LAJMI I FUNDIT:

Kosova dhe Turqia nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës

Kosova dhe Turqia nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Kujtim Gashi dhe ministri i Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, Numan Kurtulmuş kanë nënshkruar sot në Ankara marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës, e cila do të thellojë marrëdhënieve mes të dy vendeve, për ta çuar në një nivel tjetër bashkëpunimin kulturor.

Të dy vendet, nëpërmjet marrëveshjes së nënshkruar pajtohen që në të ardhmen të bashkëpunojnë në nisma të ndryshme kulturore, në mbështetjen e promovimit të artistëve dhe të performueseve nga të dy vendet, aktivitete të përbashkëta kulturore qoftë në Kosovë apo në Turqi, në forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe promovimin e njohurive të ndërsjella të të arritura në fushën e kulturës.


“Marrëveshja përfshin bashkëpunimin në të gjitha fushat e kulturës, teatrin, galerinë, pastaj ansamblet që kanë Republika e Kosovës dhe e Turqisë të cilat shpeshherë kanë shkëmbyer aktivitetet e tyre tashmë. Kjo marrëveshje është edhe një bazë e mirë që do të mundësojë jetësimin e shumë marrëveshjeve të veçanta mes institucioneve të kulturës së dy vendeve”, tha ministri Gashi.

Ndërkaq, nga ana e tij ministri Kurtulmuş u shpreh se ndjehet i lumtur që Kosova e Turqia nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës.

“Kjo marrëveshje do t’i forcojë lidhjet mes dy shteteve. Kosova, populli i saj, kultura dhe historia e saj janë shumë të afërta me shtetin tonë. Përmes kësaj marrëveshjeje do të rrisim punën e përbashkët edhe mes institucioneve”, tha ministri turk i kulturës.

Marrëveshja që u nënshkrua sot parasheh që palët bien dakord që të mbështesin dhe nxisin bashkëpunimin e drejtpërdrejtë në mes institucioneve kulturore përkatëse që kanë në përgjegjësi fusha si: arkivat kombëtare, bibliotekat, galeritë, muzetë, letërsinë, artet pamore dhe performuese, aktivitete botuese, kinematografinë dhe mediat tjera audio-vizuale.