LAJMI I FUNDIT:

Kosova në kutinë e Schroedingerit

Kosova në kutinë e Schroedingerit

Prej Brukseli nuk po vjen haberi. As prej Berlini. As prej Uashingtoni. Gjithçka është ndalur. Burokracia kontinentale, kjo aktuale, po mbetet pa mandat, dhe pranvera nuk i zë, sepse do të ketë zgjedhje tjera. Në ndërkohë ne do të rrimë urtë e butë, në kuti. Izolimit nga jashtë ia kemi shtuar edhe një izolim nga brenda. Jo se ne nuk mundemi me dalë, por as te ne nuk mund të vijë gjithkush, e sidomos jo gjithçka. Kemi futë edhe taksa me të cilat e kemi shqetësuar burokracinë, sepse kjo mund të ndikojë në eksperiment. Kjo e komplikoi atë. Macja mundet me mbijetu!

Në Bruksel janë mbledhur ekspertët të cilët realisht nuk i pyet askush për asgjë, por ndodhë që kur shtetet janë dakord, ata edhe do të arrijnë të shprehin një qëndrim të qartë apo të marrin ndonjë vendim. Për shembull, të gjithë po pajtohen se duhet ndrydhur Kosova, sepse pasojat janë më të vogla. Me e ndrydhë Serbinë pasojat janë më të mëdha.


Kështu fillon loja me kutinë. E marrim Kosovën e fusim në kuti (karantinë) dhe të shohim çfarë po ndodhë. Kjo ndodhë për çështje të vogla, që si prishin punë askujt, por të cilat nëse janë jashtë kutisë, munden me ngatërru lojën. Por, kur shtetet janë me dallime rreth çështjeve të caktuara, atëherë ndodhë që sikur në ish-Federatën jugosllave, vepron asimetria dhe fillon eksperimenti mental që i çmend të gjithë ata që nuk kanë durim ose kapacitete të ndjekin ritmin e ngadaltë dhe të rëndë të mekanizmit evropian. Sidomos pësojnë ata që jetojnë në iluzione.

Pra, në Bruksel e kanë futur macen në kuti, të mbyllur mirë, ku macja pa vizë nuk mundet me lëvizë askund. Këtë elementin e vizës kuptojeni si mundësi, pra kutia është e mbyllur hermetikisht dhe macja mundet të lëvizë vetëm brenda të ndarave, brenda kutisë.

Është e komplikuar? Është vetëm eksperiment mental që njihet me emrin e austriakut të famshëm, Schroedingerit. Pra, Kosova është macja në kutinë e Shrodingerit. Do të shpëtojë apo ngordhë, macja?

Analistët e shumtë, që pretendojnë se shohin brenda kutisë, do të zbërthejnë teoritë e gjasave, ndërsa eksperimentuesit e dinë qartë se janë veç dy mundësi: do të shpëtojë ose do të ngordhë macja. Në fund të fundit, kujt i bëhet vonë se çfarë ndodhë me macen në kuti. Nëse ata duan, as nuk e hapin kutinë, kështu që një kohë të gjatë do të ekzistojë mundësia teorike që macja të ketë ngordhur, por edhe të jetë gjallë, shëndosh e mirë duke ndjekur minjtë nëpër kuti.

Pra, situata me macen paraqitet pak a shumë sërish, sikur në eksperiment. Ose do të ndërveprojnë faktorët dhe macja do të ketë një fund të parashikueshëm, sipas parimeve të standardizuara tri dekada më herët, dhe do të vazhdojë të thuret procesi dhe të definohet struktura, ose gjithçka do të ndërrojë – do të shkëmbehen territoret. Pra, me gjasën gjysmë për gjysmë.

Ka edhe zhvillime të tjera. Varet a do të do të “dhezë” faktori Trump, apo jo. Nëse “dhezë”, macja del prej kutie, e ngordhur apo e mbijetuar. Nëse jo, vazhdon loja mentale.

Krejt eksperimentin mundesh me e përcjell “live”, në vazhdime, në rrjetet sociale, në profilin e Mogherinit, Hashimit, ose Vuçkos. Krejt kohën gjasat do jenë të njëjta, sipas eksperimentit mental të para një shekulli. Gjasat për me ngordhë macja janë të njëjta. Edhe nëse tema nuk hapet në mediat globale, ajo mund të jetë dilemë e përhershme, mund të jetë njëkohësisht e gjallë apo e ngordhur.

Qysh ka pasë thënë më herët Ramizi, për fuqinë dhe forcën, edhe unë jam bllokuar me dy nocione të tjera të cilat veç ngjajnë sikur janë identike, por nuk janë. Është fjala për nocionet e situatës dhe atë të gjendjes. Situata, pra është e keqe, ndërsa gjendja nuk është edhe aq keq. Gjasat janë si te ”Macja e Shrodingerit”! Mund të kemi mbijetuar, ose edhe mund të mos kemi mbijetuar. Por, mund të jetë se na kanë ndodhur që të dyja. Derisa të mos hapet kutia, jemi edhe nuk jemi. Prej Brukseli, s’ka haber!

Nëse nuk bëjmë pazar tash, na thonë se kutia nuk do të hapet me dekada. Nëse bëjmë pazar, kutia do të hapet dhe do të mësohet përfundimisht nëse kemi mbijetuar ose jo. Ka qenë mirë kur kemi qenë plot shpresë dhe nuk kemi qenë të vetëdijshëm se jemi në kuti, se jemi eksperiment… mental.

Burokracia e re evropiane do të ketë telashet e vjetra. Do ta hapë kutin, apo do ta ripaketojë atë, duke e futur në një kuti tjetër dhe duke i vënë një emër tjetër që nuk do të jetë as ai i Mogherinit, as ai i Shrodingerit? Kush e di. Sidoqoftë, elementet e eksperimentit mental mbesin të njëjtë. Kutia, macja dhe dilema e mbijetesës.

Kjo është loja e të mëdhenjve me të voglin. Për macen kjo është çështje mbijetese, për tjerët është veç… eksperiment mental.