LAJMI I FUNDIT:

Kosova, në pritje të përgjigjes nga UNESCO-ja

Kosova, në pritje të përgjigjes nga UNESCO-ja

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) ende nuk i është përgjigjur kërkesës së Kosovës për të larguar katër monumentet e saja nga lista e objekteve që paraqesin trashëgimi kulturore të rrezikuar.

Manastiri i Deçanit, Patrikana e Pejës, Manastiri i Graçanicës dhe Kisha e Shën Premtes në Prizren janë katër monumentet që janë të renditura në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Kosova nuk është anëtare e UNESCO-s dhe e ka problem të kërkojë futjen apo ndryshimin e statusit të ndonjë monumenti të saj. Të katër objektet religjioze ortodokse janë të regjistruara në UNESCO me kërkesën e Serbisë. Mirëpo, ato në organin më të lartë botëror të trashëgimisë janë të regjistruara si monumente religjioze ortodokse.

Në vitin 2015 Kosova nuk ka pasur sukses të anëtarësohet në UNESCO pas një lobimi të ashpër të Serbisë dhe aleatëve të saj kundër këtij anëtarësimi.

Kërkesën nga institucionet e Kosovës për UNESCO-n, të dërguar më 21 maj, e kanë nënshkruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, me arsyetimin se “rrethanat e sigurisë në Kosovë kanë ndryshuar tërësisht nga viti i largët 2006, kur këto monumente janë vlerësuar si të rrezikuara”.

Lidhur me rrethanat e ndryshuara, të cilat janë përmendur në letrën e dërguar UNESCO-s nga krerët institucionalë të Kosovës, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kjo bazohet në faktin që, sipas tij, “të paktën, një dekadë nuk është raportuar asnjë incident serioz në kishat ortodokse”.

“Institucionet tona të sigurisë, në bashkëpunim me trupat ushtarake të KFOR-it, për vite me radhë kanë ofruar mbrojtje dhe siguri për kishat ortodokse në Kosovë. Viteve të fundit, kjo përgjegjësi i është bartur Policisë së Kosovës, e cila posedon njësi të veçantë që kujdeset dhe do të vazhdojë të kujdeset për këto monumente. Përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për mbrojtjen e të gjithë trashëgimisë kulturore të Kosovës, kryeministri Kurti e ka konfirmuar edhe nëpërmjet një letre drejtuar liderëve të botës”, ka thënë Kryeziu.

Në listën e monumenteve të rrezikuara nga viti 2006

Me vendimin e Komitetit të Trashëgimisë Botërore, që nga viti 2004 e deri në vitin 2006, UNESCO-ja vendosi në listën e monumenteve të rrezikuara Manastirin e Deçanit, Patrikanën e Pejës, Manastirin e Graçanicës dhe Kishën e Shën Premtes në Prizren, për shkak të vështirësive për administrimin dhe ruajtjen e tyre, e të cilat, sipas arsyetimit të UNESCO-s, buronin nga paqëndrueshmëria politike e rajonit.

UNESCO i ka njohur këto katër objekte fetare ortodokse si monumente mesjetare në Kosovë dy vjet pas trazirave që kishin ndodhur në Kosovë, në marsin e vitit 2004, me ç’rast ishin dëmtuar një numër i objekteve fetare ortodokse.

Asokohe, Komiteti i Trashëgimisë Botërore kishte kërkuar që shteti palë, pra Serbia, të punojë me programet e UNESCO-s, me Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe me, si i quante ky komitet, Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Kosovë, për t’u kujdesur për monumentet.

Katër objektet fetare ortodokse, janë cilësuar se pasqyrojnë pikat e larta të kulturës kishtare bizantine-romane që u zhvillua në Ballkan midis shekujve 13 dhe 17, me stilin e veçantë të pikturimit në mur. Siç është përshkruar, Patrikana e Manastirit të Pejës është një grup prej katër kishave me kupolë, në periferi të Pejës, në të cilën janë të shfaqura një seri pikturash murale. Afresket e Kishës së Apostujve të Shenjtë të shekullit të 13-të janë pikturuar në një stil unik, monumental.

Afresket e hershme të shekullit të 14-të në kishën e Shën Premtes, përfaqësojnë pamjen e stilit të ri të ashtuquajtur Rilindjes Palaiologian, duke kombinuar ndikimet e traditave lindore ortodokse bizantine dhe perëndimore romane. Stili luajti një rol vendimtar në artin vijues ballkanik.

Si futet në listën “e rrezikut’ një monument?

Monumentet e trashëgimisë kulturore hyjnë në listën e “monumenteve të rrezikuara” pas vendimit të UNESCO-s, të cilit i paraprin një listë paraprake të cilën e përpilon Komiteti i Trashëgimisë Botërore me objektet apo monumentet që ky komitet i konsideron “në rrezik”.

