LAJMI I FUNDIT:

“Kosova në rrugë të duhur drejt anëtarësimit në NATO”

“Kosova në rrugë të duhur drejt anëtarësimit në NATO”

Aleanca Veriatlantike e Kosovës sot ka shënuar 70-vjetorin e themelimit të saj. Kjo Aleancë që për mision ka paqen dhe sigurinë në botë, tashmë është e shtrirë edhe në Kosovë.

Institucionet e Kosovës, ndër prioritetet kryesore, kanë edhe anëtarësimin e vendit në NATO.


Zëvendës ministri i mbrojtjes, Burim Ramadani në një prononcim për Telegrafin ka thënë se objektiv shtetëror i Kosovës është anëtarësimi në NATO.

Sipas tij Kosova komunikon me NATO-n përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s.

“Kosova dhe NATO kanë vendosur komunikimet direkte në nivel të lartë, kryesisht përmes takimeve dhe komunikimeve të rregullta të udhëheqjes së Kosovës dhe NATO-s. Po ashtu, Kosova komunikon me NATO-n përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) që funksionon në baza ditore në Ministrinë e Mbrojtjes. Sigurisht se objektiv shtetëror i Kosovës është anëtarësimi në NATO, duke qenë të qartë se ne nuk jemi shtet neutral ushtarakisht”, ka thënë ai.

Ramadani ka thënë se anëtarësimi i të gjitha shteteve të rajonit në NATO është garancë për paqe të përhershme në Ballkan.

“Qeveria e Kosovës më 18 dhjetor 2018 ka themeluar Komitetin Ndër-Ministror për Integrim në NATO, si një hap i rëndësishëm që zyrtarizon aspiratën e Kosovës për anëtarësim në NATO. Për këtë është njoftuar Brukseli. Kjo është një prej hapave të parë dhe bazik”, është shprehur ai.

Sipas tij gjetja e një rruge specifike për avancimin e Kosovës drejt NATO-s, është mënyra më e mirë, siç tha ai, duke pasur parasysh faktin se janë katër shtete jo-njohëse ndaj pavarësisë së Kosovës.

Ndërsa sipas njohësit të çështjeve të sigurisë në vend, Avni Islami, Kosova është njëra nga sukseset e NATO-s.

Islami në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Kosova është e interesuar të jetë pjesë e NATO-s.

“Duke e ditur se jemi në 70 vjetorin e themelimit të NATO-së, patjetër se kur flitet për sukseset e NATO-së, nuk kuadër të tyre është edhe çështja e Kosovës. Kjo për shkak se duke iu falënderuar NATO-s dhe ushtrisë çlirimtare të Kosovës, ne jemi sot shtet i pavarur sovran, me sovranitet dhe integritet të plotë. Në vendin tonë janë të stacionuara dhe të dislokuara forcat e NATO-së, e cila është e ngarkuar me rezolutën 1244 që ta mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Andaj duke e ditur rëndësinë e NATO-s, edhe Kosova është e interesuar që të jetë pjesë e saj”, ka thënë ai.

Sipas tij Kosova ishte importues e paqes deri në momentin e formimit të ushtrisë së Kosovës.

“Kosova dëshiron të bëhet pjesë e NATO-s që të kontribuoj në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në botë. Kjo për shkak se, derisa në vendin tonë nuk ka marrë formë të duhur, Ushtria e Kosovës, ishim importues të paqes. Ndërsa në rastin e formimit të Ushtrisë së Kosovës, dhe në kompetencat e saj përmes ligjit mbi FSK-në, realisht Kosova do të prodhojë paqe dhe siguri, dhe është e interesuar që në kuadër të NATO-s të kontribuoj edhe në vendet tjera që kontribuojnë për paqe dhe siguri”, ka theksuar ai.

Islami theksoi se institucionet e Kosovës bashkëpunojnë ngushtë me strukturat Veriatlantike, me SHBA-në, dhe vendet tjera, në mënyrë që siç tha ai, në të ardhmen sa më parë Kosova të bëhet pjesë e NATO-s.

“Me vetë faktin që NATO-n e kemi këtu, ne jemi pjesë e NATO-së, mirëpo sipas standardeve të cilat duhet të shkojmë, duke marr kompetenca, dhe duke u formësuar Ushtria e Kosovës me gjithë resorët e vet, mendoj që brenda 10 deri në 15 vite Kosova do të jetë e barabartë me vendet tjera aleate, që janë ruajtës të paqes dhe sigurisë, jo vetëm në Kosovë, por në rajon dhe më gjerë”, është shprehur ai.

Ndërsa në 70 vjetorin e themelimit të NATO-s, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka kujtuar rolin e pazëvendësueshëm të Aleancës për tërë botën.

Thaçi është shprehur i lumtur që NATO është Kosovë, duke thënë se dëshiron që edhe Kosova të jetë në NATO./Telegrafi/