LAJMI I FUNDIT:

9 milionë euro për ujërat, Kosova nënshkruan marrëveshje me Zvicrën

9 milionë euro për ujërat, Kosova nënshkruan marrëveshje me Zvicrën

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Sekretariati Shtetëror për Çështje Ekonomike i Qeverisë Zvicerane kanë nënshkruar sot marrëveshje për projektin “Qëndrueshmëria Klimatike në Sektorin e Ujërave në Kosovë”, në vlerë totale prej 9 milionë euro.

Ky projekt adreson forcimin e kapaciteteve të Kompanive Rajonale të Ujit (KRU) në ofrimin e shërbimeve të ujit dhe ujërave të zeza, e në mënyrë specifike reduktimin e ujit të pa faturuar, efikasitetin e energjisë dhe përdorimin e energjisë së ripërtëritshme.


Sipas njoftimit për media thuhet se projekti i ujërave adreson rritjen e performancës operacionale të KRU-ve, e cila pastaj kontribuon në ofrimin e shërbimeve më të mira e me cilësi të lartë për qytetarët, si dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë financiare për KRU-të.

“Me këtë rast Ministri Murati falenderoi Ambasadorin e ngarkuar në detyrë, Christoph Fuchs për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Qeverinë Zvicrane në projekte zhvillimore, e në veçanti në sektorin e ujërave.

Në anën e tij, Fuchs u shpreh mirënjohës për bashkëpunimin e deritanishëm me Qeverinë e Kosovës në sektorin e ujërave, ku edhe theksoi se projekti në fjalë ka ardhur si rezultat i projekteve të mëparshme e mësimeve të nxjerra në sektorin e ujit”, thuhet në njoftim.

Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në investime strategjike në fusha me interes të veçantë për vendin, në linjë me Strategjinë Shtetërore të Ujërave. /Telegrafi/