Kosova emëron për herë të parë një grua atashe të Mbrojtjes në Shqipëri


Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se nënkolonelja e FSK-së, Fatbardha Osaj, ka pranuar zyrtarisht detyrën si atashe e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë, me seli në Tiranë.
Sipas njoftimit të Ministrisë, Osaj është gruaja e parë që emërohet në këtë pozitë në Shqipëri.
“Ky emërim shënon një hap të rëndësishëm institucional, pasi nënkolonele Fatbardha Osaj është gruaja e parë që emërohet në detyrën e atasheut të Mbrojtjes në Republikën e Shqipërisë, duke dëshmuar përkushtimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës për promovimin e profesionalizmit, meritokracisë dhe barazisë në përfaqësimin ndërkombëtar” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas Rregullores për atashetë e Mbrojtjes, atasheu i Mbrojtjes është përgjegjës për bashkërendimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe atë ushtarake në shtetin ku është emëruar.
Rregullorja përcakton se atasheu i Mbrojtjes gëzon imunitet diplomatik, realizon ekuivalencën dhe privilegjet e gradës diplomatike të Ministrit Këshilltar, zhvillon karrierën ushtarake sipas legjislacionit në fuqi dhe është në vartësi organizative të shefit të misionit diplomatik, ndërsa për çështje operacionale, administrative, financiare dhe ushtarake i përgjigjet Ministrit të Mbrojtjes dhe Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Po ashtu, rregullorja parasheh se atasheu i Mbrojtjes mund të ketë staf civil mbështetës lokal, me autorizim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe sipas procedurave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Emërimi i Osajt vjen në kuadër të përfaqësimit të Kosovës në misionet diplomatike dhe forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes me Shqipërinë.

































