LAJMI I FUNDIT:

Gazsjellësi amerikan, ambasadori Hovenier: Kosova po bën një studim mjaft të thellë dhe të kujdesshëm

Gazsjellësi amerikan, ambasadori Hovenier: Kosova po bën një studim mjaft të thellë dhe të kujdesshëm

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier duke folur rreth çështjes së refuzimit të gazsjellësit të mbështetur nga Zyra e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), ka thënë se Qeveria e Kosovës me të drejtë po bën një studim të thellë për energjinë.

Hovenier në një intervistë për televizioni publik të Kosovës është shprehur se për këto projekte ka afate kohore shumë të rrepta.

“Qeveria e Kosovës – e cila me të drejtë po bën një studim mjaft të thellë dhe të kujdesshëm se si mund t’i kalojë më së miri burimet e saj të energjisë nga një sistem që mbështetet në dy termocentrale ndotëse me thëngjill të epokës jugosllave në një strukturë të shekullit XXI-të për të siguruar energji – Qeveria nuk ishte në gjendje të merrte vendime për rrugën e saj të ardhshme në afatet kohore që kërkon MCC-ja. Kjo jo domosdoshmërish është dështim. Jo domosdoshmërish është diçka që po kritikoj. Thjeshtë është realiteti. Mezi presim që qeveria e Kosovës të marrë disa vendime përfundimtare për strategjinë e saj energjetike”, tha Hovenier.

Sipas tij, procesi i miratimit për këto projekte është mjaftë i ndërlikuar.

“Ka afate kohore shumë të rrepta dhe proces shumë të ndërlikuar të miratimit. Dhe në fakt, ende po vazhdon procesi për të përkufizuar atë që quhet Kompakt, i cili është programi i MCC-së që çon përpara. Kishte afate mjaft të rrepta kur u shqyrtua gazi si një element i pjesës energjetike të programit Kompakt të MCC-së. Kishte afate kohore mjaft të rrepta për të përcaktuar nëse do të mund të mbështetej apo jo gazi si një element i tij”, është shprehur ai.

Hovenier ka thënë se këtë çështje e ka biseduar edhe me kryeministrin Albin Kurti.

“E kemi diskutuar [me kryeministrin Albin Kurti] strategjinë për energji dhe dëshirën e SHBA-së për ta ndihmuar për disa vendime shumë të vështira. Për të ndihmuar në pozicionimin e Kosovës në të ardhmen me një furnizim më të mirë të energjisë”, ka thënë në fund Hovenier.

Kujtojmë se SHBA-ja kishte propozuar që t’ia ndaj Kosovës rreth 200 milionë euro në kuadër të MCC-së.

Në këtë fond, njëri nga projektet është ndërtimi i sektorit energjetik, përkatësisht ndërtimi i infrastrukturës së gazit. /Telegrafi/