Kosova dhe Maqedonia Veriore të bashkuara për siguri kufitare

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, vizitoi sot pikën kufitare në Glloboqicë, pika kufitare me Maqedoninë e Veriut, për të parë nga afër ushtrimin e përbashkët të Njësive të Specializuara të forcave të Policisë të Republikës së Kosovës dhe policisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ushtrim ky i koduar me emrin “Potera-Ndjekja”.Pas përfundimit të ushtrimit të përbashkët operativo-taktik të forcave policore të të dy vendeve, kryeministri në detyrë Haradinaj, para të pranishmëve të shumtë, tha se sot dy porosi vlejnë për të gjithë ne. “E para, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë besim në njëra-tjetrën, popujt tanë, shtetet tona, politika jonë, institucionet, ekonomia, rendi dhe ligji. Mbi bazën e këtij besimi rendin dhe ligjin do ta bëjmë dhe do ta ruajmë bashkë, në mënyrë që krimin, kriminelët, rreziqet t’i përballim bashkë”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

Porosia e dytë ka të bëjë me sigurinë, në rast të vendimit të liberalizimit të vizave për Kosovën, e që siç theksoi kryeministri në detyrë Haradinaj, kjo do të thotë se kufijtë janë të sigurt dhe nuk ka mundësi që kriminelët të lëvizin lirshëm në mes vendeve tona.“Por, qytetarët PO, duhet ta kenë të drejtën e lirë, të lëvizin e ta gëzojnë lirinë. Qytetarët e Kosovës edhe në këtë fundvit, edhe për krishtlindje nuk janë të lirë, nuk mund të udhëtojnë lirshëm në Evropë apo në familjen evropiane”, tha Haradinaj.Po ashtu, kryeministri në detyrë Haradinaj falënderoi forcat policore të të dy vendeve për profesionalizmin e dëshmuar sot, duke thënë se ata e bëjnë jetën e sigurt për pronën dhe qytetarët e dyja vendeve.





















































