovës për 15 vite do t’i ofrohen investime të cilat do të jenë në të mirë të stabiliteti energjetik.

Ajo shtoi se ku kompakt projekt pritet që të hidhet për votim në bordin e MCC-së në qershor të këtij viti.

“Sado që gabimet e qeverive të kaluara kanë ndikuar që të kemi një gjendje të mjerueshme në sektorin energjetik ne do të shënojmë kthesë në këtë sektor. Unë besoj që ne të gjithë në Qeveri mendojmë që është koha që të sigurohemi që duhet lënë pas një infrastrukturë të sistemit energjetik në mënyrë që gjenerata e ardhshme të mos përballen me kriza energjetike. Ka qenë kënaqësi të punoj me ekipin në Uashington dhe atë të Kosovës për këtë marrëveshje. Ne do të shënojmë kthesën në investim në infrastrukturë dhe në qershor të 2022 hidhet në votim në bord të MCC-së. Mund të siguroj që kapaciteti do të jetë më shumë se 150 megavat”, tha Rizvanolli.

Kujtojmë se SHBA-ja kishte propozuar që t’ia ndaj Kosovës rreth 200 milionë euro në kuadër të MCC-së.

Në këtë fond, njëri nga projektet është ndërtimi i sektorit energjetik, përkatësisht ndërtimi i infrastrukturës së gazit./Telegrafi/