Lista e monumenteve kulturore “të rrezikuara” është krijuar për t’i treguar bashkësisë ndërkombëtare për kushtet që kërcënojnë një monument si dhe për të inkurajuar qeveritë që të marrin masa për të mbrojtur ato monumente.

Për shembull, futja në listën e “të rrezikuarve” të një monumenti do t’i mundësonte Komitetit të Trashëgimisë Botërore të ndajë fonde për të ndihmuar në mbrojtjen atij monumenti. Ai gjithashtu do të lajmërojë komunitetin ndërkombëtar, i cili mund të kontribuojë me fonde ose ekspertizë teknike për të shpëtuar një vend të rrezikuar.

Nëse një monument i humb karakteristikat që e përcaktonin përshkrimin e tij në Listën e Trashëgimisë Botërore, ai mund të fshihet si nga Lista e trashëgimisë botërore në rrezik e po ashtu edhe nga Lista kryesore e trashëgimisë botërore. Deri më sot, kjo ka ndodhur vetëm dy herë.

UNESCO pa investime në monumentet “e rrezikuara”?

Enver Rexha, drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, vlerëson që largimi nga lista e monumenteve të rrezikuara të UNESCO-s, të katër objekteve religjioze ortodokse, është i rëndësishëm për Kosovën, për shkak se në këtë listë ato janë futur me kërkesë, sipas tij, politike të Serbisë.

Kërkesa e tillë, siç thotë ai, ndodhi pas trazirave të marsit në vitin 2004. Siç thotë ai, ka pasur pretendime nga Serbia që këto monumente të regjistrohen si monumente ortodokse serbe.

Por, sipas tij, kjo nuk ka ndodhur për shkak të reagimeve të institucioneve të atëhershme që kanë administruar Kosovën, reagimeve nga shtete tjera si dhe nga vetë Franca, si nikoqire e UNESCO-s. Si rrjedhojë, sipas tij, këto monumente janë regjistruar vetëm si monumente ortodokse.

“Këto monumente ortodokse janë sulmuar politikisht (në vitin 2004), mirëpo këtë nuk e kanë bërë institucionet. Duhet të bëhet këtu dallimi. Këto arsyetimet politike që kërkohen nga shteti ynë fqinj, Serbia, në këtë kuptim janë politike dhe nuk janë reale. Ne duhet të dëshmojmë – institucionet e shtetit dhe institucioni përgjegjës, Ministria e Kulturës dhe të tjera – që jemi të përgatitur, të dëshmojmë fuqishëm që ne dalim në mbrojtje të tyre, në bazë të Ligjit për trashëgimi kulturore dhe akteve tjera normative”, theksoi Rexha.

Ajo thotë se UNESCO-ja, në tri vjetët e fundit ka punuar dhe vazhdon të punojë me institucionet e Kosovës, por sipas tij, nuk ka pasur investime për katër monumentet që i ka në listën e “të rrezikuar”.

“UNESCO ka punuar me institucionet e Kosovës në Kështjellën e Novobërdës. Është një proces që ende vazhdon. Por, lidhur me çështjen e ‘rrezikshmërisë’ (për katër monumentet ortodokse), do të thotë, në këtë kuptim nuk janë ndarë fonde të drejtpërdrejta për këto katër monumente, në mënyrë që të vërtetohet fakti se ato janë ‘në rrezik’. Me sa di unë, një raport i tillë nuk ekziston as prej institucioneve tona dhe as prej ato ndërkombëtare”, theksoi Rexha.

Radio Evropa e Lirë i ka dërguar pyetjet UNESCO-s më 28 maj, lidhur me atë se a ka investuar në këto katër monumente, të cilat janë në listën e saj të monumenteve “të rrezikuara”. Por, deri në publikimin e këtij artikulli nuk është pranuar asnjë përgjigje.

Në trend Lajme

Më shumë
Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Muhamet Hajrullahu
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Detaje të reja nga krimi që la të vdekur dy persona në Prishtinë – policia njofton se është arrestuar një i dyshuar që po trajtohej në QKUK

Detaje të reja nga krimi që la të vdekur dy persona në Prishtinë – policia njofton se është arrestuar një i dyshuar që po trajtohej në QKUK

Drejtësi
Avokati Kërveshi dhe kompania

Avokati Kërveshi dhe kompania "Kërveshi & Partners" shpallen më të suksesshmit në Kosovë për vitin 2023-2024 nga “The Legal500”

Lajme
Gjenden të shtrirë në rrugë pa shenja jete dy persona në Prishtinë – policia nis hetimet

Gjenden të shtrirë në rrugë pa shenja jete dy persona në Prishtinë – policia nis hetimet

Kronika e Zezë
Bajrami, Kurtit: A po të kujtohet që i premtojshe do fabrika të keçapit nëpër oda – mjaftë me manipulime

Bajrami, Kurtit: A po të kujtohet që i premtojshe do fabrika të keçapit nëpër oda – mjaftë me manipulime

Lajme
Kalo në kategori