Kosova e Ballkani po vuajnë t’i kthejnë projektet infrastrukturore në investime konkrete


Në Selanik po mbahen punimet e Samitit të Investimeve në Transport, i cili ka mbledhur qeveri (Kosova përfaqësohet nga ministri i Infrastrukturës Dimal Basha), institucione të Bashkimit Evropian, institucione financiare ndërkombëtare dhe sektorin privat me synimin për të përshpejtuar investimet në transport në Ballkanin Perëndimor dhe rajonet fqinje të BE-së.
Nën temën “Rritje dhe konkurrueshmëri përmes lidhshmërisë” samiti fokusohet në shndërrimin e prioriteteve strategjike të lidhshmërisë në projekte transporti të gatshme për investime, duke trajtuar zgjerimin e rrjetit TEN-T(rrjeti transevropian i transportit i BE-së), Korridorin Ballkani Perëndimor–Mesdheu Lindor, Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe bashkëpunimin ndërmjet sektorit publik e privat, thuhet në një njoftim të Komuniteti të Transportit, një organizatë kjo ndërqeveritare që synon integrimin e sektorit të transportit të Ballkanit Perëndimor me atë të Bashkimit Evropian.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor parasheh 6 miliardë euro financim, prej tyre 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi koncesionare. Rreth 3 miliardë euro janë të dedikuara për investime përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Drejtori i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjshek, tha se rajoni tashmë ka përcaktuar prioritetet dhe është përafruar me standardet e BE-së, por tani “duhet të kalojmë nga hartat dhe planet në zbatim të shpejtë”, duke kërkuar projekte më të përgatitura, institucione më të forta dhe financim të koordinuar.
Zëvendëspresidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Mark Boëman, vlerësoi se sfida kryesore mbetet realizimi i projekteve, duke theksuar nevojën për përshpejtimin e përgatitjes së tyre, forcimin e institucioneve dhe mobilizimin e financimit publik e privat për të kthyer korridoret strategjike në investime konkrete.
Ndërkaq, numri dy i Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), Robert de Groot, tha se lidhshmëria efektive është thelbësore për një Evropë konkurruese dhe të integruar, duke nënvizuar se projektet e transportit ndihmojnë në forcimin e tregtisë, investimeve dhe integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.
Për Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit, samiti shihet si një mundësi për avancimin e projekteve infrastrukturore dhe sigurimin e financimit për rrjete transporti më moderne, më të sigurta dhe më të lidhura me tregun evropian.
Një raport i Gjykatës së Auditorëve të BE-së, që u bë publik ditë më parë, kishte gjetur se projektet që kanë të bëjnë me ndërtimin, rregullimin dhe përmirësimin e rrjetit të transportit në Ballkan, e të cilat janë të financuara nga Unioni, nuk janë gati për t’u përfunduar në vitin 2030, sikur që ishin përcaktuar afatet. /KP/



































